E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Reforma ka konsensusin më të gjerë të përfaqësuesve të kombit shqiptar

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh se reforma e ndërmarrë është reformë me një rëndësi historike për vendin dhe e shndërron atë në një Republikë Parlamentare perëndimore të vërtetë. Kryeministri u shpreh se kjo reformë ka konsensusin më të gjerë të përfaqësuesve të kombit shqiptar.

Ndër të tjera Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, e thirra këtë mbledhje me ju për të shprehur bindjen time më të thellë, bindjen politike dhe shoqërore, se reforma që kemi ndërmarrë është një reformë e një rëndësie historike për këto arsye;
Nesër me reformën tonë ne i heqim barrën e zezë, vulën e zezë në kurrizin e Shqipërisë që u njohën në mbarë planetin me emrin Dushk dhe vendosim që vota e qytetarëve shqiptarë të ketë forcën elektorale, ashtu si në shumicën e vendeve demokratike të Evropës dhe botës.
Kam bindjen më të thellë se reforma që ndërmarrim është një reformë historike sepse i jep përgjigjen përfundimtare parlamentarizmit perëndimor në Republikën e Shqipërisë.
Tani e tutje kjo reformë shndërron vendin, me mocionet e saj të besimit dhe mocionin konstruktiv, në një Republikë Parlamentare perëndimore të vërtetë siç janë Republika Federale Gjermane, Italia, Holanda, Spanja dhe shumë e shumë vende të tjera.
Kjo reformë është historike sepse i përgjigjet flakë për flakë besimit të paprecedentë, në historinë e vendit, që 26 shtete anëtare të NATO-s vendosën mbi ne në Bukuresht.
Ndjehem pa kufi mirënjohës ndaj tyre dhe ndjehem deri në infinit i detyruar që besimin ta kthej në reforma. Kam bindjen se kjo është përgjigja më e shkëlqyer që ne i japim këtij besimi në kohën më të shkurtër.
Së treti, reforma që ndërmarrim nesër është reforma me konsensusin më të gjerë të përfaqësuesve të kombit shqiptar. Me Partinë Socialiste na ndajnë programet, na ndajnë pozicionet. Dihen shumë mirë platformat shkuara të saj ndaj nesh, por askush nuk mund të mohoj se për gjashtë vite me radhë reformën zgjedhore Partia Socialiste e parashikoi vetëm me Partinë Demokratike.
Unë mund t’ju them se pa atë reformë zgjedhore Partia Demokratike nuk do të ishte sot në pushtet. Unë nuk kam ndërmend kurrë të përdor monedhë tjetër përveçse përfaqësuesve më kryesorë të këtij populli, të këtyre qytetarëve që besimin më masiv e kanë vendosur tek dy forcat politike kryesore të vendit. Duke qëndruar besnik i palëkundur i aleatëve të mi, duke i falënderuar ata për të gjithë hapat dhe mirëkuptimet që kanë treguar dhe mirëkuptimin që unë kam treguar ndaj tyre, sërish dua të theksoj se qytetarët shqiptarë, Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar pret me të drejtë dhe cilëson si konsensus më të gjerë, konsensusin midis dy forcave më të mëdha politike. Unë jam dhe do të jem për këtë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›