Zëvendës/presidenti i KE-së Barrot: Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt Bashkimit Europian
Kryeministri Berisha mirëpriti sot Zëvendës/presidentin e Komisionit Europian, z. Jacques Barrot. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Barrot bënë publike në një konferencë për shtyp bisedimet mes tyre.
Kryeministri Berisha: Me Zëvendës/presidentin e Komisionit Europian, z. Jacques Barrot, patëm një diskutim të zgjeruar mbi të gjitha problemet e bashkëpunimit të Shqipërisë me Komisionin Europian, mbi reformat dhe përpjekjet tona për integrimin në Bashkimin Europian.
Për mua ishte një rast i veçantë për të falënderuar zëvendës/presidentin e Komisionit Europian, për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar, financiare, teknike dhe të gjithanshme që Komisioni Europian dhe vendet anëtare i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë.
Vizita e Zëvendës/presidentit Barrot vjen vetëm pak ditë pasi Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarë të Bashkimit Europian. E falënderova atë për mbështetjen që i ka dhënë këtij akti Komisioni Europian, vendet anëtare dhe kryesia e radhës e BE-së. Sikundër, e sigurova z. Barrot se unë dhe qeveria ime e marrim këtë proces si një proces shumë serioz, i cili duhet të jetë para së gjithash dhe mbi të gjitha i bazuar në performancën, i bazuar jo thjeshtë në reformat, por në suksesin e tyre në të gjitha fushat, reforma që duhet të zhvillojnë dhe konsolidojnë në Shqipëri normat, standardet, kriteret e përbashkëta të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Zëvendës/presidenti Barrot mbulon në Komisionin Europian çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të drejtësisë. Unë e njoha me të gjitha rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri, luftë e zhvilluar me tolerancë zero nga qeveria ime, me vendosmërinë për të konsoliduar dhe çuar më tej këtë luftë, me rezultatet e arritura në luftën me format e reja të krimit, siç është krimi financiar, pastrimi i parave, etj., me vlerësimet e bëra nga Institucioni Mbikëqyrës i OKB-së për trafikun e drogës, i cili vlerëson se Shqipëria nuk është më një rrugë kryesore për këtë fenomen.
E njoha z. Barrot me luftën kundër korrupsionit dhe rezultatet e arritura në këtë luftë, në përmirësimin e madh të klimës së biznesit dhe fluksin e ri të investimeve që po vjen drejt Shqipërisë.
Natyrisht, shqiptarët kanë një dëshirë shumë të madhe, të lëvizin të lirë në kontinentin që i përkasin. Pata një kënaqësi shumë të madhe që Zëvendës/presidenti i KE-së, z. Jacques Barrot, i dorëzoi sot pasaportën e parë biometrike një qytetareje shqiptare. Vende të tjera i kanë lëshuar para nesh pasaportat biometrike, por pasaportat tona janë teknologjia më e mirë, më e sigurt dhe është padyshim një kusht i padiskutueshëm që ne të meritojmë lëvizjen e lirë.
Pasaportat biometrike nuk janë kushti i vetëm, por janë edhe një seri kushtesh të tjera, që ne po përpiqemi t’i plotësojmë, me seriozitetin më të madh, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Të tilla janë marrëveshjet e pranimit dhe ekstradimit dhe bashkërendimi i të gjitha agjencive tona të zbatimit të ligjit me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere.
Diskutuam gjerësisht për progresin e bërë në fushën e drejtësisë. Unë e njoha z. Barrot me rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe me penalizimet në këtë drejtim. Qeveria ime ka një vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin. Mbi 90 për qind e dosjeve të personave të penalizuar, kanë shkuar nga kjo qeveri. Unë e sigurova z. Barrot se nuk do të ketë asnjë hezitim ndaj cilitdo zyrtar i çdo niveli që shkel ligjin, apo që tenton të pasurohet duke përdorur në mënyrë të paligjshme pushtetin. Në tërësi, ekziston një përmirësim i pamohueshëm në çështjet penale. Nuk them se nuk ka pasur raste dëshpëruese, por ekziston një situatë krejt tjetër. Janë mbi 1000 anëtarë dhe bosë të bandave kriminale që janë arrestuar gjatë këtyre viteve. Pa qëndrimin ligjor të drejtësisë shqiptare kjo luftë nuk do të kishte pasur sukses.
E garantova z. Barrot se mbetem i vendosur për pavarësinë e sistemit gjyqësor, respektimin e plotë të tij. E garantova gjithashtu se qeveria do të bëjë çdo gjë për të ndihmuar hetimin, do të bëjë çdo gjë për të prerë lidhjet e krimit aty ku ato ndodhen.
Z. Barrot më siguroi se Komisioni Europian qëndron i vendosur për të mbështetur fuqishëm Shqipërinë në këtë përpjekje dhe në këtë betejë, si interesi më i mirë i shqiptarëve, por edhe i Bashkimit Europian, për një rajon të sigurt e të qetë.
Pra, mund të them se kemi pasur një identitet të vërtetë të pikëpamjeve, mendimeve dhe vizionit për zhvillimin dhe integrimin.
Edhe njëherë, dua të falënderoj shumë përzemërsisht zëvendës/Presidentin e Komisionit Europian, z. Jacques Barrot, për këtë vizitë shumë të rëndësishme.
Faleminderit shumë zoti Zëvendës/president Barrot”.
Zëvendës/presidenti i KE-së Barrot: Faleminderit që jeni të shumtë këtu. Faleminderit zoti Kryeministër që më dhatë fjalën. Është e vërtetë që ne folëm shumë lirisht me njëri-tjetrin dhe konstatuam së bashku arritjet shumë domethënëse të Shqipërisë në kohët e fundit.
Ju e dini që viti 2009 është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ju sapo jeni pranuar në NATO dhe pikërisht në këtë vit, keni bërë edhe kërkesën për kandidimin në bashkimin Europian dhe keni nënshkruar gjithashtu edhe marrëveshjen me Frontex për rishikimin e kufijve të jashtëm të Shqipërisë dhe sigurimin e tyre. Të gjitha këto janë momente shumë të rëndësishme për bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e BE-së dhe vetë BE-në.
E di shumë mirë, nga ana tjetër, që shqiptarët shpresojnë dhe urojnë që gradualisht dhe progresivisht të shkojnë drejt realizimit të dëshirës së tyre, që është lëvizja e lirë dhe derisa të hiqet përfundimisht viza nga detyrimi për të lëvizur. Unë nuk mund ta them sot se kur do të ndodhë pikërisht kjo gjë, por mund të them sigurisht se Shqipëria është duke avancuar në këtë drejtim dhe duke respektuar axhendës e parashikuar për të arritur në këtë rezultat. Kemi 5 kushte të mëdha për t’i plotësuar:
- së pari, është lufta kundër krimit të organizuar dhe sigurisht, dua të falënderoj Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe zotin Berisha, sepse kanë qenë vërtet energjikë në këtë drejtim, në luftën kundër drogës, krimit të organizuar, ku janë bërë vërtet përparime të mëdha, konkretisht me realizimin e disa mandat-arresteve të disa personave të inkriminuar dhe kjo në bashkëpunim të organeve përkatëse shqiptare me ato të vendeve anëtare të BE-së.
- së dyti, është lufta kundër korrupsionit. Sigurisht, edhe aty janë bërë arritje dhe një punë e madhe. Ka reforma shumë të rëndësishme, të cilat kanë filluar të japin frytet e tyre, por unë e inkurajova zotin Kryeministër se në këtë drejtim, duhet vazhduar ende lufta me përpjekje të mëdha.
- së treti, lufta kundër emigracionit klandestin dhe unë këtu, vërtet, dua të falënderoj Shqipërinë që ka bërë një përpjekje shumë të madhe në këtë drejtim dhe dëshmi për këtë janë reagimet e qeverisë italiane dhe autoriteteve greke që e pranojnë një gjë të tillë së fundmi. Qeveria ka pranuar dhe kjo është një tjetër gjë shumë pozitive, të zbatojë marrëveshjen e ripranimit, duke moskthyer të gjithë emigrantët klandestinë që hyjnë nga Shqipëria.
- së katërti, puna që bëhet me sistemin gjyqësor. Është e vërtetë që për ne kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj ecurisë në këtë drejtim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së, sepse dëshirojmë fort që drejtësia në të gjitha këto vende të jetë një shtyllë e fortë, jo vetëm e pavarur, por edhe e paanshme dhe e ndershme dhe për këtë ne falënderojmë Shqipërinë për përpjekjet që bën dhe them se ne e mbështesim shumë, shumë fort këtë lloj prirjeje.
- së pesti, ne kemi thënë që duhet të ketë një sistem shumë të mirë sigurie dhe këtu është rasti që t’i them bravo, bravo Shqipërisë për realizimin e pasaportave biometrike, të cilat sigurisht do të premtojnë dhe do të bëjnë të mundur që të ecet më shpejt drejt liberalizimit të vizave.
Së fundi, më lejoni dhe nëse zoti Berisha më lejon, t’i bëj një thirrje të gjithë shqiptarëve të shkojnë t’i marrin kartat e identitetit, të shkojnë të votojnë, sepse duke e kryer këtë ata tregojnë që përmirësojnë cilësinë demokratike të vendit të tyre dhe profili demokratik cilësor i një vendi është një ndër gjërat e rëndësishme që ne e marrim parasysh, sepse tregon pjekurinë demokratike të këtij vendi, i cili aspiron për t’u futur në BE.
Unë dua të theksoj se BE do të vazhdojë ta ndihmojë dhe ta mbështesë Shqipërinë në rrugën që ka nisur, sepse është në rrugë të mbarë. Në tre vitet në vazhdim, 160 milion euro, që nuk janë pak, do të jenë jo vetëm një ndihmë financiare, por do të vazhdojë me ndihmën teknike dhe mbështetjen. Në fakt, vizita ime këtë ka për qëllim, që t’ju shprehë juve mbështetjen e BE-së, për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e modernizimit, që një ditë do ta çojë në Europë.
Zoti Barrot, mund të na zbardhni ndonjë të dhënë paraprake për Shqipëri nga raporti i KE-së që do të publikohet në maj për vendet e rajonit?
Zoti Barrot: Raporti ende nuk ka përfunduar. Madje mund t’u them se edhe vizita ime do të sjellë elemente të reja informativë në këtë raport. Nga ana tjetër, dua t’ju them se ky raport do të debatohet në mënyrë shumë publike. Zoti Berisha insistoi shumë fort që kur të vijë puna për debatimin e këtij raporti kjo të bëhet në mënyrë sa më transparente, sa më publike dhe sa më të hapur dhe unë ju premtoj se kështu do të bëhet. Ju premtoj se do të jetë një raport objektiv. Duke qenë se ai është ende duke u hartuar, nuk është bërë ende publik dhe nuk është përfunduar.
Faleminderit të gjithë. Po zbuloj një vend shumë të bukur që nuk e njihja, por që më dha dëshirën të rikthehem sërish.
Kryeministri Berisha: Sindroma shqiptare është se kur e vizitoni një herë vendin tonë, ju bini në dashuri me të.
Zoti Barrot: Zoti ambasador më tha pak më parë se unë nuk e di nëse Shqipëria është vendi më i bukur në botë, por është padyshim një nga më të bukurit.
Kryeministri Berisha: Dhe unë dua ta falënderoj zotin ambasador për punën e shkëlqyer të tij dhe të gjithë ekipit të tij.
Zoti Barrot: Gjithashtu, kam ardhur këtu i shoqëruar nga zoti Giuliani, Presidenti i Fondacionit Schuman, për të cilin unë kam shumë, shumë admirim dhe jam ndër pionierët e këtij personazhi, të cilin e njoh edhe vetë personalisht.
Kryeministri Berisha: Dominique Giuliani është një mik i madh i imi dhe një mik i madh i demokracisë shqiptare, pasi, bashkë me Fondacionin e tij, ai mbron idetë e babit të demokracisë europiane, Robert Schuman dhe i ka dhënë një ndihmë të madhe vendosjes së demokracisë në shumë vende të Europës Lindore dhe veçanërisht Shqipërisë. Dua ta falënderoj atë përzemërsisht.
Zoti Barrot: Gjithashtu, ai i ka mësuar vendeve të vjetra të BE-së që t’i duan vendet e reja të BE-së dhe vendet që do të bëhen anëtare të BE-së.
01/05/2009