E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Saranda do të bëhet një nga qendrat më të mëdha të turizmit në Shqipëri, Ballkan e më gjerë

- Vitin e kaluar, në Shqipëri, kanë hyrë 2.7 milion vizitorë, kundrejt 300 mijë gjithsej gjatë gjithë vitit 2004

Kryeministri Berisha po zhvillon sot një vizitë në Sarandë, me rastin e çeljes së sezonit turistik për vitin 2009. Nga ky qytet, Kryeministri përshëndeti hapjen e sezonit turistik në vend dhe uroi qytetarët e Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë për një sezon turistik edhe më të suksesshëm.

“Së bashku, ne çelim sezonin turistik të Sarandës dhe mbarë Shqipërisë. Sezon, në të cilin Saranda, bregu, Vlora, Durrësi, Velipoja, Shëngjini, Ksamili, i tërë bregdeti shqiptar përgatitet të presë miliona qytetarë dhe qytetare nga vende të ndryshme nga mbarë bota, t’u ofrojë atyre mikpritjen e shkëlqyer shqiptare, t’u ofrojë atyre pasuritë e mëdha kulturore, shpirtërore, fetare dhe të gjithanshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve, t’u ofrojë ujërat më të kthjellëta më të pastra, t’u ofrojë shërbimet më të mira,” u shpreh Kryeministri, drejtuar qytetarëve të Sarandës.

Kryeministri tha se falë mikpritjes shqiptare dhe mbështetjes që qeveria i ka dhënë zhvillimit të gjithanshëm të vendit, veçanërisht turizmit, vitin e kaluar, në Shqipëri, kanë hyrë 2.7 milion vizitorë, kundrejt 300 mijë gjithsej gjatë gjithë vitit 2004 dhe vetëm Saranda, në verën e kaluar, ia dalë të presë 300 mijë turistë, aq sa kishin hyrë në Shqipëri, gjatë vitit 2004.

Hapja e sezonit turistik, tha më tej Kryeministri, do të punësojë qindra të rinj në sektorin e shërbimeve dhe qindra e qindra milion euro do të shpenzohen nga turistët në Sarandë dhe mbarë Shqipërinë.

“Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - ka potenciale të mëdha zhvillimore, por potencialin e të gjitha potencialeve Shqipëria e ka në turizmin e saj, e ka në Sarandë, në bregdet, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shëngjin etj..”

Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e çeljes së sezonit turistik. Kryeministri vizitoi panairin përgjatë shëtitores së qytetit, në stendat e ndryshme të të cilit ishin ekspozuar punime artizanale nga Saranda dhe zonat përreth, piktura dhe punime të fëmijëve nga Qendra Kulturore e Sarandës. Kryeministri u ndal në stendën e fondacionit Lidia, ku ishin ekspozuar fotografi të rreth 80 monumenteve të kulturës së Sarandës dhe Delvinës. Kryeministri Berisha i përgëzoi për ekspozitën dhe u kërkoi të shihnin mundësitë që ekspozita të qëndronte e hapur gjatë gjithë vitit dhe t’i shërbente turistëve si një guidë.

Kryeministri Berisha vizitoi më tej Muzeun Arkeologjik dhe Zyrën e Informimit Turistik. Kryeministri përgëzoi punonjësit e saj për promovimin e potencialit turistik të Sarandës dhe për inkurajimin e turistëve për të ardhur në Shqipëri.

“Ne e çelim këtë sezon në kushte të pakrahasueshme më të mira, pasi lajmi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, lajmi i pranimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian janë dy lajme pozitive që Shqipëria i përcjell mbarë botës. Këto janë dy lajmet e përcjella nga të gjitha agjencitë dhe mediat e botës. Kështu, që çdo njeri që tani sheh në hartën e Ballkanit dhe Europës dhe ndalet të Shqipëria, ndalet në një vend anëtar të BE-së,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha u takua me qytetarë të shumtë dhe u konfirmoi vullnetin e tij dhe të qeverisë që ai drejton për ta kthyer Sarandën në një nga qendrat më të mëdha të turizmit jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan e më gjerë.

Kryeministri tha se edhe përpjekjet në këtë drejtim duhet të jenë shumë më të mëdha dhe u ndal në një aspekt të rëndësishëm të imazhit turistik, mjedisi i pastër. "Unë ftoj të gjithë autoritetet vendore që pastërtinë e Sarandës ta marrin shembull për qytetet dhe plazhet e tyre.  Asgjë nuk cenon më shumë imazhin e sezonit turistik, sesa një mjedis i papastër. Ndaj kjo periudhë e shkurtër që ka mbetur të përdoret nga të gjitha autoritetet vendore për një pastrim të përgjithshëm të të  gjithë territorit.”

Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ardian Turku.


02/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›