Kryeministri Berisha inspekton punimet për restaurimin e qendrës historike të Gjirokastrës
Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet për restaurimin e qendrës historike të Gjirokastrës investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet UNESCO-s.
Kryeministri Berisha vlerësoi se realizimi i projektit të restaurimit të monumenteve historike po i jep qytetit të Gjirokastrës pamjen që meriton.
“ Këto projekte po i japin gjallëri qytetit. Një investitor privat ka rinovuar hotel Çajupin dhe e ka shndërruar atë në një hotel shumë modern që plotëson të gjitha kërkesat e turistëve”, u shpreh Kryeministri.
Duke vlerësuar punën e Bashkisë së Gjirokastrës për shtimin e ambjenteve të gjelbërta në pjesën muzeale, Kryeministri garantoi bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e kësaj bashkie për ta ngritur Gjirokastrën në piedestalin që e kanë ngritur me mundin, djersën dhe mendjen, banorët e saj.
Kryeministri theksoi se rrënimet që kanë ndodhur duhet të riparohen me shpejtësi, ndërsa theksoi se duke ruajtur trashëgimninë e shkëlqyer të saj qendra historike e Gjirokastrës do të pajiset edhe me parkingje për banorët dhe vizitorët e saj.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Gjirokastra po rindërtohet dhe po rikthehet në të gjithë bukurinë, madhështinë që ky qytet ka patur. Vlerat e saj arkitekturore po ripërtërihen. Ky qytet i ka dhënë kombit dhe botës dy personalitete gjeniale. Njërin në letra; Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve.
Në këtë aspekt gëzohem që puna për rikonstruksionin e shtëpisë së tij po ecën dhe do t`i kërkoja kryetarit të Bashkisë që t`a shndërrojë këtë shtëpi në një nga shtëpitë më të bukura muze të vendit sepse jam i bindur se çdo shqiptar, çdo europian, çcdo qytetar i huaj që do të vijë në Gjirokastër kërkon para së gjithash të vizitojë shtëpinë e Kadaresë.
Gjirokastra i ka dhënë botës Kapo Distrian, njërin prej statistëve më të mëdhenj të kohërave, njeriu që me gjeninë e tij politike udhëhoqi dhe drejtoi për një kohë të caktuar vendin mik, por edhe njeriu që i ka dhënë Zvicrës kushtetutën. Kapo Distria ka qenë një mendje e ndritur në politikën e kohës. Ne mendojmë se koha vetëm tani është globale, por jo. Historia e tij është jashtëzakonisht interesante, ka një kontribut të madh për shumë kombe, ka kontribuar edhe për Rusinë. Ka patur detyra nga më të ndryshmet. Ka një shtëpi z. kryetar i Bashkisë dhe mendoj që edhe ajo shtëpi duhet të nderohet dhe të kthehet në muze.
Natyrisht nuk ka qytet, nuk ka familje, nuk ka komb, nuk ka vend që të ketë gjithçka të mirë. Në këtë kontekst edhe Gjirokastra ka patur një nga figurat më gjakësore të Europës së pasluftës, por atë po ua lëmë të tjerëve.
Ne po nderojmë këtu ata burra të mëdhenj që kanë ndërtuar këtë qytet kaq të bukur. Ndiej një kënaqësi të veçantë që ne po e rindërtojmë. Jam shumë i vendosur t`i japim gjithë gjallërinë që ka patur t`i shpërngulim të gjitha ndërmarrjet e shtetit nga pjesa e poshtme për të jetuar në zonën muzeale sepse këtu është qendra, këtu është zemra e qytetit.
Të dalin të gjithë këtu sepse qyteti këtu e ka qendrën, por të gjithë të tjerët pa përjashtim do të dalin të banojnë këtu sepse ka vend për të gjithë. Më informojnë se edhe shtëpia e gjuhëtarit të madh, studieusit, shkencëtarit që me studimet dhe hulumtimet e tij bëri aq shumë për etnogjenezën e shqiptarëve Eqrem Çabej, po shndërrohet në muze. Shqiptarët e duan dhe e nderojnë atë, por atë e nderojnë të gjithë albanologët e botës.
Dua të përgëzoj kryetarin e Bashkisë për punën e vyer, zbatimin e projektit, për idetë që ke mbrojtur në interes të qytetit dhe ta garantoj se qeveria do të mbështesë çdo projekt të bashkisë Gjirokastrës.
Ne jemi shumë të vendosur të investojmë dhe më vjen mirë që investimet janë rritur. Janë shumë më të mëdha se ç`kanë qenë dhe do të jenë më të mëdha. Krahasimet duhet t`i bëjmë me veten.