E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguroi sot një sërë rrugësh në komunën Katundi i Ri

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Shenavlash-Fshati Rinia, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 50 milionë lekë.

Kryeministri theksoi qeveria aktuale ka trefishuar grantin konkurues për fshatin në krahasim me qeverinë e mëparshme.

 “Inaugurojmë sot këtë rrugë prej 7.1 km e cila zbret deri në breg. Është  një rrugë e projektit tonë të përparësimit të të gjitha rrugëve që lidhin akset kombëtare me detin në mënyrë që pasuritë e mëdha të bregdetit dhe detit të mund të bëhen sa më të disponueshme për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri theksoi më tej se ndërtimi i rrugës përbën një lehtësim të madh për daljen e fermerëve të kësaj zone në tregun e Tiranës dhe Durrësit.  
“Ne jemi të përqëndruar në zhvillimin e qëndrueshëm rural. Ata që e konceptojnë fshatin pa zhvillimin e qëndrueshëm rural kanë një koncept të paktën një shekull mbrapa”, nënvizoi Kryeministri.

Zhvillimi vërtetë i Shqipërisë, u shpreh më tej Kryeministri, kalon nëpërmjet modernizimit të rrugëve, shkollave,  ujësjellësve dhe kanalizimeve në të gjitha fshatrat. Fshati duhet të ndiejë se pavarësihst se ku është i vendosur ka kushte themelore përafërsisht të njëjta me zonat e tjera të vendit. Kjo është politika jonë ndaj fshatit.

Në këtë kontekst Kryeministri shtoi se nga viti 2005 deri më sot qeveria ka trefishuar grantin konkurues për fshatin, ndërsa vlerësoi se investime të mëdha ka bërë Ministria e Punëve Publike, e cila po ndërton një seri rrugësh që lidhin zonat rurale me akset kombëtare të rrugëve. “Kjo është një nga ato rrugë të ndërtuara nga Ministria e Punëve Publike. Këtu ka vepra nuk ka nevojë për fjalë”, u shpreh më tej Kryeministri. 

Në vijim të turit të inaugurimeve të veprave publike në Komunën Katund i Ri në rrethin e Durrësit, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës së Shahijnave, dhe të rrugës së Çokajve, investime që kapin vlerën e 20 milionë lekëve. 
Kryeministri Berisha përgëzoi kryetarin e Komunës së Katundit të Ri, Hilë Priska për përdorimin me efiçencë të të madhe të fondeve të komunës për urbanizimin e saj.
Duke  vlerësuar cilësinë e punimeve, Kryeministri tha se këto rrugë janë të denja për një lagje qyteti. “Dje ne ishim në Laknas dhe ju e patë se si dolëm nga rruga e komunës e asfaltuar në rrugën me baltë të kryeqeytetit. Kjo ndodh sepse kryetari i PS-së dhe kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës është absorbuar i tëri në muzeum. I vetmi njeri në botë që me komplekset e tij fle në muzeum dhe pretendon të bëhet lider, por lider nga muzeumi nuk bëhesh kurrë, sepse muzeumi sado glorioz, është e shkuar”, tha Kryeministri.

Pyetje:  Zoti Berisha, kryesia e PBDNJ-së ka vendosur largimin e ministrit Kosta Barka . Ju keni marrë një vendim?


Kryeministri Berisha: Sapo të marr kërkesën unë do ta shqyrtoj. Ky është një koalicion që funksionon mbi bazën e marrëveshjeve ndërpartiake.
Kur unë jam në inaugurime nuk mund të merrem me kinezërira. Ju e patë mbrëmë protestën e opozitës që të kujtonte revolucionin kulturor kinez. Ata të kujtonin marshimet e vitit 1967. Aty pashë vetëm lejfenë.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›