Kryeministri Berisha: Toleranca fetare, vlera më e çmuar e shqiptarëve
Kryeministri Berisha ishte i ftuar sot në ceremoninë e organizuar nga Komuniteti Musliman Shqiptar, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së Profetit Muhamed.
Kryeministri Berisha uroi të gjithë besimtarët muslimanë me rastin e kësaj dite, ndërsa vlerësoi lart harmoninë fetare që karakterizon popullin shqiptar.
Gjithashtu Kryeministri Berisha uroi edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët e festojnë këtë ditë, pas fitores së pavarësisë dhe dinjitetit të tyre, pas një shekulli luftrash dhe përpjekjesh.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha u shpreh:
“Nga zemra ju uroj gëzuar lindjen e Profetit, ditën e madhe të shpresës, besimit tek Zoti, besimit tek Profeti, besimit tek e ardhm ja. Jam sot këtu për të shprehur krenarinë time me ju, për ju dhe për të gjithë shqiptarët, të cilët me besimet e tyre të mëdha tek Zoti, me tolerancën e tyre të shkëlqyer fetare, i japin mbarë njerëzimit një mesazh të madh nga një komb i vogël, një mesazh të madh për të cilin kanë nevojë të gjithë, mesazhin e dashurisë, mirëkuptimit, respektit të ndërsjelltë mes besimeve fetare, tolerancës fetare të shkëlqyer.
Hirësia e tij, Selim Muça theksoi se ne sot kremtojmë ditëlindjen e Profetit pasi shqiptarët e Kosovës fituan pavarësinë e tyre, fituan dinjitetin e tyre, pas një shekull luftrash dhe përpjekjesh. Shqiptarët në Kosovë kurrë, në asnjë rast të vetëm, nuk pranuan të përdorin besimin fetar si një pretekst për të drejtat e tyre, ata përdorën besimin tek Zoti si një forcë e pashtershme në rrugën e realizimit të qëllimeve të tyre historike.
Ne sot kremtojmë ditëlindjen e Profetit pas një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, pas ftesës për anëtarësimin në NATO.
Në të gjitha konferencat, samitet dhe kudo që marrim pjesë, në çdo takim që unë kam, nuk ka asgjë më të çmuar t`ju them bashkëbiseduesve të mi, se sa tolerancën tonë fetare, se sa mirëkuptimin tonë fetar, se sa dashurinë dhe respektin që kemi ne për besimin e tjetrit.
Ndaj dhe unë ndjehem shumë krenar me ju, ndjehem krenar me çdo shqiptar dhe ju garantoj se ky mesazh do të marrë çdo ditë e më shumë peshën që i takon dhe do të lartësojë çdo ditë e më shumë shqiptarët në Europë dhe në botë.
Duke u falenderuar për ftesën që më bëtë, për mundësinë që më dhatë për t`ju drejtuar këtë mesazh të shkurtër edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë, ditë frymëzimi, ditë besimi, ditë të ardhmeje për çdo shqiptar, për të gjithë besimtarët, të të gjitha besimeve, sepse lindja është shpresë, lindja është dritë, lindja është e ardhme, lindja është vizion, ndaj dhe njëherë gëzuar të gjithëve” !