E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha për vlerësimin e BB që rendit Shqipërinë vendin e dytë në botë për reformat ekonomike

Kryeministri Berisha, pas raportit të Bankës Botërore, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në botë për reformat ekonomike, doli sot pasdite në një konferencë për shtyp, ku renditi të gjithë faktorët që sollën këto rezultate.

Në këtë konferencë Kryeministri u shpreh:   

“Këto ditë Banka Botërore, në vlerësimin e saj të garës së 181 vendeve të botës për klimën e biznesit, e cila në thelbin e saj është gara për lirinë e tregut, për rritjen e shpejtë ekonomike, gara për mirëqenien dhe prosperitetin e një vendi, shpall Shqipërinë, në raportin e saj të këtij viti, në vendin e dytë në botë përsa u përket reformave të vitit maj 2007 – maj 2008.

Banka Botërore, Doing Business, deklaroi në raportin e saj se këtë vit Shqipëria, në këtë garë, dallohet si një runner up, se ajo po vrapon dhe vlerësoi se Shqipëria  në turrë-vrapin e saj, zuri një vend në çatinë e botës. Raporti deklaron se në renditjen botërore Shqipëria  me këtë turrë-vrap parakaloi, brenda vitit, 50 vende të botës dhe arriti të renditet nga vendi i 136, që ishte një vit më parë, në vendin e 86 në vitin 2008.  Në tërë historinë e saj shumëshekullore, kjo është hera e parë që Shqipëria, për një zhvillim tejet të rëndësishëm, renditet e dyta në botë për mire, ndaj dhe lajmi është jo vetëm i gëzueshëm por edhe historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Beteja për lirinë e tregut është betejë për propseritet.

Është historike së pari, sepse ky vend ka pasur fatkeqësinë e madhe të mos njohë zhvillimin e kapitalizmit të vërtetë, por të kalojë pothuaj nga vend feudal në atë të komunizmit barbar. Rruga e kapitalizmit të vërtetë në Shqipëri nisi me reforma të thella të tregut që ne ndërmorëm pas 22 marsit të vitit 1992.

Renditja e dytë në botë për reformat e tregut të lirë, është dëshmi e shkëlqyer e vullnetit të hekurt të kësaj qeverie dhe qytetarëve shqiptarë për të ndërtuar kapitalizmin e vërtetë në Shqipëri.

Është historik për vendin, pasi në tërë historinë e gjatë, Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka shënuar ndonjëherë një rekord të tillë, një sukses të tillë në arenën botërore në fushën e reformave.

Është, për mua dhe qeverinë time, një arritje historike jo thjesht se ne jemi autorët e saj, por sepse ne ishim ata që pasi përmbysëm socializmin hiperkolektivist çnjerëzor, themeluam pas vitit 1992, kapitalizmin, ekonominë e lirë të tregut; Shqipërinë e kolapsit më të thellë ekonomik, inflacionit treshifror, hiperkolektivizmit ekstrem e shndërruam në vitet ’92-’96, në një kohë rekord nëpërmjet liberalizimit, terapisë së shokut dhe privatizimit masiv, në vendin e rritjes më të shpejtë ekonomike dyshifror në Evropë, inflacionit njëshifror, vendin në të cilin 80% e GDP prodhohej nga sektori privat.

Shqipëria me treguesit e saj, zhvillimin e shpejtë të kapitalizmit, rritjen dyshifrore nisi të quhej “Tajvani i ardhshëm i Europës”, ndërsa qëllimi madhor i jetës sime ishte “Shqipëria – Shqipja e Europës”. Mirëpo, këtë hov të pashembullt të zhvillimit të shpejtë të vendit, e bllokoi rebelimi komunist i vitit ’97.

Rebelimi komunist i ’97 vendosi në Shqipëri sundimin kleptokratik, lirinë e tregut e zëvendësoi me lirinë e klientelës, mafjes dhe monopolet e zyrtarëve me dominimin e klaneve kriminale që kontrollonin doganat e tatimet e vendit. Nga Shqipëria u larguan mijëra investitorë të huaj. Ndaj, ne, sërish në pushtet dhe me misionin tonë, në vitin 2005 shpallëm si Alfën dhe Omegën e programit tonë reformat, reformat dhe vetëm Reformat. Ne e bëmë këtë kur vendi sundohej nga bandat dhe klanet mafjoze më të rrezikshme në Europë, ortakë të atyre që kërkojnë apo bërtasin për rend dhe qetësi sot, vetëm e vetëm se ata përballen me drejtësinë. E bëmë këtë në një kohë kur në Shqipëri mbi 1.4 miliard dollar vidheshin nga kontrabandistë, zyrtarë të korruptuar.

Menjëherë, pas zgjedhjeve të vitit 2005, unë krijova Task Forcë për reformat e tregut dhe derregullimin e tij, pra lirinë e tij, e kryesuar nga Kryeministri dhe e përbërë nga Ministrat e Ekonomisë, Financave dhe ministra të tjerë të linjës. Qëllimi i madh i Task Forcës ishte nxjerrja me shpejtësi e ekonomisë shqiptare nga këneta e kleptokracisë, kthetrat e mafies, kontrabandës, informalitetit, garantimi i lirisë së tregut, vendosja e standardeve më të mira për çlirimin e biznesit, vendosja e Shqipërisë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike. Shqipëria-vendi tërheqës për investimet e huaja, ishin objektivat tona kryesore në reformën ekonomike.

Task Forca nisi punën me përkushtim dhe vendosmëri të madhe, organizoi me dhjetëra mbledhje, takime dhe debate me grupe interesi. Task Forca bashkëpunoi ngushtë me ekspertë shquar ndërkombëtar, të Bankës Botërore, FMN, USAID-in, etj., etj. Task Forca inicioi dhe zbatoi në jetë qindra vendime dhe ligje, të cilat përbëjnë bazën ligjore, solide, të reformave që sollën Shqipërinë në vendin e dytë në botë për suksesin e tyre në vitin 2007-2008. Vlerësimi i Bankës Botërore, shpalli se Shqipëria me reformat që ndërmori dhe suksesin e tyre, jo eci por vrapoi dhe me kërcim së larti, parakaloi sa e sa vende dhe u vendos e dyta në botë për reformat që ndërmori vitin që kaloi.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria e investimeve të huaja, të ndaluara me kushtetutë 18 vjet më parë dhe vendi i investimeve të bllokuara nga mafia, kriminaliteti, kleptokracia vetëm tre vjet më parë, vendi i cili për tetë vite me radhë kishte marrë më pak se gjysmën e investimeve të Maqedonisë, apo gjithsej 28 milion dollar në vit, në raportin e fundit të Bankës Botërore, si rrjedhojë e reformave të thella dhe të gjithanshme, në treguesin e mbrojtjes së investimeve, në turrë-vrapin e saj, ka lënë mbrapa 167 vende dhe u rendit e 14 në botë për mbrojtjen e investimeve, pra u ngjit pothuaj në çatinë e botës.

Për garantimin e investimeve, qeveria ndërmori reforma komplekse dhe vendosi një kuadër të ri ligjor për shoqëritë tregtare dhe tregtarët për përgjegjësi të personit juridik për falimentimin dhe një seri ligjesh dhe vendimesh të tjera.

Këto vite, madje që në vitin 2006, investimet në Shqipëri u rritën me 4 herë, krahasuar me mesataren 8-vjeçare të rregjimit kleptokratik. Investimet këtë vit po shkojnë drejt trefishimit, krahasuar me vitin 2006. Besimi i investitorëve të huaj dhe vendas, tek unë dhe qeveria ime, tek reformat tona, është rritur me shpejtësi.

Unë dua të siguroj investitorët se vendi i 14 në botë është vetëm një stacion nga i cili, me një seri reformash të reja për garantimin, lehtësimin dhe suksesin e investimeve të tyre Shqipëria do të ngjitet në everestin e garancisë së investimeve.

Zonja dhe Zotërinj,

Shqipëria u rendit vendi i dytë në botë për reformat e ndërmarra për lehtësimin e fillimit të biznesit. Ajo në këtë garë botërore ka lënë mbrapa 114 vende të botës dhe renditet në pozicionin e 67.

Tre vjet më parë, Shqipëria kishte rekordin më të keq për regjistrimin e biznesit, prej rreth 42 ditësh, dhe koston më të lartë zyrtare dhe kleptokratike për këtë regjistrim.

Shqipëria gjatë vitit 2007 krijoi me ndihmën e USAID-it, One-Stop-Shop për regjistrimin e biznesit dhe shkurtoi kohën e regjistrimit nga 42 ditë në 30-60 minuta.

Në Task Forcë Rregullatore, gjatë verës, ne kemi vendosur dhe kemi hequr 103 leje dhe licenca, pra 2/3 e lejeve dhe licencave ekzistuese, kemi nisur punën për krijimin e “One Stop Shop” për lejet dhe licencat. Ky projekt do të asistohet dhe vihet në zbatim me ndihmën e USAID-it, në kuadrin e programit të pragut të mijëvjeçarit.

Shqipëria uli koston e biznesit, e cila përveç kohës së zgjatur, me tarifat zyrtare, material, detyrimin e kapitalit, taksën e regjistrimit në bashki, arrinte në 350 mijë lek, ndër më të lartat në botë, sot me reformat e ndërmarra, të gjitha këto shpenzime janë reduktuar në 1 Euro.

Këtu duhet të theksoj se ulja e madhe e kostos së biznesit është bërë gjatë muajve të fundit me ligjin e ri të shoqërive tregtare dhe ligje të tjera të reja, kostoja e regjistrimit të biznesit, pas heqjes së detyrimit për kapital fillestar prej 100000 lekë, heqjes së detyrimit prej 1000 mijë lekë për Dhomën e Tregtisë dhe heqjes së detyrimit prej 120 mijë lek në momentin e regjistrimit në bashki apo komunë, kështu që kostoja e biznesit është ulur qindra herë, krahasuar me periudhën për të cilën flitet në raport. Por, sidoqoftë, dua t’ju garantoj se reduktimi i saj në koston më të ulët në botë, do të jetë qëllimi im dhe vitin e ardhshëm do ta shohim Shqipërinë në krye të listës së vendeve të botës për koston më të ulët të regjistrimit të biznesit.

Në një studim tjetër rajonal të vitit 2008 që Doing Business bëri në 22 qytete të 7 vendeve të rajonit, Shkodra dhe Vlora për lehtësinë e regjistrimit të biznesit renditen, në këtë studim, të parat në rajon por edhe të nëntat në botë, krahas Islandës dhe Kanadasë. Mirëpo, në rast se Shkodra dhe Vlora bëjnë që Shqipëria, po të ishte e tëra si ato, të renditej e 9 në botë për lehtësirat për regjistrimin e biznesit, Tirana me vështirësitë dhe korrupsionin e Bashkisë renditet e 12 në rajon, pra 12 herë mbas Shkodrës dhe Vlorës, dhe shtyn mbrapa vendin në renditjen botërore.

Po në këtë studim, rezulton se Shkodra renditet për dhënien e licencave e 7-ta në rajon, Tirana është dhjetë herë më e ulët, është e 17-ta. Gjendja në Bashkinë e Tiranës, sipas studimit të Doing Business, është katastrofale kur vjen puna tek lejet e ndërtimit apo tava e 10%. Në rast se sipas studimit, Shkodra renditet e 7-ta në rajon, Tirana renditet  11 shkallë apo herë më poshtë, pra renditet e 18-ta, madje për numrin e lartë të procedurave që ndjekin lejet për fillimin e ndërtimit, Tirana renditet e fundit në rajon e 22-ta dhe vendoset në fundin e listës botërore si kampionia e korrupsionit.

Prandaj i bëj thirrje Kryetarit me korespondencë të Bashkisë, të largojë goditjet e tij helmuese, praktikat ultra korruptive ndaj biznesit dhe të marrë masa urgjente për ndryshimin rrënjësor të saj, sikundër do të marrim masa ligjore të rrepta, se në ligjin që do të miratohet këtë javë për urbanistikën, do të sanksionohet neni sipas të cilit heshtja është miratim, në mënyrë  që lejet e ndërtimit të mos mund të përfundojnë më në kalendat e korrupsionit dhe të mos mund të penalizojnë Shqipërinë  ashtu sic ka ndodhur deri më sot.

Zonja dhe Zotërinj,

Problemet e pronësisë dhe regjistrimit të pronës janë një faktor madhor përcaktues për biznesin dhe klimën e tij.

Duke mos injoruar dhe anashkaluar aspak problemet serioze të pronës dhe regjistrimit të saj, ne kemi ndërmarrë reforma të thella, të cilat me përmirësimin e shërbimit kanë bërë që Shqipëria në regjistrimin e pronës, në garën botërore të 181 vendeve të renditet në pozicionin e 68 dhe të lerë mbrapa 113 vende të botës.

 Me gjithë këtë arritje të madhe, reforma e pronësisë në Shqipëri përbën dhe një nga reformat që do të ketë zhvillimet më të mëdha në të ardhmen, ndaj dhe jam i bindur se vitin e ardhshëm ky pozicion do të bëhet shumë më i avancuar.

Zonja dhe Zotërinj,

Kreditimi bankar për ekonominë në Shqipëri tre vjet më parë, ishte ndër më të ultat në botë. Në fund të vitit 2005, niveli i kreditimit të ekonomisë ishte vetëm 11% e GDP. Ndërsa nga fundi i këtij viti, pritet të jetë tre herë më i lartë, apo 35%, pra një rritje prej 300%.

Në raportin e Bankës Botërore, shpallet se Shqipëria në treguesin e shpejtësisë së kreditimit, me turrë-vrapin e saj në reforma, në garën e 181 vendeve të botës ka lënë mbrapa 169 vende të botës dhe është renditur e 12 në botë për këtë tregues tejet të rëndësishëm, që shihet si treguesi i oksigjenit për rritjen ekonomike. Ky tregues, përbën dhe njërin nga treguesit bazë që ka bërë që Shqipëria të renditet e dyta në botë për reformat dhe suksesin e tyre në fushën e tregut të lirë këtë  vit. Ky tregues dëshmon për performancën shumë të mirë të sistemit bankar në Shqipëri, lehtësirat e mëdha të krijuara nga përfundimi nga Banka Qendrore e vendit e Regjistrit Kombëtar të Kredive, reformave të ndërmarra nga qeveria me një seri ligjesh, si ligji i ri për sistemin bankar, ligji për biznesin, vendimet për garancitë bankare, përmirësimi i sistemit të regjistrimit të pasurive që kanë zgjeruar ndjeshëm hapësirat, mundësitë dhe garancitë e kreditimit. Por, kredia është para së gjithash besim dhe entuziazëm ekonomik, Trefishimi i saj në tre vjet është dëshmi e shumfishimit të besimit të sistemit banker tek qeveria, stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit. Ne na besojnë dhe kemi dëshmuar se e emritojmë plotësisht besimin.

Zonja dhe Zotërinj,

Një tregues tjetër themelor, ka qenë përcaktues për renditjen e Shqipërisë në vendin e dytë në botë për reformat dhe suksesin e tyre në funksionimin e tregut të lirë, dhe ky është pagimi i taksave. Reforma apo revolucioni fiskal i Shqipërisë, që konsiston në uljen e madhe të taksave, vendosjen e taksës së sheshtë 10%dhe praktikimin e e-taksës, miratimin e Kodit të ri të procedurës tatimore dhe reformën e sistemit tatimor, rezultatet spektakolare në mbledhjen e taksave, thjeshtimin e sistemit tatimor nga 23 taksa kombëtare në 6 taksa, etj, këto kanë qenë ndër reformat më të mëdha që rendisin qeverinë time dhe Shqipërinë në krye të vendeve dhe qeverive që kanë ndërmarrë reforma fiskale më të thella.

Pas ftesës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në BE, reformat dhe revolucioni fiskal kanë patur jehonën më të madhe dhe më pozitive botërore për Shqipërinë. Ky revolucion, sipas një studimi tjetër tejet serioz, bëri të mundur që Shqipëria të ngjitet e sigurtë në çatinë e botës për lirinë fiskale. Në këtë raport të vlerësimit të lirisë fiskale, Shqipëria vlerësohet me 96 pikë nga 100 të mundshme. Ndërsa në raportin e Bankës Botërore, Shqipëria e krahasuar me të gjitha vendet që ndërmorën reforma fiskale shpallet, sipas termave që përdor raporti, vendi flamur i reformave fiskale. Ky është vlerësimi më i madh dhe botëror për revolucionin fiskal. Në këtë revolucion, ne ia dolëm që të jemi sot vendi me nivelin më të ulët të taksave në Europë. Në kuadrin e këtij revolucioni kemi ulur nga 3,1% në 1,5 % taksën e biznesit të vogël, pra 50%.  Kemi ulur  me 130% tatimin mbi të ardhurat personale, nga 23% në 10%, me 150% tatimin mbi fitimin nga 25% në 10%, me 31% dhe nga 1 janari 2009 me 50% taksën e sigurimeve shoqërore. Kemi ulur nga 6% në 1 %, pra 600% taksën doganore.  Kemi reduktuar me 1 Euro një seri tarifash. Por, le të analizojmë se cili është rezultati i revolucionit tone tatimor  që mbi dyfishoi lirinë fiskale?

Rezultati është spektakolar, pothuaj i pabesueshëm. Ne tre vitet e revolucionit fiskal 2006-2008 të marrë së bashku, me gjithë uljen më të madhe të taksave në Europë, ne kemi pasur rritjen më të madhe të të ardhurave në Europë. Në vitet 2002-2004, në Shqipëri me taksat më të larta në rajon dhe më gjerë, u mblodhën nga taksat dhe tatimet në buxhetin e vendit 439 miliard lekë. Ndërkohë që në trevjeçarin 2006-2008 me nivelin e taksave më të ulta në Europë, nga taksat dhe tatimet u mblodhën 729 miliard lekë apo 290 miliard lekë, apo 3,2 miliard dollar më shumë. Në tre vjet, si në asnjë vend tjetër, të ardhurat nga taksat dhe tatimet u rritën me rreth 70%. Madje në tre vitet e qeverisjes sime taksulët dhe e revolucionit të saj fiscal, u volën 70 miliard dollarë më shumë se sa në 5 vitet e qeverisjes taksë-lartë.

Në një këndvështrim tjetër të rritjes së lirisë fiskale do të gjejmë se nga viti 2002 në vitin 2004 të qeverisjes takslartë, të ardhurat nga taksat dhe tatimet u rritën vetëm 30 miliard lekë. Ato ishin 122 milion në vitin 2002 dhe u bënë 165 miliard në vitin 2004, kurse në tre vitet e revolucionit fiskal apo lirisë së madhe fiskale u rritën 2,3 herë më shumë. Këto të ardhura ishin 205 miliard në vitin 2006, arritën në 290 miliard në vitin 2008, pra një rritje prej 85 miliard apo 2,3 herë më shumë se në vitet 2002-2004, vitet e social-kleptokracisë.

Këto ishin treguesit kryesorë që renditën Shqipërinë të dytën në botë për reformat e ndërmarra nga maji i vitit 2007 në majin e vitit 2008. Me këtë rast, dua të theksoj se në këto arritje ndihma e institucioneve ndërkombëtare, vendeve mike ka qenë e një rëndësie shumë të madhe. Unë dua të falënderoj me mirënjohje të thellë Bankën Botërore dhe Doing Business për ndihmën e madhe dhe tejet të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në këto reforma, të falënderoj me mirënjohje të veçantë USAID-in dhe koorporatën e mijëvjeçarit për projektet e rëndësishme që financuan dhe ndihmën tejet të çmuar që dhanë për zbatimin e tyre, si e-taks, e-biznes, e-prokurime, etj., etj, të cilat bënë të mundur turrë-vrapin e Shqipërisë. Të falënderoj institucionet e tjera financuese ndërkombëtare si, FMN dhe institucionet e vendeve mike për ndihmën dhe kontributin e çmuar.

Dua gjithashtu të shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim më të madh për ekipin e Task Forcës, bashkëpunëtorët të mi, ju  te nderuar ministra, bashkëpunëtorët tuaj, dhe të gjithë anëtarëve të Task Forcës dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në të gjitha nivelet, të cilët me një vendosmëri të m adhe bënë të mundur hartimin dhe zbatimin e këtyre reformave, bënë të mundur jehonën e suksesit të tyre.   

Një falënderim dhe mirënjohje të pakufishme ju drejtoj sot të gjithë qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre, besimin e tyre, më dhanë mundësi të çlirohem nga një brengë e madhe e shpirtit tim. Brenga ime më e madhe nuk ka qenë kurrë se unë, për shkak të rebelimit komunist lash kolltukun e Presidentit. Jo, absolutisht jo. Por, brenga ime ishte se Shqipëria e rritjes ekonomike dyshifrore, e hovit të madh zhvillimor, për shkak të rebelimit, u vidhis në honet e kleptokracisë dhe mafies.

Gjatë tetë viteve, në qindra e mijëra takime ju, njerëzit e thjeshtë, tek brohorisnit “Sali bollëku”, më rëndonit edhe më shumë brengën, sepse unë isha njeriu që asnjërit prej jush nuk i kisha dhënë qoftë edhe një qindarkë, kurse ju me gjithë këtë, më thërrisnit “Sali bollëku”. Ju e bënit këtë vetëm e vetëm si besim dhe vlerësim që ju kishit për reformat që ndërmorrëm së bashku në vitet 1992-1996.

Prandaj dhe unë si detyrim madhor ndaj jush shpalla tre vjet më parë sërish se do të vendos Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, se do ta bëj atë vendin më tërheqës për investimet e huaja. Unë e kam bërë këtë i frymëzuar nga ju, forca e shpirtit tuaj punëtor, e kam bërë këtë në mënyrë që, me vullnet të hekurt pasuritë përrallore por të fjetura qindra dhe mijëra miliardëshe të vendit tonë, që gjenden në brigjet, ujërat, malet, tokën dhe nëntokën e saj të shndërrohen sa më shpejt në vlera pasurore për ju, familjet tuaja dhe shoqërinë shqiptare.

Pas tre vjet reformash, ne vendosëm së bashku Shqipërinë në krye të vendeve për reformat e ndërmarra, ne parakalojmë për fillimin e biznesit 114 vende të botës, për mbrojtjen e investimeve 167 vende të botës, për kreditimin e ekonomisë ne parakalojmë 169 vende, për regjistrimin e pronës 113 vende, etj., për pagimin e taksës shpallemi vendi flamur.

Por, sot, unë kam kënaqësinë më të madhe t’ju informoj ju se, ekonomia e vendit tonë është sot më e zhvilluar, më entuziaste se kurrë. Se sot, Shqipëria ka rritjen e eksporteve “Made in Albania” me 43% krahasuar me vitin e kaluar, ka rritjen me mbi 40% të ritmit të ndërtimit, me rreth 30% të prodhimit industrial, me 50% të turizmit, ka rritjen dyshifrore të prodhimit bujqësor dhe transporteve, se në 6-mujorin e parë të këtij viti u regjistruan 13063 biznese të reja, kundrejt 6603 biznese të reja që u regjistruan gjatë muajve të parë të vitit të kaluar, pra me një rritje mbi 100%.

Unë kam nderin t’ju informoj se këtë 6-mujor Shqipëria është vendi me rritje dyshifrore ndër më të lartat në Europë. Tremujori i parë tregon se rritja reale ekonomike e Shqipërisë ka qenë 10.4% dhe në tremujorin e dytë është rreth 11%. Tre vjet më parë nuk kam guxuar të shqiptoj rritjen dyshifrore ekonomike për Shqipërinë. Por ai ka qenë çdo ditë qëllimi i heshtur i punës dhe jetës sime. Sot, që ky qëllim është realitet, ju garantoj se, ne së bashku me reformat e tjera të mëdha, do ta bëjmë Shqipërinë, që siç thotë raporti është një “runnes up” të fluturojë, do ta bëjmë shqipe të këtij kontinenti, ashtu siç e ka bërë Zoti dhe ashtu siç e duam ne të gjithë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve, lidhur me çështjet e trajtuara.

Pyetje: Ju përmendet në fjalën tuaj që ka patur një rritje të kreditimit për biznesin. Ndërkohë Banka e Shqipërisë bën të ditur që kjo kredi e marrë nga biznesi edhe pse është e rritur mund të jetë përdorur jo për qëllimin e saj më të pëlqyeshëm që është investimi, por mund të jetë përdorur nga bizneset për tu dhënë pagat punonjësve ose për të shlyer detyrimet e tyre.

Kryeministri Berisha: Situata është shumë e qartë. Shqipëria ka patur një rritje marramendëse të kreditimit. Me ardhjen tonë në pushtet u kthye besimi. U zhdukën bandat, u vendos siguria dhe kreditimi ka qenë marramendës. Ka qenë i tillë sa që Banka e Shqipërisë e këshilluar nga FMN-j a ka marrë masa për ngadalësimin e tij, gjë për të cilën qeveria pavarësisht se mund të mos ketë qenë plotësisht dakord, nuk i është kundërvënë. E ka pranuar si një politikë sigurie, në kuptimin e sigurisë së stabilitetit monetar dhe ne e kemi vlerësuar këtë. Analiza e kredisë ka dy gjëra pozitive. Së pari, kjo kredi në dallim nga shumë vende të tjera edhe të rajonit, ku dominohen nga kredia konsumatore, ka qenë kredi biznesi, në dy të tretat e saj. Kjo ka qenë ana më e shëndoshë, më pozitive e kësaj kredie. Së dyti, Banka e Shqipërisë realizoi regjistrin kombëtar të kredisë dhe ajo që quhet kredi e keqe është në nivel shumë të ulët në Shqipëri. Kjo sepse shqiptarët në përgjithësi janë shumë korrekt ndaj borxhit dhe e kanë paguar atë. Kjo në krahasim me vende të tjera, madje edhe me vende shumë të zhvilluara. Në këtë kontekst, për faktin se përse e merr biznesi kredinë, ajo çka mund të them unë, është se në se sheh bumin ekonomik dhe ky është një bum, jo sepse e them unë por rritja dyshifrore gjithnjë është bum, madje edhe po të jetë rreth 8 apo  9 % konsiderohet e tillë, atëherë ky fakt tregon se biznesi e ka përdorur kredinë me eficencën më të lartë. Se çfarë bën i zoti i shtëpisë në shtëpinë  e tij është tjetër punë, por produkti është i shkëlqyer.

Pyetje: Vetë guvernatori para dy ditësh deklaroi që rritja e pagave mund të përkeqësoje inflacionin. A keni ndonjë koment për këtë?

Kryeministri Berisha: Po të shohësh hartën e inflacionit në botë, Shqipëria është një surprizë. Kjo ekonomi e një vendi të vogël i rezistoi në mënyrë të shkëlqyer valës botërore të inflacionit. Në se shtrojmë pyetjen se përse rezistoi mund të themi me bindje se këto reforma e bënë të rezistojë. Dhe ne siç e dini mbyllëm vitin nga gushti në gusht me inflacionin 2.5 %. Kjo është e vërteta. Në se dikush mund të thotë se Shqipëria është një vend i vogël, mund tu them se ka shume vende të vogla që këtë shifër e kanë 10 % apo 9 % dhe mund të flasim për vende anëtare të BE. Këto janë surprizat e vërteta të ekonomisë. Ekonomia jone është një ekonomi entuziaste, dinamike.

Pyetje: Ju folët për një sërë rezultatesh të mira të cilat kanë ardhur menjëherë pas ardhjes suaj në pushtet. Në fakt sfida e vërtetë e Shqipërisë është në 4 nëntor të këtij viti, ku pritet progres raporti i BE-së dhe në këtë progres raport cilat janë pikat e forta ku qeveria do të marrë vlerësimet dhe cilat pikat e dobëta ku do të ketë kritika?

Kryeministri Berisha: Javën e dytë të nëntorit do të jem këtu para jush për të bërë komentet e mija për raportin, sepse dua ta shoh , por ajo që më jep mua kënaqësi mund tu them se dy, janë shtyllat kryesore të projektit të integrimit. Njëra është demokraci funksionale dhe ka të bëjë me shtetin ligjor, me reformat politike dhe tjetra është ekonomi tregu funksionale. Unë mund tu them se raporti i Bankës Botërore është një pasaportë e shkëlqyer e qëndrimit të kësaj qeverie ndaj tregut dhe lirisë së tij. Sot po flasim për këtë dhe unë nuk dua të mohoj problematikën që ekziston, por të shoh vendin tim në krye të përpjekjeve për lirinë e tregut, kjo përbën një arritje historike për lirinë dhe shqiptarët.

Pyetje: Zoti kryeministër,  folët për një Shqipëri e cila në gjashtë muaj ka ndryshuar faqen e biznesit, por a ka ndryshuar diçka tek Kryeministri Berisha , i cili 6 muaj më parë një biznesmen e cilësoi mafioz ndërsa vetëm dje, këtë biznesmen e cilësoi si qytetarin më të ndershëm që denoncoi një aferë korruptive?

Kryeministri Berisha: Meqenëse e keni shumë të vështirë të mos merrni porosi politike dhe në mesazhe, unë duke dalë jashtë tematikës po përgjigjem. Në mënyrë absolute, në se dikush i thotë një tjetri në telefon “ dërgoji atij disa prostituta”, unë për të nuk mund të kem vlerësim tjetër veçse se është një mafioz. Jam shprehur kështu për bisedën mes tyre. Ndërsa atyre që thashë dje në parlament nuk u heq asnjë presje. Çdo njeri do të shpreheshe si unë, po të lexonte atë transkript. Ndërsa dje ato që thashë i kam shprehur me bindjen më të plotë. Duhet të dish të ndash personin nga fenomeni.

Pyetje: Zoti kryeministër edhe përfaqësuesi i fundi i BE-së që vizitoi Shqipërinë ngriti si problem të madh çështjen e pronësisë . Sipas tij zgjidhja e çështjes së pronësisë është një nga kushtet kryesore që të hapet edhe më tej rruga e investimeve në vend.

Kryeministri Berisha: Çështja e pronësisë është një çështje tek e cila u ndala. Siç e dini për fat të mirë dhe fat jo të mirë,  në Shqipëri për çështjen e pronësisë ka dy standarde. Kur vjen problemi tek të huajt dhe investitorët vendas, ata e zgjidhin mbi baza komerciale. Deri më sot, nga mijëra ankesa që mund të kem patur gjatë këtyre viteve, nuk mbaj mend të kem patur ankesa nga investitorë, jo nga pronarë, për çështje pronësie. Dhe raporti kur flet për regjistrimin e pronës u referohet në radhë të parë biznesmenëve dhe biznesit, sepse raporti këtë studion dhe rendit Shqipërinë të 67. Dua tu them se po punojmë në shumë drejtime dhe jam shumë optimist se do tij japim përgjigjen më të mirë dhe se nga vendi i 67 nuk mund të them se do të kapim çatinë, por do të synojmë të kapim çatinë, të përparojmë nga viti në vit dhe ta përmirësojmë edhe më tutje. Ta zgjidhim këtë problem.

Pyetje: A po e përdor opozita politikisht ngjarjen me biznesmenin?

Kryeministri Berisha: Sigurisht që ata thërrasin “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”. Por unë sot jam fokusuar në suksesin ekonomik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›