E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ekziston një klimë pozitive bashkëpunimi ndërmjet forcave politike në vend për realizimin e reformave

Kryeministri Berisha u takua sot në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm te Këshillit te BE-se, zotin Javier Solana

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Javier Solana me progresin e reformave ekonomike dhe politike në vend. Në mënyrë të veçantë kryeministri u ndal në arritjet e reformave në sektorin ekonomik dhe revolucionin fiskal si rezultat i të cilave,  është shënuar një rritje ekonomike vjetore  prej 6% dhe tashmë Shqipëria renditet në vendin me barrët fiskale më të ulët  në Evropë.

Ndër të tjera, Kryeministri e njohu zotin Solana me rezultatet e masave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e një klime të përshtatshme për investuesit e huaj. Kryeministri theksoi se sistemi fiskal ne vend, si dhe lufta e pakthyeshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar, informalitetit, etj, kanë bërë që një numër i madh kompanish të rëndësishme të investojnë, ose të projektojnë investimet e tyre në Shqipëri.

Kryeministri Berisha theksoi se tashmë ekziston një klimë pozitive bashkëpunimi ndërmjet forcave politike në vend, si dhe një frymë e gjerë konsensusi  ndërmjet pozitës dhe opozitës për realizimin e reformave të domosdoshme për integrimin në NATO dhe BE

Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha e njohu zotin Solana me ecurinë pozitive të implementimit të MSA-së. Nga ana e tij, zoti Solana u shpreh se shpreh se po punohet për të ratifikuar sa më shpejt këtë marrëveshje, në vendet që kanë mbetur ende pa e ratifikuar.

Gjatë këtij takimi, Zoti Solana ripërsëriti mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Duke vlerësuar ecurinë e zhvillimeve ekonomike dhe politike në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së u shpreh se është e domosdoshme që të vazhdohet me këto ritme. Zoti Solana inkurajoi Kryeministrin Berisha që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave, duke veçuar të një rëndësie të veçantë, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Be-së Solana vlerësoi frymën e bashkëpunimit mes forcave politike në Shqipëri dhe mirëpriti rezolutën e fundit të miratuar nga parlamenti shqiptar për implementimin  e reformave. Zoti Solana nënvizoi se është i rëndësishëm vullneti për një dialog politik, konstruktiv dhe bashkëpunues me qëllim thellimin e progresit të brendshëm në vend  përmes rezultateve konkrete.

Më pas, biseda u përqendrua në diskutimin për çështjen e Kosovës. Eshte shume e rëndësishme theksoi zoti Solana, që në këtë moment Shqipëria të vazhdojë rolin e saj konstruktiv dhe moderator. Kryeministri Berisha u shpreh Serbia nuk duhet të manipuloje serbët në Kosovë, por ti lejojë ata të jetojnë në paqe me shqiptarët, si dhe e siguroi zotin Solana se qeveria  shqiptare do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në këtë aspekt.

Kryeministri siguroi gjithashtu, se qeveria shqiptare do të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me BE dhe NATO, për të koordinuar hapat e mëtejshëm deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›