Kryeministri Berisha takohet me një grup personalitetesh të sportit të peshëngritjes.
Kryeministri Berisha takoi sot një grup personalitetesh të sportit të peshëngritjes, i përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar të Italisë, z. Raffaele Pagnozzi, Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, z. Antonio Urso, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, z. Marino Ercolani Casadei si dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, z. Esat Ademi.
Kryeministri Berisha i falenderoi personalitetet e sportit të peshëngritjes për mbështetjen që i japin Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe për organizimin e suksesshëm të Kampionatit të Peshëngritjes për të Rinj i cili u zhvillua, gjatë kësaj jave, në Durrës.
Miqtë e falendëruan Kryeministrin Berisha dhe qeverinë që ai kryeson për kujdesin që tregon për këtë sport dhe mbështetjen për organizimin e kampionatit. Njëkohësisht, ata e informuan dhe i kërkuan mbështetje Kryeministrit për një projekt ambicioz për ndërtimin e një qendre moderne olimpike në qytetin e Shkodrës.
Kryeministri Berisha i përgëzoi bashkëbiseduesit për iniciativën dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të qeverisë për realizimin e këtij projekti në bashkëpunim me Bashkinë, Shkodër.