Kryeministri Berisha: Shqipëria është bërë më tërheqëse dhe e besueshme për qytetarët e vendeve të tjera
- “Aeroporti funksionon sot në një regjim të ri fiskal dhe në mënyrë të shpejtë është rritur numri i pasagjerëve. Shqipëria është bërë më tërheqëse dhe e besueshme për qytetarët e vendeve të tjera.”
Kryeministri Berisha ishte sot i ftuar në ceremoninë e nisjes së fazës së dytë të zgjerimit dhe modernizimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas. Të pranishëm në ceremoni ishin anëtarë të qeverisë, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë Bernd Borchardt dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Johnn Withers II, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Kryeministri Berisha, Kryetari i Këshillit Administrativ të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Hochtief Airport Reinhard Kalenda dhe Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Aeroportit Andrea Gebbeken hapën brazdën e parë që shënoi fillimin e punimeve për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve. Zgjerimi i planifikuar i terminalit të pasagjerëve do të dyfishojë kapacitetin e pasagjerëve në 1.5 milion pasagjerë në vitin 2009 dhe do të investohen 20 milion euro.
Kryeministri Berisha e konsideroi fillimin e punimeve për zgjerimin dhe dyfishimin e kapacitetit të aeroportit një ditë të shënuar dhe të rëndësishme jo vetëm për aeroportin, por për mbarë vendin, dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për t’u rritur dhe zhvilluar.
“Në një kohë rekord, ju ndërtuat aeroportin e ri, i cili jo për nga madhësia, por për nga bukuria, krahasohet me dinjitet me aeroportet më të bukura që kam parë. Ju keni sjellë gjithashtu një shërbim shumë të përshtatshëm dhe të kultivuar në aeroport dhe keni vendosur standardet më të mira të sigurisë. Ju dhe stafi juaj e shndërruat këtë në koncesionin më të suksesshëm dhe të shkëlqyer për Shqipërinë. Ne jemi shumë krenarë dhe shumë të kënaqur me partnerë si ju. Për çdo udhëtar aeroporti ishte hyrja e re e Shqipërisë dhe së bashku me rrugën dhe ndryshime të tjera i bën vendit një paraqitje shumë të mirë dhe të merituar,” u shpreh Kryeministri.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka bërë dhe do të bëjë përpjekje të mëdha për një klimë miqësore ndaj biznesit në Shqipëri dhe se në sajë të këtyre përpjekjeve ajo është bërë më tërheqëse dhe e besueshme për qytetarët dhe investitorët e huaj.
“Aeroporti funksionon sot në një regjim të ri fiskal dhe në mënyrë të shpejtë është rritur numri i pasagjerëve. Shqipëria është bërë më tërheqëse dhe e besueshme për qytetarët e vendeve të tjera. Shqipëria po punon për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe është firmosur Protokolli i anëtarësimit në këtë organizatë. Të gjitha këto janë sinjalet më pozitive që vendi im u dërgon investitorëve nga vendet e tjera. Por edhe prania e këtij aeroporti, është një sinjal shumë pozitiv për ta,” tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha garantoi se qeveria është shumë e vendosur të bëjë çdo përpjekje që Shqipëria të shndërrohet në vendin më tërheqës për investitorët e huaj.
“Çdo hap që bëjmë drejt liberalizimit, është hap drejt lirisë. Çdo hap që bëjmë drejt privatizimit, është sërish hap drejt iniciativës së lirë dhe të lirisë së individit. Qeveria ime është e vendosur të procedojë me shpejtësi dhe vendosmëri në këto dy drejtime. Ndaj shpresoj që ju me fillimin e këtyre punimeve do të filloni të projektoni stadin C të aeroportit të Rinasit. Për ata që persistojnë gjërat ndodhin më shpejt, sesa i mendojnë.”
Kryetari i Këshillit Administrativ të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Hochtief Airport Reinhard Kalenda tha se që të zhvillohet ekonomia e vendit duhen përmbushur dy kushte: mjedis tërheqës për investitorët e huaj dhe infrastruktura funksionale.
“Qeveria duhet të jetë në gjendje të bëjë vendin tërheqës për investitorët e huaj. Dhe ky është pikërisht mjedisi produktiv që ne gjejmë në Shqipëri. Qeveria po merr një përqasje pozitive ndaj planeve tona si menaxherë të aeroportit dhe po na ofron një mbështetje aktive,” u shpreh zoti Kalenda.
“Aeroporti po rritet përkrah Shqipërisë. Çdokush që bën biznes në këtë vend do të kuptojë se kjo është një simbiozë me rëndësi themelore, ritmet e zhvillimit që po ndodhin në Shqipëri mund të shihen kudo në vend dhe të qenit pjesë e këtij mjedisi pozitiv, plot optimizëm, na bën të veçantë dhe fatlumë,” u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës Andrea Gebbeken.
Deri në vitin 2007, konsorciumi që menaxhon aeroportin TIA (Tirana International Airport Shpk.), i përbërë nga kompania gjermane Hochtief Airport, DEG (Deutsche Investitions und Entëicklungsgesellschaft) dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, kanë investuar 50 milion euro dhe me investimin e ri të fazës së dytë të modernizimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” do të rriten ndjeshëm kapacitetet operacionale të tij dhe do të ketë si vepër kryesore zgjerimin e terminalit të ri të pasagjerëve.