E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vazhdon në mënyrë të pandërprerë dhe të fuqishme, gara e projektimit dhe ndërtimit të HEC-ve, në mbarë vendin

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan ndër të tjera, një seri vendimesh për përcaktimin e autoritetit kontratues dhe dhënien me koncesion të disa Hec-ve në mbarë vendin. Kryeministri u shpreh në lidhje me vendimet se ato i shërbejnë nismës për Shqipërinë, superfuqi energjitike në rajon, e cila po njeh zhvillime të shpejta, më shumë se ne çdo vend tjetër.

Kryeministri theksoi se Hec-et do ta shndërrojnë Shqipërinë në eksportues kryesor të energjisë së rinovueshme në rajon dhe do të bëjnë që tregu shqiptar të ketë për burim energjie, energjinë ujore, e cila ka koston më të lirë, duke bërë të mundur që shqiptarët të mos njohin çmimet tejet të larta, që njohin vende të tjera.

Duke ritheksuar politika e qeverisë ka si qëllim kryesor punësimin e qytetarëve shqiptarë, kryeministri u shpreh se ndërtimi i këtyre HEc-ve është gjithashtu edhe krijimi i fronteve të reja të punës në mbarë vendin.

Lidhur me vendimin në fjalë, kryeministri Berisha u shpreh:

Por, krahas këtij vendimi shumë të rëndësishëm në fushën e komunikimit dhe informacionit që marrim sot përsëri ne i rikthehemi në këtë mbledhje Shqipërisë superfuqi, energjetike rajonale. Ajo kishte të bënte me Shqipërinë superfuqi e ICT në rajon gjatë viteve që vijnë, ndërsa këto vendime kanë të bëjnë me Shqipërinë superfuqi energjetike në rajon, një nismë e cila po njeh zhvillime të shpejta, më shumë se ne çdo vend tjetër dhe në fushën e energjisë më të qëndrueshme që është energjia ujore.

Sot, ne miratojmë një seri vendimesh për përcaktimin  e autoritetit kontratues dhe dhënien me koncesion të HEC Shën Gjon, Kryezi në Pukë, HEC Bollej dhe HEC Malla të gjitha këto të propozuara nga Zv/kryeministri dhe ministri i ekonomisë, tregtisë dhe energjetikes.

Pra, të nderuar qytetarë dhe qytetare, vazhdon në mënyrë të pandërprerë dhe të fuqishme, gara e projektimit dhe ndërtimit të HEC-ve, në mbarë vendin. Hec-e të cilat do të shndërrojnë Shqipërinë në eksportues kryesor të energjisë së rinovueshme në rajon dhe ajo që është po kaq e rëndësishme do të bëjë që tregu shqiptar të ketë për burim energjie, energjinë ujore, e cila ka koston më të lirë dhe e cila do të bëjë të mundur që shqiptarët të mos njohin çmimet stratosferike që njohin në vende të tjera.

Dhe unë dua ti informoj qytetarët e këtij vendi se në mënyrë absolute gjatë këtyre viteve të fundit ne nuk kemi pranuar asnjë rritje çmimi për konsumatorin shqiptar, përkundrazi ne kemi shpenzuar shumë nga buxheti dhe kemi kompensuar çdo detyrim që rridhte, në mënyrë që të mos lejojmë rritjen e çmimeve për qytetarin. Dora-dorës burime të reja energjitike futen në sistem dhe këto burime do të bëjnë të mundur përballimin e nevojave të vendit me prodhimin e energjisë.

Shqipëria mbulon në mesatare, jo më shumë se dy të tretat (2/3) e nevojave të saj të rritura. Por ndërtimi i këtyre HEc-ve është gjithashtu krijimi i fronteve të punës në mbarë vendin. E tërë politika jonë ka si qëllim kryesor punësimin e qytetarëve shqiptar. E theksoj edhe njëherë , ne jemi një vend që kemi një papunësi prej 13, disa % dhe kjo është shqetësues, por nga na tjetër jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka patur rritje të papunësisë dhe kjo për faktin e thjeshtë se kemi patur rritje ekonomike 4 herë mbi mesataren e rritjes ekonomike të rajonit. Cilido që dëshiron le të klikojë në statistikat e papunësisë në vende3t përreth. Do të gjejnë shifra zyrtare të papunësisë prej 32 % sic është Maqedonia, 26% siç është Greqia, 23 % Serbia, 21 % Kroacia, apo Spanja me mbi 20 % . Kurse Shqipëria nuk ka patur rritje të papunësisë ndonëse Shqipëria për shkak të procesit të urbanizmit, të kalimit të madh të krahut të punës nga fshati në qytet, përballet me një presion të madh. Megjithatë rritja e numrit të investimeve private e të huaja, investimeve publike, ka çuar në krijimin e qindra, mijëra vendeve pune dhe ka bërë të mundur që papunësia të mos rritet. Natyrisht të flasësh për 1 milion të papunë, nën një vend që në të gjithë statistikën, zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare ka gjithsej 1 milion e 40 mijë vetë forcën punëtore, do të thotë të jesh ftohur në të gjitha anët. Kjo do të thotë se jeton në një botë personale, pa u shprehur më tutje.

Sot, gjithashtu në përpjekjet e mëdha të qeverisë dhe ministrisë së financave për të formalizuar tregun dhe garantuar lirinë e tij vendoset sistemi on-line i monitorimit të industrisë së mëkatit, industrisë së bixhozit dhe i lojërave të fatit, lojërave të filxhanit. Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Kontrolli i tyre është problematik edhe në vendet me teknologjinë më të zhvilluar në botë. Mjafton tu kujtoj këtu se SHBA-të u tërhoqën nga kontrolli i basteve, tani janë rikthyer përsëri, për shkak të vështirësive dhe shpenzimeve që kishte. Por mëkati e ka shoqëruar njeriun që nga lindja  e tij, rendja e tij pas nepsit për mollën, e të tjera me radhë, kështu që duket se të paktën edhe për këtë shekull do të rezistojë. Për të tjerat janë përgjegjës të tjerët.

Ju faleminderit!


27/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›