Kryeministri Berisha: Duhet të procedohet me shpejtësi për pajisjen me tituj pronësie të banorëve të zonave informale
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë u shqyrtuan dhe u miratuan vijat kufizuese të 32 zonave informale, përkatësisht me 11 mijë pasuri, të cilat shtrihen në Qarkun Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe Durrës.
Deri tani në KRRTRSH janë miratuar vijat kufizuese të 127 zonave informale, respektivisht me 120 mijë pasuri, me një sipërfaqe totale prej 3 mijë ha dhe me një vlerë prej 6 miliardë euro.
Kryeministri Berisha theksoi se me miratimin e 32 zonave në këtë mbledhje, mbyllet procesi i miratimit të zonave informale me sipërfaqe mbi 5 ha, që në përputhje me ligjin duhet të paraqiten në KRRTRSH.
“Pas këtij vendimi, mendoj se për të gjitha këto zona duhet të procedohet me shpejtësi për pajisjen me titujt e pronësisë të të gjithë pronarëve të rinj të tyre. Është shumë e rëndësishme që ky proces të fillojë sa më shpejtë dhe në këtë mënyrë, ky kapital i ngrirë të çlirohet e të hyjë në treg, në një periudhë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha Kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se janë rreth 6 miliardë euro, të llogaritura sipas kostos, të cilat shkrihen dhe hyjnë në tregun shqiptar të banesave. “Ato do të kenë një efekt pozitiv, si për tregun, ashtu edhe për sektorin e ndërtimit, sepse shpresojmë që të ripërshtasin çmimet e ndërtimeve, duke bërë një zbutje të madhe të kërkesave, pasi një pjesë shumë e madhe e këtyre ndërtimeve janë të gatshme për t’u shitur”, theksoi ai.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme të KRRTRSH-së u morën në shqyrtim dhe u miratuan edhe disa vendime të rëndësishme:
- “Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Beratit”
- “Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Kuçovës”
- “ Detyra e projektimit të për studimin urbanistik të zonës së qendrës së qytetit të Fierit”
- “Shesh dhe leje ndërtimi për objektin me sipërfaqe 15.238 metër katror “Qendra e mbyllur e pritjes së emigrantëve të parregullt”, në fshatin Karrec-maminas, Durrës, me investitor Ministrinë e Brendshme.
- “Studimi urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin “Impianti i bluarjes së Klinkerit “ Sallmone-komuna Xhafzotaj, me investitor “Shqipëria Cement Company”
- “Studim urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin me sipërfaqe 22.565 metra katror “Vend grumbullimi i mbetjeve të rrezikshme në Uzinën e Metalurgjisë së Bakrit, në Rubik”