Qeveria spanjolle financon 14 milion dollarë në mbështetje të programit “Një OKB” në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara Gülden Türköz-Cosslett dhe Ambasadori i Spanjës në Shqipëri Manuel Montobbio prezantuan sot, në selinë e Këshillit të Ministrave, tre programet e reja, në kuadër të programit pilot “Një OKB”. Të tre programet, me vlerë 10.760 milion dollarë, financohen nga qeveria e Mbretërisë së Spanjës në mbështetje të objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit. Krahas financimit të këtyre programeve, qeveria spanjolle ka një angazhim tre vjeçar në mbështetje programit “Një OKB” në Shqipëri, me një fond prej 4 milion dollarë.
Kryeministri Berisha theksoi se këto programe nënshkruhen në një moment të rëndësishëm të procesit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Programet trajtojnë probleme të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e Shqipërisë, të cilat kërkojnë angazhimin e një spektri të gjerë aktorësh dhe ekspertize nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe ministritë përkatëse të linjës,” u shpreh Kryeministri.
Duke i shprehur falënderimet e përzemërta qeverisë spanjolle për mbështetjen e fuqishme financiare që i jep iniciativës “Një OKB”, si një kontribut thelbësor në suksesin e kësaj iniciative, Kryeministri Berisha prezantoi tre programet e përbashkëta të qeverisë shqiptare me OKB-në dhe qëllimin e tyre:
Programi i përbashkët i Qeverisjes Ekonomike, me vlerë 2 milion e 97.564 dollarë, do të zbatohet nga PNUD-i dhe Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky program do të mbështesë reformën rregullatore në sektorët e energjisë dhe ujit, si dhe do të ketë një komponent të veçantë në sektorin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Programi i përbashkët për Rininë, Punësimin dhe Miigrimin, me vlerë 3,3 milion dollarë, do të zbatohet nga ILO, IOM, PNUD dhe UNICEF, na bashkëpunim Ministrinë e Punës, Çështjeve Social dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky program i përbashkët ka si synim të sigurojë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe të vendosë në një linjë strategjitë kombëtare për rininë, punësimin dhe migrimin.
Programi i përbashkët i OKB-së për Kulturën dhe Zhvillimin, me vlerë 3.260 milion dollarë, do të zbatohet nga PNUD dhe UNESCO, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky program ka si qëllim të ruajë, mbrojë dhe promovojë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Një nga aktivitetet kryesore të këtij programi është rehabilitimi i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, duke e transformuar atë në një institucion kulturor bashkëkohor.
Ambasadori spanjoll Montobbio e vlerësoi nënshkrimin e këtyre programeve një moment simbol i angazhimit të Spanjës me Shqipërinë dhe zhvillimin. “Ky angazhim nuk është vetëm një angazhim i qeverisë së Spanjës me qeverinë e Shqipërisë dhe administratën e Kombeve të Bashkuara, por është njëkohësisht një angazhim i popullit spanjoll me popullin shqiptar dhe me një sistem të Kombeve të Bashkuara më të mirë për të gjithë,” u shpreh zoti Montobbio.
Kryeministri Berisha falënderoi gjithashtu misionin e PNUD-it në Shqipëri, agjencitë e Kombeve të Bashkuara që operojnë në Shqipëri, stafin dhe ministritë e linjës për bashkëpunimin që kanë vendosur me këto agjenci, duke i siguruar ata për mbështetjen e plotë për suksesin e këtyre projekteve.
Koordinatorja e OKB-së në Shqipëri Gülden Türköz-Cosslett u shpreh se partneriteti me qeverinë shqiptare ilustron elementet kyç të një reforme të suksesshme të OKB-së, si dhe një rol udhëheqës të fuqishëm nga ana e qeverisë dhe një punë të shkëlqyer nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara.
“Qeveria shqiptare është e përkushtuar për ta shfrytëzuar në mënyrë të efektshmen ndihmën e huaj në rrugën e saj drejt arritjes së prioriteteve kombëtare dhe jep mbështetje të fortë për punën e OKB-së për ta çuar atë deri në fund. Mbështetja e vazhdueshme e fuqishme e Shqipërisë për OKB e ka bërë punën tonë më të lehtë,” u shpreh zonja Gulden Turkoz Coslet.
Tre programet e reja u nënshkruan nga Koordinatorja e OKB-së në Shqipëri dhe për qeverinë shqiptare nga ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Genc Ruli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango dhe ministri i Punës, Çëshjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta Kosta Barka.