E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: “Shqipëria ç'ka qenë, ç’ është e ç'do të bëhet” është Shqipëria europiane

“Shkolla laike perëndimore që u themelua këtu u bë gjithashtu drita e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.”

“Unë kam bindje më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të tjetër veçse kontributit të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike.”

Kryeministri Berisha vizitoi shkollën e parë laike shqipe, e themeluar 125 vjet më parë në Korçë, e njohur si Mësonjëtorja. Një moment veçantë ishte ndalesa në muzeun e saj, ku dëshmohet një histori e gjatë përpjekjesh dhe sakrificash për vendosjen e themeleve të arsimit laik shqiptar.

Kryeministri Berisha la një shënim në Librin e Përshtypjeve, ku shprehu ndjenjat e krenarisë më të lartë për këtë shkollë si tempulli i dijes shqiptare, i atdhedashurisë më të lartë dhe i vokacionit perëndimor të tyre.   

 “Mësonjëtorja – tha Kryeministri, gjatë vizitës në muze - u shndërrua në një burim të madh drite që shqiptarëve, të cilët shekuj jetuan në një perandori lindore, u ndriçoi rrugën drejt djepit ku ata kishin lindur, djepit perëndimor të tyre.”

“Mësonjëtorja, - vijoi më tej Kryeministri - u mësoi shqiptarëve të besimeve të ndryshme se besimi i tyre i përbashkët është shqiptarësia dhe u shndërrua kështu në plazmën e unitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësisht nga besimet e fetë e tyre.”

Kryeministri u shpreh se në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 125 vjetorin e themelimit të shkollës shqipe, shqiptarët vijnë sot, si gjenerata më e lumtur, sepse “e nderojnë këtë përvjetor në lartësinë e ëndrrave të atyre burrave që themeluan Mësonjëtoren e parë: vend anëtar i NATO-s, qytetarë të lirë kudo që jetojmë dhe më të përkushtuar se kurrë në rrugën e tyre drejt Europës.”

Më poshtë, fjala e Kryeministrit Berisha gjatë vizitës në shkollën e parë shqipe.

“Ky është tempulli, ku u ndez drita, e cila nuk u shua më kurrë, por ndriçoi dhe do të ndriçojë zemrat, mendjen e shpirtin e shqiptarëve dhe vokacionin e tyre perëndimor. Ajo u themelua si shkolla e parë laike në historinë e kombit dhe i dha sistemit tonë frymën laike, e cila përbën bazën më të shkëlqyer të formimit qytetar dhe të dijeve të individit, por edhe të vitalitetit të tij, se asgjë më shumë se dija nuk përfaqëson vitalitetin e njeriut dhe të shoqërisë. Ajo u bë një faktor i madh i bashkimit kombëtar. Drita e saj bëri që shqiptarët nga komb pa shkolla, të jetë sot, një komb i shkolluar e të vijë si një nga kombet e mirëshkolluar, të vendosur për të konsoliduar sistemin e tyre të dijes, mbi bazat që vendosën etërit, themelues të shqiptarësisë, rilindësit tanë, burrat e mëdhenj të kombit, me në krye Sami Frashërin, mësuesit e drejtuesit e parë të kësaj shkolle, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Thoma Avrami, Thanas Sina e shumë të tjerë, të cilët me kurajë e atdhedashuri legjendare vunë gjithçka që të ndriçojnë një herë e përgjithmonë shpirtin e shqiptarëve. Shkolla laike perëndimore që u themelua këtu u bë gjithashtu drita e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Sa herë të lexojnë Sami Frashrin, aty shqiptarët kanë biblën e të gjitha besimeve të tyre. Besimet i kanë të ndryshme dhe i pasurojnë shpirtin, kurse “Shqipëria ç' ka qenë, ç’ është e ç' do të bëhet” është Shqipëria europiane.

Ky tempull, mësonjëtorja e parë laike e shqiptarëve, në 125 vjetorin e saj ka dhe meriton nderimin e mbarë kombit shqiptar. Drita që u ndez këtu, në këtë vatër të dijes 125 vjet më parë, vërshoi e pashuar në të katër anët e trojeve shqiptare, vërshoi në çdo zemër e mendje shqiptare. Ajo e shndërroi kombin shqiptar në një komb të shkolluar, të dijes, bëri që shqiptarët në një përpjekje të madhe e të jashtëzakonshme, në 125 vjet sakrifica, të jenë sot, të lirë, të jenë sot, të vendosur për të ndërtuar të ardhmen, themelet e së cilës u vendosën në këtë ndërtesë, në këtë tempull! Asgjë nuk përcakton vitalitetin e një individi, asgjë nuk përcakton vitalitetin e një kombi, më shumë se dija e tij! Mësonjëtorja mëkoi shqiptarët me një dashuri të pakufishme për arsimin. Të paktë janë ata, të cilët sakrifikojnë më shumë se prindërit shqiptarë për shkollimin më të mirë të fëmijëve të tyre.

Mësonjëtorja u shndërrua në një burim të madh drite që shqiptarëve, të cilët shekuj jetuan në një perandori lindore, u ndriçoi rrugën drejt djepit ku ata kishin lindur, djepit perëndimor të tyre. Mësonjëtorja u mësoi shqiptarëve të besimeve të ndryshme se besimi i tyre i përbashkët është shqiptarësia dhe u shndërrua kështu në plazmën e unitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësisht nga besimet e fetë e tyre.

Sot, ne nderojmë këtë përvjetor të shkollës në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Jemi gjenerata më e lumtur, sepse e nderojmë këtë përvjetor në lartësinë e ëndrrave të atyre burrave që themeluan këtu mësonjëtoren e parë: Vend anëtar i NATO-s, qytetarë të lirë kudo që jetojmë, vend që, me përpjekje të mëdha, u shkëput nga varfëria. Jo se Shqipëri nuk ka varfëri, por ajo nuk është më në grupin e vendeve që u përkiste disa vite më parë. Sot, ajo u përket vendeve me të ardhura të mesme të larta. Sot, shqiptarët kanë shënuar në sistemin e tyre arsimor, tregues që i rendisin në vendet me tregues më të lartë në ndjekjen e arsimit të mesëm. Sot, shqiptarët janë më të përkushtuar se kurrë në rrugën e tyre drejt Europës. Rrugë, e cila ka meritën e madhe të jetë rruga e konsolidimit të lirive të tyre, rruga e prosperitetit, e sigurisë së tyre më të madhe, e lirive dhe të drejtave të tyre.

Vështirësitë e krijuara këto 2-3 viteve të fundit, kryekëput të pamerituara, jam i bindur se janë të përkohshme. Unë dua t’i garantoj shqiptarët se do të bëjmë gjithçka, sëbashku me ta, t’i kapërcejmë to. Por nga ky tempull i dijes, i vokacionit perëndimor të kombit, unë dua t’i shtroj një pyetje zotit Edi Rama që, me sa di unë, e ka vizituar sot këtë tempull. Dje u zotove dhe më erdhi mirë se do të votoje çdo gjë, madje se e keni votuar gjithçka që kërkohet në procesin e statusit të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Kjo është pozitive, por dhjetë ditë më parë kur urdhërove grupin parlamentar dhe vendose të mos votonin Kodin Penal, kur deklarove të bllokuara reformat, këto i bërë për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë? Këto ditë rëndom po krahason e po shpreh keqardhje që Serbia e mori statusin dhe Shqipëria jo. Unë nuk kam asnjë keqardhje që Serbia e mori statusin dhe ajo e meritoi që e mori, sepse Serbia nuk ka asnjë forcë politike që të mos votojë ligjet që kërkohen, por dhjetë ditë më parë, kur ti bllokove në parlament Kodin Penal, e bërë këtë për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë?! Sidoqoftë, unë kam bindjen më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të jetë tjetër veçse kontribut i të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike, si një proces, në të cilin nuk ka asnjë të humbur, por vetëm të fituar, si një proces që buron thellë nga shpirti i qytetarëve shqiptarë. Në rast se mendohet se një javë para bllokohen dhe një javë më vonë thuhet se po kontribuojmë duke i zhbllokuar, kjo është një këngë, një melodi e trishtuar që shqiptarët e kanë dëgjuar 43 vjet me radhë, nga etërit e tyre dhe nuk e besojnë më.”


07/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›