E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Reformat e qeverisë po përmirësojnë imazhin e vendit

-Shqipëria potenciale të mëdha për investitorët e huaj dhe vendas 
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në konferencën e organizuar nga “Royal Edmond Institute”, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Bruksel me temë “Albania speeding up toward Euro-Atlantic integration. More NATO and more EU in Western Balkans”.

Kryeministri Berisha u prit në Royal Edmond Institute nga Ministri i Zhvillimit dhe Kooperimit të Belgjikës, zoti Charles Michel, me të cilin Kryeministri Berisha zhvilloi edhe një takim të shkurtër.


Në këtë konferencë merrnin pjesë personalitete të njohura, akademikë, njerëz të mendimit filozofik, gazetarë nga vende të ndryshme të botës dhe mediave më të rëndësishme të Europës.   
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha në këtë Institut prestigjioz të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, falenderoi veçanërisht Belgjikën për përkrahjen e vazhdueshme që ka dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe ndaj progresit që vendi ynë ka bërë në drejtim të aspiratave integruese për anëtarësimin në NATO dhe BE.    


Gjithashtu Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për rastin që iu dha për promovimin e imazhit të Shqipërisë në një mjedis, ku merrnin pjesë akademikët më të njohur të Brukselit, përfaqësuesit e botës së medias dhe shoqërisë civile. 
Kryeministri Berisha vlerësoi se reformat e ndërmarra dhe vendosmëria në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,  ka luajtur rol të rëndësishëm në ndryshimin e imazhit të Shqipërisë.  
Duke u ndalur në reformat ekonomike Kryeministri Berisha, vlerësoi se këto reforma janë të bazuara mbi një revolucion të vërtetë fiskal, duke shndërruar Shqipërinë në vendim me barrën fiskale më të ulët në Europë, me taksën e sheshtë 10 %, dhe me një rritje ekonomike 6 %.    


Kryeministri Berisha shtoi më tej se këto reforma janë të bazuara në një politikë për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj dhe vendas, të cilët mund të shfrytëzojnë maksimalisht potencialet që Shqipëriaofron  sidomos në minerale dhe turizëm.   
Qeveria shqiptare, u shpreh Kryeministri Berisha, ka objektiv kryesor konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat ishin kthyer në sistem dhe kanë dëmtuar në vitet e mëparshme imazhin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, por që sot nuk do të njohë hapa prapa, pra do të jetë një luftë e vazhdueshme mbi baza të qëndrueshme, dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend shumë tërheqëse për investitorët e huaj.    


“ Lufta kundër krimit të organizuar me zero tolerancë ka çuar në shkatërrimin e më shumë se 206 grupeve  dhe organizatave kriminale, si dhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të 880 pjesëtarë të këtyre organizatave kriminale kudo që ata ndodheshin, në Shqipëri apo edhe në vende të tjera. Shqipëria në 15 vitet e pluralizimit politik dhe ndërtimit të vlerave të lirisë ka hasur vështirësi serioze,  por ju siguroj se Shqipëria ka shënuar ndryshime më shumë se çdo vend tjetër që ka ndryshuar sistemin politik në këto vite”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Shqipëria, vijoi më tej Kryeministri, është anëtare e Këshillit të Europës, një partner shumë solid i NATO-s dhe që po ndërmerr të gjitha reformat e nevojshme për të merituar ftesën për në samitin e NATO-s për t`iu bashkuar Aleancës së Atlanitkut. Gjithashtu, Shqipëria po merr të gjitha masat pozitive për zbatimin e MSA-së me vendet anëtare të BE-së.

“Sot Shqipëria me trupat e saj ka marrë, dhe merr pjesë në misionet paqëruajtëse në Ballkan, Afganistan, Irak dhe po përgatitet të çojë trupa në Darfur. Gjithashtu Shqipëria është duke kaluar në proces reformimi të ushtrisë për krijimin e një ushtrie të vogël, por të mirëpajisur dhe profesioniste, një ushtri që do të jetë gjithmonë partnere e NATO-s që do t`i shërbejë ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë”, vijoi Kryeministri Berisha.

Kryeministri vlerësoi se Shqipëria po ecën në rrugë të mbarë drejt moshës dixhitale, duke e vënë theksin në projektin e pajisjes së të gjitha shkollave të mesme me laboratore informatike. Gjithashtu Kryeministri theksoi se është ecur përpara në këtë drejtim edhe në dixhitalizimin e shërbimeve dhe procedurave të ndryshme. Në bashkëpunim me Koorporatën  e Sfidës së Mijëvjeçarit janë realizuar e-procurement, doganat në mnëyrë elektronike dhe po ecet me procedurat e tjera.

Duke u ndalur në bashkëpunimin politik në vend, Kryeministri Berisha theksoi se forcat politike të përfaqësuara në parlamentin shqiptar kanë afirmuar vullnetin e mirë politik për të krijuar një klimë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për të zhvilluar me sukses reformat në sistemin gjyqësor dhe sistemin electoral me qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
 “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të thotë për ne mbi të gjitha një demokraci efektive, vendosje e shtetit ligjor, një ekonomi e tregut funksional dhe tranformim i Forcave të Armatosura”, deklaropi Kryeministri Berisha. 

Në lidhje me çështjen e Kosovës, Kryeministri Berisha theksoi se zgjidhja e statusit të Kosovës është një parakusht thelbësor për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin dhe më gjerë.
 Qeveria shqiptare, vijoi më tej Kryeministri Berisha, ka mbështetur dhe do të mbështesë projektin e Presidentit Ahstiaari si projekti më i mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në këtë projekt përfshihen edhe standardet më të mira për të drejtat dhe liritë e minoriteteve, standarde që nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër.


Më tej Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjidhja e statusit të Kosovës do të çojë edhe në ndarjen e Serbisë nga shkuara e saj e hidhur, ideja e saj për Serbinë e Madhe dhe do të lehtësojë integrimin europian që ajo meriton.
Kryeministri Berisha tha se  Shqipëria do të mbajë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me shtetin e ri të Kosovës dhe do të bëjë ç` është e mundur për t`i ofruar ndihmën e tij shtetit të ri të Kosovës edhe në rast të një embargoje nga ana e Serbisë. Kryeministri theksoi se Shqipëria do të bëjë ç`është e mundur nëpërmjet porteve dhe aeroporteve të saj për ta ndihmuar Kosovën.      
       
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›