Kryeministri Berisha merr pjesë në seminarin “Shqipëria dhe Procesi i Barcelonës”
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në seminarin me temë “Shqipëria dhe Procesi i Barcelonës”, i organizuar nga Instituti Europian për Mesdheun dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh se Samiti i Parisit i Bashkimit për Mesdheun i dha një dimension të ri politikës europiane dhe më gjerë. Qeveria shqiptare, tha Kryeministri Berisha, sheh me interes të veçantë Procesin e Barcleonës dhe Bashkimin e Mesdheut, proces që kushtëzohet nga një realitet konstant aktual, që duhet të përparojë drejt një të ardhme bashkëpunimi shumë më të gjerë mes vendeve të bregut jugor dhe bregut verior të këtij deti, i cili mban në brigjet dhe gjirin e tij visaret më të çmuara të qytetërimit njerëzor.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria sjell në proporcion me përmasat e saj një kontribut të qartë dhe real në bashkëpunimin mesdhetar, ndërsa shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë përsipër përgjegjësi konkrete në këtë bashkëpunim.
Kryeministri e vlerësoi si të një rëndësie mjaft të madhe bashkëpunimin kulturor dhe atë mes besimeve fetare. “Djep pothuajse i të gjitha besimeve fetare, rajoni ka të gjithë potencialin që të japë një kontribut të çmuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor”, nënvizoi Kryeministri. Është në detyrimin tonë-, vijoi më tej Kryeministri-, që të mos lejojmë që besimet e ndryshme të shndërrohen në mure ndarje dhe izolimi ndaj njëri-tjetrit, që ato të mund të keqpërdoren dhe të abuzohet me to për të ngjallur armiqësira dhe konliktualitet.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Është një kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë sot në këtë takim për Procesin e Barcelonës, Bashkimin për Mesdheun. Vëtem pak kohë pas zhvillimit të punimeve të Samitit të Parisit, i cili mendoj se i dha një dimension të ri politikës europiane dhe më gjerë shfrytëzoj rastin të falenderoj qeverinë spanjolle, ndihma dhe mbështetja e së cilës bëri që Shqipëria të shkojë në Samitin e Parisit si një vend anëtar i Procesit të Barcelonës.
Qeveria shqiptare sheh me interes të veçantë në Procesin e Barcelonës dhe Bashkimin e Mesdheut, proces që kushtëzohet diktohet nga një realitet konstant aktual një realitet që duhet të përparojë drejt një të ardhme bashkëpunimi shumë më të ngjerë mes vendeve të bregut jugor dhe bregut verior të këtij deti që mban në brigjet dhe gjirin e tij visaret më të çmuara të qytetërimit njerëzor. Shqipëeia është një vend i vogël, por një vend me lidhje të fuqishme në rajonin e Mesdheut, me lidhje kohëgjata, historike me vendet e këtij rajoni, lidhje kulturore dhe të shumëllojshme. Në këtë kontekst Shqipëria sjell në proporcion me përmasat e saj një kontribut të qartë dhe real në bashkëpunimin mesdhetar.
Ne kemi gjetur me shumë interes projektet e përzgjedhura në samitin e Parisit, zbatimi i të cilave do të sjellë Shqipërinë dhe vendet anëtare të këtij bashkimi më afër. Në fushën e arsimit në fushën e energjisë, në fushën e ekologjisë, por në mënyrë të veçantë e një rëndësie të madhe është përpjekja që bëhet në këtë kuadër për një dialog midis kulturave dhe besimeve fetare. Djep pothuajse i të gjitha besimeve fetare, rajoni ka të gjithë potencialin që të japë një kontribut të çmuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor. Kjo mendoj se ka një rëndësi shumë të madhe për të sotmen dhe të ardhmen. Është në detyrimin tonë që të mos lejojmë që besimet e ndryshme të shndërrohen në mure ndarje dhe izolimi ndaj njëri-tjetrit, që ato të mund të keqpërdoren dhe të abuzohet me to për të ngjallur armiqësira dhe konliktualitet.
Në rajon aktualisht prej dekadash ekziston konflikti izraelito-palestinez. Për zgjidhjen e tij ka patur dhe ka një angazhim madhor ndërkombëtar, ndoshta më të madh dhe më të fuqishëm se sa për zgjidhjen e çdo konflikti tjetër pasi zgjidhja e këtij konflikti në mënyrë të padisktueshme do të ketë një reflektim madhor pozitiv në paqen dhe stabilitetin në botë. Ky është një konfilikt kompleks, por sot ekziston bindja e përgjithshme se zgjidhja e tij kalon në mënyrë të detyrueshme në bashkëjetesën e dy shteteve të pavarura të sigurta; Izraelit dhe shtetit të pavarur palestinez. Edhe në këtë kontekst Bashkimi për Mesdheun, vendet e këtij Bashkimi me softin e tyre mund të japin një kontribut të rëndësishëm në zgjedhjen dhe shërimin e plagës që krijon ky konflikt. Duke mbështetur tërësisht këtë bashkim, Shqipëria si një segment ose si një vend i vogël, por me një rol aktiv do të dëshironte që në shpërndarjen dhe riorganizimin e ri institucional të këtij bashkimi të mund të merrte ndonjë përgjegjësi të saj.
Ne kemi mbështetur dhe mbështesim Sekretariatin për në Barcelonië dhe e kemi njohur qeverinë spanjolle me këtë qëndrim tonin, por ne shpresojmë që institucionet e këtij bashkimi të mund të kenë një shpërndarje gjeografike sa më të përshtatshme për përmbushjen e misionit të tyre. Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë tona.
Dua t`ju uroj suksese këtij seminari të falenderoj Kryeministrin Zapatero , qeverinë e tij, për mbështetjen e madhe që i dhanë vendit tim për të marrë vendin që i takonte në procesin e Barcelonës dhe për të shkuar në Samitin e Parisit si një vend anëtar i këtij procesi.