Konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave Berisha dhe Topolanek
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj,
Edhe një herë shfrytëzoj rastin për t’i uruar mirëseardhjen shumë të përzemërt Kryeministrit të Republikës së Çekisë Mirek Topolanek në një vizitë historike në Shqipëri që shënon një ngjarje kulmore në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, vizita e parë në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Gjithashtu, dua të falënderoj shumë përzemërsisht Kryeministrin Topolanek, qeverinë dhe vendin e tij për mbështetjen shumë të fuqishme që i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Në diskutimet që patëm, ne ramë dakord të bëjmë çdo përpjekje për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën politike. Çekia ka mbështetur dhe mbështet Shqipërinë në përpjekjet e saj për integrimin evropian dhe euroatlantik. Ajo ka dhënë një ndihmë shumë të çmuar për paqen e stabilitetin në Ballkan, ka një qëndrim shumë pozitiv për paqen dhe stabilitetin në Europë dhe më gjerë.
Ne ramë dakord të inkurajojmë intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe e sigurova Kryeministrin se qeveria shqiptare do të mbështesë të gjitha përpjekjet e biznesit çek për të investuar në Shqipëri. Midis dy vendeve ka ekzistuar një traditë në bashkëpunimin ekonomik që përbën një bazë për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike ekzistuese. Shqipëria është vend i vogël, por me potenciale të mëdha në fushën e turizmit, energjisë, minierave dhe fusha të tjera. Ne jemi në vitin e privatizimeve të mëdha. Kompani të mëdha çeke, të cilat janë edhe sot këtu, kanë treguar interes të madh për privatizimin në energji, naftë, sektorin e hekurudhave, sektorin minerar dhe turizëm. Interesi i tyre është në një rritje të madhe. Çekia është vend i suksesit të sigurt të reformave në fushën e arsimit, të punës, shëndetësisë. Ne ramë dakord të bashkëpunojmë ngushtë për të marrë këtë eksperiencë të mirë edhe për Shqipërinë.
Duke qenë i bindur në suksesin dhe rezultatet shumë të mira të kësaj vizite, dëshiroj t’i jap fjalën mikut, Kryeministrit të Çekisë, zotit Topolanek.
Kryeministri Topolanek: I nderuari zoti Kryeministër, të nderuar zonja dhe zotërinj,
Sot në mëngjes, kur pamë se në Pragë kishte mjegull dhe kjo mund të kërcënonte vizitën tonë historike në Shqipëri, isha shumë i mërzitur. Megjithatë ia dolëm mbanë dhe erdhëm.
Në Samitin e Bukureshtit, është e vërtetë se ne i dhamë mbështetje të plotë Shqipërisë për të marrë ftesën për të hyrë në NATO. Kur dëgjova fjalimin e Presidentit, zotit Topi dhe të Kryeministrit Berisha në këtë Samit, pata lot në sy. Shqipëria, me një rrugë të vështirë e të dhimbshme, edhe pse pak të vonuar në kohë, më në fund mundi të hyjë në familjen tonë të NATO-s dhe me vullnetin tonë të përbashkët Shqipëria mori ftesën që të bëhet anëtare me të drejta të plota. Dua t’i kujtoj të gjithëve dhe atyre që kanë jetuar në atë kohë, se ne e dimë shumë mirë që kemi qenë anëtarë dhe aleatë në një pakt prej të cilit Shqipëria atëherë doli pikërisht për të protestuar kundër pushtimit të Çekisë nga forcat e huaja. Duam t’ju ndihmojmë me gjithë zemër në rrugën që keni nisur dhe që Çekia tashmë e ka kaluar.
Ne, tashmë, jemi anëtar të komunitetit evropian dhe vitin tjetër do të marrim presidencën. Senati i Republikës çeke ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe parlamenti çek do ta bëjë këtë gjë në verë të këtij viti. Vendi ynë e ndjek me shumë interes integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Dua të theksoj dhe vlerësoj rolin stabilizues që ka pasur Shqipëria në këtë rajon. Republika e Çekisë ka si prioritet kryesor të saj pikërisht integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Ne e dimë shumë mirë çka do të thonë investimet e huaja që vijnë në vendin tonë dhe pikërisht këtë gjë duam të bëjmë edhe në rastin tuaj. Ne duam shumë që të nisim bashkëpunimin tonë tregtar. Do të doja të theksoja se ka hapësirë për të lidhur marrëveshje dhe kontakte të reja më të forta në fusha, të cilat zoti Kryeministër tashmë i përmendi.
Republika çeke është shumë e ndjeshme ndaj ngjarjeve që ndodhin në kontinentin evropian. Në këtë kontekst, do të desha të them se këtej e tutje do të shihemi shumë më shpesh dhe do të takohemi në nivel bilateral.
Faleminderit.
Pyetje: Zoti Topolanek, gjatë një vizite që ju keni zhvilluar në fund të muajit shkurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, keni deklaruar se jeni shumë afër një marrëveshjeje ndërmjet Çekisë dhe SHBA-ve për një projekt mbrojtjeje antiraketë, i cili do të negociohej gjatë ose para Samitit të NATO-s. Më lejoni t’ju pyes se ku janë aktualisht këto bisedime?
Kryeministri Topolanek: Samiti i NATO-s në Bukuresht tregoi që kjo shtyllë e mbrojtjes është një shtyllë që duhet krijuar. NATO ia vuri si detyrë vetes që ky sistem, që do të krijohet te ne, të mbulojë jo vetëm Çekinë dhe Poloninë, por të mbulojë të gjithë Evropën. Kjo do të thotë që edhe Shqipëria bën pjesë në këtë ombrellë. Ne mendojmë se jemi shumë afër mbërritjes së kësaj marrëveshjeje dhe besoj që do t’i nënshkruajmë këto marrëveshje në fillim të muajit maj. Në qoftë se bëhet fjalë për një kontratë në nivel presidencial, ajo do të kalojë njëherë në procesin e ratifikimit, që do të thotë në qeveri dhe më pas në parlament. Për ne kjo është një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme edhe për sa i përket NATO-s në përgjithësi. Gjithë mbrojtja antiraketë ka në mënyrë të veçantë vetëm karakter mbrojtës.
Pyetje: Zoti Berisha, për sa i përket ftesës për anëtarësim në NATO u tha tashmë se Shqipëria e marrë ftesën për anëtarësim dhe shpresohet që brenda një viti Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota. Çfarë problemesh mendosh se do të hasni gjatë rrugës tuaj dhe a mendoni se takimi i ardhshëm do të jetë momenti kur Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota?
Kryeministri Berisha: Së pari, mendoj se besimi i madh që u tregua në Bukuresht ndaj Shqipërisë është, në anën tjetër, edhe një përgjegjësi shumë e madhe për Shqipërinë. Në këtë kontekst, reformat dhe vetëm reformat do të bëjnë të mundur që Shqipëria të përmbushë detyrimet.
Me kënaqësi mund t’ju informoj se, që nga Samiti i Bukureshtit e deri tani, në fushën e reformave ka zhvillime nga më të rëndësishmet. Parlamenti brenda dy apo tre ditëve do të vendosë për reformën zgjedhore. Së shpejti do të finalizohet fituesi për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
Lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, me rezultate konkrete dhe të konsoliduara, mbeten përparësitë më madhore të qeverisë sime. Dje, ne përuruam prokurimin elektronik dhe po instalojmë procedura që parandalojnë korrupsionin. Ne kemi pasur rezultate impresionuese në këtë fushë.
Shqipëria ka administratën më të vogël në Evropë dhe kemi shkurtuar shpenzimet operative nga 3 për qind në 2 për qind të GDP-së, kemi rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit nga 22 për qind në 27 për qind të GDP-së dhe në fund të këtij viti do të kalojë në 28 për qind. Lufta ndaj korrupsionit vazhdon.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë ecin me shpejtësi drejt shndërrimit të tyre në një ushtri tërësisht profesionale
Por, a do të jetë Samiti i ardhshëm që do të vendosë për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë, këtë do ta them kur të mbahet Samiti.
Pyetje: Zoti Topolanek, a mendoni se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i përmirësojë më tepër marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Çekisë?
Kryeministri Topolanek: Dua të theksoj se këto dy gjëra nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Padyshim që Çekia, pas një diskutimi të madh që do të bëhet publik dhe politik në Çeki, shpresoj dhe jam i bindur se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por dua të theksoj edhe një herë se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe marrëdhënia më Shqipërinë nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.
Kryeministri Berisha: Edhe unë dua të pohoj se në marrëdhëniet dypalëshe të Shqipërisë me vendet mike problemi i Kosovës nuk ka ndonjë ndërhyrje.
Pyetje: Zoti Berisha, duket se nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike po dalin dy lista që mbështesin dy variante të ndryshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Cilën nga këto dy variante mbështet Kryeministri i Shqipërisë?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se gjithçka është e qartë. Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur dje të votojë paketën e miratuar nga komisioni i ligjeve. Ky është vendimi politik i kryesisë së PD-së. Lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, unë kam qenë avokat i zgjedhjes së Presidentit nga populli, por në pamundësi për të realizuar një gjë të tillë, nenin me 3/5 unë e konsideroj një nën krize dhe pranoj variantin tjetër. Ju e dini tashmë që personalisht kam hequr dorë nga ambiciet presidenciale dhe dua të heq një nën krize për Kushtetutën e vendit. Grupi parlamentar ka vendosur që të mbështesë vendimin e kryesisë së Partisë Demokratike. Por, në rast se bëhen 94 vota për ta zgjedhur Presidentin nga populli, në kuadrin e paketës së ndryshimeve, ky zhvillim është shumë i mirëpritur.
Kryeministri Topolanek: Meqenëse jemi në një konferencë shtypi midis dy Kryeministrave të dy vendeve, unë doja të shtoja se dhe në partinë time, Partinë Demokratike ku unë bëj pjesë, ka mendime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të zgjidhet Presidenti.