Kryeministri Berisha: Investimet e qeverisë për fshatin, 12 herë më të larta se në qeverisjen e mëparshme
Në vijim të turit të inaugurimit të disa veprave publike në komunën Katund i Ri në rrethin e Durrësit, Kryeministri Berisha u ndal në përurimin e përfundimit të punimeve në rrugën Sallmon-Katund i Ri, me gjatësi 5.1 km.
Gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me banorët e kësaj komune, Kryeministri Berisha theksoi se vetëm gjatë ditës së sotme u inaugurua asfaltimi i 15 km rrugë, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i rrugës Xhafzotaj-Fllakë që zgjatet deri në bregdet.
Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për të bërë çdo investim në mënyrë që t`u garantohet fermerëve në mbarë vendin një infrastrukturë e njëjtë me ato të zonave urbane.
Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se vetëm nëpërmjet grantit të Ministrisë së Brendshme këtë vit qeveria ka vendosur për rrugët e fshatrave të Shqipërisë, një fond 12 herë më shumë se në vitin 2004.
Kryeministri veçoi faktin se vetëm brenda këtij viti janë ndërtuar 1600 km rrugë në zonat rurale.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Për komunën tuaj, për qarkun e Durrësit, për vendin në tërësi sot është një ngjarje e shënuar. Me ministrin Olldashi, deputetin e zonës Metalla, kryetarin e Komunës Hilë Priska dhe së bashku me ju, prefektin dhe kryetarin e Qarkut ne inauguruam në një hark të shkurtër kohor 15 km rrugë automobilistike të standardeve më të mira, rrugë të cilat lidhin komunën tuaj me detin, lidhin fshatrat e komunës tuaj me rrugën kryesore, lidhin komunën me akset kombëtare. Po në këtë komunë nis brenda dy-tre javëve ndërtimi i rrugës që kalon Xhafzotaj-Flakë dhe deri në bregdet. Ne siç e shihni jemi të vendosur të bëjmë çdo investim t`ju garantojmë ju fermerëve të Katundit të Ri, por edhe mbarë fermerëve të Shqipërisë, infrastrukturën njëlloj si zonave urbane.
Ju dhe të gjithë fermerët e vendit keni specifika të veçanta të jetës tuaj të përditshme, e cila në tërësi është një jetë e lodhshme, por qeveria do të bëjë çdo gjë që ju të keni rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, njëlloj sikundër të ishit lagje të një qyteti. Sot ne inauguruam 15 km rrugë të marra së bashku, por unë dua t`ju informoj se vetëm nëpërmjet grantit të Ministrisë së Brendshme këtë vit ne kemi vendosur për rrugët e fshatrave të Shqipërisë 12 herë më shumë se në vitin 2004 apo në vitin 2005. Kush të dojë le t`u referohet të dhënave. Janë dhënë 500 milionë lekë në vitin 2004 dhe 500 milionë lekë në vitin 2005. Janë 6 miliardë lekë nga kjo ministri këtë vit për rrugët e fshatrave dhe komunave, por nuk janë vetëm këto 6 miliardë. Janë shumë më tepër nga Ministria e Punëve Publike. Rruga që inauguruam Katund i Ri-Shënavlash është e ndërtuar nga Ministria e Punëve Publike si rrugë dytësore.
Ne kemi ndërtuar në zonat rurale rreth 930 km rrugë të asfaltuara. Në zonat fshatare janë ndërtuar rrugë dytësore të standardeve më të mira rreth 610 km të tjera nga Ministria e Punëve Publike. Pra ne shkojmë në rreth 1600 km rrugë në zonat rurale brenda këtij viti.
Këtu në komunën tuaj nis njëra nga rrugët e projektit të 4 mijë km rrugë rurale që është rruga Xhafzotaj-Fllakë dhe zbret në bregdet. Ne po investojmë shuma të pakrahasueshme dhe kjo sepse ne po i vjelim taksat dhe nuk po i vjedhim ato siç i vidhte qeveria e mëparshme. Ne kemi vjelur në tre vjet 3.3 miliardë dollarë më shumë se sa qeveria e mëparshme dhe i kemi ulur taksat më shumë se kushdo tjetër në Europë.
Nga dolën këto para? Ato u shpëtuan duarve të zeza të hajdutëve dhe përfunduan në portofolin tuaj të dytë që është buxheti i shtetit. Ne po i kthejmë ato në rrugë , shkolla e kanalizime. Kudo që shkoj sot kam një kënaqësi të veçantë. Jo vetëm ndërtojmë shkolla të reja të standardeve më të mira në fshatrat më të largëta, por ngremë kudo kabinetin e informatikës.Tre vjet më parë mediat e kontrolluara nga opozita u tallën dhe përqeshën nismën time; për internetin në çdo shkollë të Shqipërisë. Ajo po bëhet realitet dhe unë kam kënaqësinë që brenda këtij viti nuk do të ketë fëmijë në Shqipëri që kompjuteri të jetë për të mollë e ndaluar. E varfër apo e pasur qoftë familja e tij, fëmija do të ketë të drejtën të lundrojë në kompjuter, do të ketë kompjuterin në shkollë për të mësuar njëlloj si gjithë të tjerët. Këtë do ta thellojmë dhe më tej.
Shqipëria sot ka vlerë më shumë se kurrë. Ka marrë ftesën dhe po shkon drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Shqipëria ka vendosur një disiplinë fiskale pa të cilën nuk ka zhvillim . Asnjë komb i lirë nuk mund të zhvillohet nëse zyrtarët e tij ia bëjnë rrush e kumbulla taksat e qytetarëve. Është kjo disiplinë fiskale që ka bërë që ne në tre vjet të vjelim 290 miliardë lekë më shumë se qeveria e mëparshme. Po shikoja mbrëmë të ardhurat nga akcizat, nga kafeja, nafta dhe cigaret. Në tre vjet të qeverisë së mëparshme ishin 36-37 miliardë, në tre vitet e fundit ishin 90 miliardë lekë. Mendoni ju se shqiptarët trefishuan pirjen e kafesë? Absolutisht jo, as të duhanit. Por këto para nuk i marrin më hajdutët t`i ndajnë me qeveritarët, por kalojnë në arkën e buxhetit të shtetit kthehen në rrugë, kthehen në shkolla, në kanalizime, në pensione, në rroga. Po përpiqemi që t`i kthejmë të gjitha në një mirësi për qytetarët shqiptarë.
Vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe prapë dua t`ju siguroj se i gjithë përqendrimi im maksimal është dhe do të mbetet në kushtet e jetës tuaj. Ne nuk mund të ndërtojmë shtëpi, ne nuk mund të punojmë tokën e askujt, por ne do të përpiqemi që të krijojmë kushte që qytetarët shqiptarë të ecin në rrugë të standardeve europiane njëlloj si qytetarët europianë, do përpiqemi që të liberalizojmë vizat dhe të ecim kudo në Europë si qytetarë të këtij kontinenti. Do përpiqemi që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla moderne , që fshatrat dhe qytetet tuaja të furnizohen me ujë, të keni pra ato standarde jetese që duhet të kenë qytetarët e një vendi të lirë dhe të zhvilluar.
Opozita, kryetari i saj ka bërë një zgjedhje fatale, zgjedhja e tij është unike në planet, ngujimi në muze. Ti nuk mund të mburresh me lavdinë e të tjerëve, sepse lavdia e të tjerëve në fund të fundit është monolog me të shkuarën. Sado që të mund të fanepsin objektet muzeale e ardhmja është krejtësisht dhe duhet të jetë e destinuar krejt tjetër.
E keni vënë re se si flet i shkëputur nga çdo realitet shqiptar? Sot unë deklaroj këtu dhe së bashku me ju inauguroj 15 km rrugë, pasdite do të dalë e do të thotë se nuk është e vërtetë dhe nuk u inauguruan. Deklarojmë se janë rritur rrogat e mësuesve me 75 % . Nxjerr megafonët e tij të mashtrimit dhe thotë se kjo s`ka ndodhur kurrë. Po në qoftë e nuk ka ndodhur më gjej një mësues të vetëm që të thotë se nuk ka ndodhur kjo. Lëre mënjanë teorinë e hurit të kuq se shqiptarët as kanë qenë as bëhen ndonjëherë hunj të kuq, por nga inteligjenca janë të njohur dhe të shquar. Prandaj mos u servir mashtrime e trillime përditë! Dil nga muzeumi dhe njihu me realitetin! Kjo është thirrja ime për kryetarin e opozitës.
Përsa u përket protestave që vjen dhe bën para zyrës time le të vijë dhe në zyrën time, por në karrige nuk ka shanse të ulet sepse shqiptarët nuk e votojnë.