Kryeministrit Berisha përshëndet Konferencën Jubilare në Universitetin “Fan Noli” , në ditën e 7 marsit

- - Me misionin e tyre fisnik, mësuesit janë dhe do të mbeten promotorë kryesorë të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë dhe kombit shqiptar
Në vijim të veprimtarive të organizuara në Korçë, me rastin e 7 marsit, Ditës së mësuesit, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën Jubilare të zhvilluar në Universitetin Fan Noli të qytetit. Kjo konferencë mbahet në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe me rastin e 125 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha u shpreh se ndihej i nderuar të përshëndeste nga kjo sallë të gjithë mësuesit dhe pedagogët e vendit, por edhe të të gjitha trevave shqiptare kudo që ndodhen. Duke shprehur vlerësim dhe respekt për misionin fisnik të mësuesit, kryeministri Berisha u shpreh se me këtë mision, ata janë dhe do të mbeten promotorë kryesorë të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë sonë.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka që fakultetet e mësuesisë të jenë fakultetet më moderne dhe më rigoroze, duke u shndërruar në këtë mënyrë në qendra të fuqishme të kualifikimit dhe rikualifikimit të mësuesve, të përtëritjes dhe ripërtëritjes së dijes së tyre.
Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për përkushtimin e kontributin e tyre në fushën e mësimdhënies për katër mësues pas vdekjes, disa certifikata të tjera për mësues në pension dhe për mësues dhe pedagogë, aktualisht të angazhuar në arsim.
Në përshëndetjen e tij, drejtuar mësuesve, pedagogëve e studentëve të pranishëm, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një nder i veçantë për mua të përshëndes sot, nga kjo platformë në 125 vjetorin e themelimit të shkollës së parë laike të shqiptarëve, këtu në qytetin e dijes, në qytetin e Korçës, të gjithë punëtorët e dijes, mësueset, mësuesit e Korçës dhe mbarë Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, dhe të gjitha trevave shqiptare kudo që janë; të përulem me nderimin më të madh për misionin e tyre fisnik, të shpreh besimin tim të thellë, se me këtë mision, ata janë dhe do të mbeten promotorë kryesorë të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë sonë, të kombit shqiptar.
Sot, kudo shqiptarët nderojnë mësuesit e tyre, mësuesit e fëmijëve të tyre, nipërve dhe mbesave të tyre, por kryefesta e shqiptarëve është këtu në Korçë, sepse këtu 125 vjet më parë, u themelua shkolla e parë laike e kombit, shkolla, e cila do të shndërrohej në një tempull, drita hyjnore e tij, do të vërshonte në të katër anët e trojeve shqiptare, do të vërshonte në çdo zemër, në çdo mendje shqiptare, do të bënte që sot ky komb në 100 vjetorin e tij, të vijë si një komb i shkolluar, si një komb i lirë, si një komb i sigurt në të ardhmen e tij.
Ndaj dhe kjo është një ditë e madhe nderimi për ata burra që themeluan këtu, mësonjëtoren e parë laike, për Pandeli Sotirin, Thanas Sinën, Thoma Avramin, Petro Nini Luarasin, Nuçi Naçin, Janko Minxha e shumë e shumë të tjerë. Për gjenitë e teksteve të mësonjëtores së parë, Sami Frashërin, Jani Vreton dhe korifenjtë e tjerë të rilindjes.
Ne festojmë këtë 125 vjetor, në 100 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur, festojmë atë më krenarë se kurrë, sepse sot shqiptarët janë qytetarë të lirë. Jetojnë të lirë kudo, ndërtojnë në liri të ardhmen e tyre. Sot shqiptarët janë më të vetëdijshëm se kurrë, se drita e dijes është jetike, është vendimtare për të ardhmen e tyre. Siç thoshte Uinston Çërçill, perandoritë e të ardhmes do të jenë perandoritë e dijes, Shqipëria e së ardhmes do të jetë gjithnjë e më shumë Shqipëria e dijes, ndaj edhe në këtë kontekst, roli juaj, të dashur mësuese dhe mësues, pedagogë dhe pedagoge bëhet gjithnjë e më vendimtarë. Bëhet gjithnjë e me vendimtarë sot, se Shqipëria, i tërë planeti, bota, përjeton epokën e globalizmit, përjeton epokën e një ore që nuk funksionon më me lëvizjen mekanike, por që funksionon mbi bazën e një lëvizje kuantike, një kohe e cila kërkon të bëjmë gjithçka për të ruajtur ritmet krahas saj.
Ne jemi përpjekur këto vite, jemi përqendruar me shumë se në çdo gjë tjetër në reformat në arsim, e kemi pasur dhe e kemi drejtë. Arsimi të parin ka arsimtarin dhe çdo reformë, çdo përpjekje duhet të përqendrohet para së gjithash tek arsimtari dhe roli i tij, në piedestalin që ai duhet vendosur. Në një hark kohor të shkurtër, ne ia kemi dalë të kremtojmë sot, këtë ditë të madhe të historisë kombëtare. Në një sistem arsimor që shkon drejt konsolidimit, në një vend ku janë arritur disa nga treguesit sasior në nivelet më të larta të kohës . Sot 91 % e fëmijëve tanë që mbarojnë arsimin 9 vjeçar, ulen në bankat e shkollave të mesme. Sot, 70% e maturantëve tanë, ulen në bankat e universiteteve dhe ju garantoj se këto tregues janë nga më të lartit në botë. Sot, në çdo shkollë ka internet , laboratorë informatike dhe laboratorë të tjerë. Por, të dashur mësuese dhe mësuese pedagogë dhe pedagoge, arritjet ne vetëm duhet të na frymëzojnë për arritjet e tjera. Nuk ka garë më të vështirë se gara e dijes, nuk ka garë në të cilën po të gabosh paguan çmimin më të shtrenjtë se në këtë garë.
Gjatë këtyre viteve, Shqipëria, e cila 20 vjet më parë në shumicën e treguesve renditej në 3-4 vendet më të varfëra të botës, renditej një vend me një nga infrastrukturat më të prapambetura e kështu me radhë dhe tani pas 20 viteve liri, Shqipëria ka disa tregues që renditet në 10 vendet e para të botës, siç është p.sh. qëndrimi ndaj biznesit. Ka disa tregues të tjerë, të cilat e rendisin atë në këtë tregues në vendet e zhvilluara. Shqiptarët këto 10 vite, kanë ndërtuar shtëpi banimi më shumë sesa kanë ndërtuar të gjitha kombet e tjera të Europës, përveç Lituanëzëve, në 30 vite. Shqiptarët sot, në shtëpi banimi janë më mirë se 5 kombe anëtarë te Bashkimit Evropian dhe të grupit të vendeve të zhvilluara dhe këto janë rezultate frymëzuese, por për mua, për ju, shumë herë më frymëzuese, do të jenë momentet kur ne ta rendisim Shqipërinë në 10 vendet me arsimin më të zhvilluar. Unë jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë, të gjitha potencialet që të realizojmë këtë objektiv.
Ne kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, së shpejti nis projekti për internet në çdo klasë, ne po bëjmë gjithçka për një infrastrukturë moderne. Ne sot i kemi hapur dyert për universitete tona, por tani bashkërisht duhet të angazhohemi në të gjithë potencialin, pasionin dhe përkushtimin tonë në garën e cilësisë. Kjo garë për cilësinë, zoti ministër i arsimit dhe të dashur mësues dhe mësuese, përsëri duhet të përqendrohet para të gjithash tek mësuesi, përgatitja e tij.
Zoti Rektor,
Me një falënderim të veçantë për konferencën, por edhe me një urim të veçantë për 54 anëtarët e familjen tënde, që kanë qenë arsimtarë dhe kanë kontribuar këtu në Korçë. Ju falenderoj ju, dekanin e fakultetit të mësuesisë, për vëmendjen e madhe që keni treguar në reformimin e këtij fakulteti . Nuk duhet të harrojmë se mësuesi është profesioni i të gjitha profesioneve të tjera. Këtu marrin origjinë të gjitha profesionet e tjera, përveç fakti tjetër se ai gjithnjë mëson më shumë me zemër sesa me tekste. Ai është frymëzues kryesor i fëmijëve tanë, ndaj dhe do të bëjmë çdo gjë, që këto fakultete ti kemi fakultetet më serioze. Do të bëjmë gjithçka që fakultetet e mësuesisë të jenë fakultetet më moderne të jenë fakultetet më rigoroze. Do të bëjmë gjithçka, që këto fakultete të shndërrohen në qendra të fuqishme të kualifikimit dhe rikualifikimit të mësuesve, të përtëritjes dhe ripërtëritjes së dijes së tyre.
Arsimi para universitar, i cili sot është masiv, fatmirësisht dhe kjo është arritje e madhe, bazohet së pari në gjuhën e nënës. Në të gjitha shkollat më të mira të botës rëndësi kryesore i kushtohet gjuhës, duhet të flasë vajza dhe djali, qytetari duhet të flasë dhe të jetë zot i gjuhës së tij. Bazohet në matematikën edhe kjo një dhunti për tu zhvilluar. Kam parë një statistikë dhe disa shkrime, si dhe nga një vlerësim që ishte bërë dilte që fëmijët shqiptarë lexonin më shumë, libra jashtëshkollor sesa fëmijët e shumë vendeve të zhvilluara të Europës. Gazetarë të shquar të këtij vendi kishin gjetur një familje shqiptare, e cila i thoshte: do ta çoj djalin në Tiranë për tu shkolluar, jo se sistemi ynë është më i përparuar se i atyre, jo absolutisht, se unë e njoh sistemin e tyre, por shembullin e jepnin, për të dhënë alarmin, për të nxitur tek fëmijët dashurinë për librin, dashurinë për leximin jashtëshkollor. Po këtu ka një meritë të jashtëzakonshme familja shqiptare. Me modelin e përzgjedhur nga ju z. Rektor dhe z. Dekan pikërisht kjo spikat, ai model ka në qendër një bashkëpunim të ngushtë të shkëlqyer, midis mësuesit nxënësit dhe prindit, midis mësuesve nxënësve dhe komunitetit.
Dikur Finlanda ishte një vend i varfër dhe kjo dikur nuk është e largët, jo absolutisht. Sot është një vend shumë i zhvilluar, sot qëndron në krye të Europës dhe të botës për sistemit e saj arsimor më të mirë. Duhet të bëjmë gjithçka të konsolidojmë Anglishten si gjuhë të parë, të huaj . Gjuha e globalizmit është bërë dhe po bëhet anglishtja. Ju i merrni fëmijët dhe i shoqëroni ata në shtëpinë e të ardhmes në shtëpinë e dijes. Anglishtja ju duhet atyre, është jetike pas gjuhës së nënës për tu përshtatur me orën globale. Ne jemi bërë një hap të madh të jashtëzakonshme në universitete tona.
Sot universiteti i Korçës është universitet kombëtar, nuk është më një universitet rajonal. Rektori më informoi se 15% e studentëve janë nga rrethet veri-lindore dhe veriore të vendit . Ekipi pedagogjik i tij ka transformuar universitetin, Rektorati, Ministra e Arsimit kanë bërë shumë gjera. Janë përpjekur edhe për krijimin e kushteve më të mira në kampuset dhe ndërtesat, laboratorët dhe kërkimin shkencor, në këtë universitet, por parë arritjet duhet të na bëjmë veçse të shtojnë detyrimet. Ne jemi në një udhëkryq dhe ku qëndron udhëkryqi ynë. Çfarë do të bëjmë ne për të rritur cilësinë në Universitete, kushti jetik për zhvillimin e shpejtë të vendit? Rëndësi jetike ka liria juaj, autonomia juaj, por liria juaj dhe autonomia juaj, pa mekanizmin financiarë, nuk mund të jetësohet, nuk mund të mishërohet. Ne synojmë të instalojmë një mekanizëm financiar, i cili tu rrisë ju, autonominë e veprimit, të kërkimit shkencor, të studimit, midis botës akademike dhe botës burokratike. Kjo e fundit ka vetëm një mision mbështetës. Autonomia juaj është jetike, ne synojmë që ju të krijoni resurse financiare më të mëdha. Është absolutisht e pa drejtë vërejtja e disa miqve të mi, që më thonë dhe më qortojnë gjithë ditën arsimin privat. Dakord, keni këto vërejtje, lexoni pak ku është më i zhvilluar në botë arsimi i lartë privat. Arsimi i lartë privat më i zhvilluar është në SHBA. Cili është shkaku, ndër më kryesoret? Shkollat në SHBA janë masivisht publike por edhe private. Kanë arritur të mobilizojnë fonde nga sektori privat, i cili është gjigant në financë në krahasim me sektorin publik, që është liliput të raport me ta.
Po vij nga një shkollë e mesme, gjeta tre fondacione, një fondacion austriak dhe dy fondacione korçare. U gëzova shumë dhe e përgëzoj drejtoreshën. Financoni dhe ndihmoni. Ajo shkollë financohet e tëra nga Ministria e Arsimit, por ka dhe fonde shtesë. Ndaj dhe ne duhet të vendosim një mekanizëm të ri. Sot përsëri, ne i kemi stafet pedagogjike të mangëta. Ne kemi në universitet tona 10 mijë pedagog- asistentë. Sa duhet të jene mendoni ju? 15 mijë minimumi. Ne nuk mund të rrisim cilësinë e mësimdhënies pa rakorduar disa tregues, numrin e studentëve me pedagogët. Jo se i japim paratë kot të tjerët. Pedagogu duhet të bëjë kërkim shkencor. Sikur trupa pedagogjike e këtij universiteti të merret me kërkime shkencore vetëm për Korçën, mund të ndikojë aq fuqishëm në zhvillimin e Korçës dhe Shqipërisë në potencialet e mëdha saqë justifikon çdo lloj financimi.
Atëherë ne duhet të bëjmë gjithçka të përpiqemi të mobilizojmë fonde nga sektori privat. Të vendosim një bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat. Duhet të bëjmë gjithçka, kam qenë pedagog si ju dhe kam admirimin më të madh. Por duhet të bëjmë gjithçka për të shndërruar këtë proces në procesin më serioz të kombit. Duhet të bëjmë gjithçka, që çdo diplomë të jetë e merituar, çdo provim të jetë i merituar.
Çfarë bëmë këtë vit të dashur pedagogë e pedagoge. Provimin e shteti e informatizuam. Çfarë na doli? Na doli rreth 40 %, jo kalues. Unë si kryeministër do të doja të ishte 100% kalimi, po kompjuteri këta nxori. Çfarë duhet të bëjmë. Atëherë ne kemi shumë nevojë ta shtrijmë sa më shumë metodën dixhitale të provimeve. Këtë bëjnë vendet e zhvilluara këtë duhet ta bëjmë dhe ne. Në mënyrë që shkollat ti kemi të hapura por diplomat ti kemi të merituara.
Unë u ndala në disa aspekte, të cilat absolutisht nuk i errësojnë kurrë arritjet e jashtëzakonshme të universitetit të Korçës dhe të arsimit në Korçë dhe mbarë Shqipërinë, por punëtorët e dijes kanë për detyrë të rendin pas një horizonti që kurë nuk arrihet, por kurrë nuk do të lodhemi.
Faleminderit.
07/03/2012