Kryeministri Berisha: Investimet në Korçë mbi 8 miliardë lekë në tre vjet
Gjatë vizitës në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha mori pjesë në nënshkrimin e kontratës së zbatimit për financimin e fazës së dytë të projektit të kanalizimeve, prej rreth 2 miliardë lekë. I gjithë projekti kap vlerën prej 16.5 milionë euro dhe është financim i dhënë në formën e kredisë nga Banka Europiane për Investim për vlerën 14.5 milionë euro dhe 2 milionë euro nga qeveria shqiptare.
Qëllimi i projekti është reduktimi i rrezikut për shëndetin publik, për të mbrojtur burimet lokale ujore dhe për të siguruar grumbullimin dhe trajtimin higjenikisht të sigurtë dhe me kosto të pranueshme të ujërave të përdorura. “Së pari dua të falënderoj të gjithë investitorët dua të falënderoj KfV-në, Bankën Europiane për investim, për këtë mbështetje të fuqishme që i kanë dhënë dhe i japin qytetit të Korçës në infrastrukturën e tij. Dua të falënderoj qeverinë gjermane për projektet e shumta dhe fondet e mëdha që i kanë dhënë Shqipërisë në projektet e ujësjellës-kanalizimeve dhe në të gjitha fushat, gjatë këtyre viteve”, u shpreh më tej Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri përgëzoi ndërmarrjen e ujësjellësit të Korçës, e cila është një ndërmarrje tërësisht me vetëfinancim, një ndërmarrje me një menaxhim shumë të mirë, menaxhim nga i cili duhet të marrin shembull ndërmarrjet e tjera të ujësjellësit në vend. “Unë shpreh kënaqësinë se me këtë investim të ri, rreth 2 miliardë lekë, në sistemin e kanalizimit dhe të përpunimit të ujërave të zeza në Korçë, ky qytet shkon drejt standardeve më të mira europiane në furnizimin me ujë, në kanalizime, dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Por, nga ana tjetër, me këtë investim prej 2 miliardë lekë, ne ia dalim të investojmë në Korçë, në një hark kohor 3 vjeçar, mbi 8 miliardë lekë në tërësi, në rrugë, shkolla, bujqësi, kanalizime, në energji elektrike”, tha më tej Kryeministri duke nënvizuar se Korça dora-dorës, po shndërrohet në qytet model, në një rreth model, për sa u përket të gjitha standardeve.
Ne, vijoi më tej Kryeministri, jemi të vendosur të investojmë në këtë rreth, të mbështesim çdo projekt të nevojshëm, për t’i dhënë pamjen europiane, të vërtetë që ky qytet meriton. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për ecurinë e mbarë të punimeve, ndërsa përgëzoi Kryetarin e Bashkisë së Korçës për avancimin e tyre. Kryeministri tha se po shkohet drejt instalimit dhe konsolidimit të standardeve më të mira në këtë rreth.