Kryeministri Berisha: Republika Federale Gjermane, donatorja më e madhe e Shqipërisë

Kryeministri Berisha përuroi nënstacionin e ri 110/20kv të Gjirokastrës dhe rrjetit shpërndarës 20kv të tij me vlerë 3.7 milionë euro, i financuar nga qeveria gjermane.
Duke i shprehur mirënjohjen e thellë ambasadës gjermane në Tiranë, ambasadorit dhe stafit të tij, qeverisë gjermane, të cilët bënë të mundur realizimin në një kohë record të këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për qytetin e Gjirokastrës , por për jugun e vendit në tërësi.
Republika Federale Gjermane tha Kryeministri, i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndihmën më të madhe për frymë në botë. “Kjo ndihmë në aspektin financiar ka kaluar 700 milionë euro, por ndihma ka qenë po kaq e fuqishme në rrafshin politik, teknik, ekonomik dhe të gjithanshëm”, vlerësoi Kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se vetëm në rrjetin elektrik të jugut të vendit Gjermania ka investuar dhe do të investojë 10 miliardë lekë apo rreth 86 milionë euro.
Nëncetrali i sotëm, theksoi Kryeministri, së bashku me investimet në Bistricë dhe në fshatrat e jugut kap vlerën 36 milionë euro. “Për projektin e dytë, unazën e jugut, janë marrë të gjitha vendimet për t`u investuar dhe Banka Gjermane për Zhvillim ka një investim 50 milionë euro”, nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri shprehu bindjen se ndihmën bujare të këtij kombi të madh dhe mik, e kanë ndjerë dhe e ndiejnë mbarë qytetarët shqiptarë.
“Këto ndihma janë të adresuara në problemet më themelore me të cilat përballen qytetarët shqiptarë në furnizimin me energji, furnizimin me ujë dhe në shumë aspekte të tjera. Projektet e ndihmnës gjermane për zhvillim mbulojnë të gjithë territorin e vendit nga Saranda në Theth, Kukës, Krumë e kudo. Faktikisht ato kanë ndryshuar ndjeshëm jetën e qytetarëve shqiptarë”, tha Kryeministri Berisha duke uruar banorët e Gjirokastrës për nënstacionin e ri, i cili stabilizon furnizimin me energji të qytetit.
“Kam kënaqësinë që unë së bashku me ambasadorin gjerman inaugurojmë sot këtë nëncentral të rëndësishëm për Gjirokastrën në prag të një vizite që unë e vlerësoj jashtëzakonisht të rëndësishmne. Unë do të shkoj me kënaqësi të madhe me ftesë të kancelares Merkel në Gjermani. Ky është një nder shumë i madh për mua, por është një nder i madh për të gjithë shqiptarët. Do t`i shpreh kancelares falenderimet për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për të ndërtuar demokracinë, ekonominë e tregut dhe për t`u integruar në institucionet europiane dhe euroatlantike”, u shpreh më tej Kryeministri.