E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës Shijak-Koxhasë-Borakë-Sukth-Superstradë

- Investimet në komunën Xhafzotaj, në 3 vjet, kapin shifrën 240 milionë lekë

Kryeministri  Berisha mori pjesë, sot paradite, në inagurimin e rruges Shijak-Koxhase-Borake-Sukth-Superstrade, investim i buxhetit te shtetit, me vlerë 43 milionë leke.

Kryeministri tha se në këtë komunë janë 28 km rrugë rurale që po ndërtohen. “Ne 8 vjet, qeveritë socialiste nuk asfaltuan as një metër të vetme rrugë në këtë zonë. Ne tre vjet ne kemi përfunduar tërësisht 14 km rrugë dhe janë në përfundim dhe 7 kilometra të tjera në fund të këtij viti. Pra, brenda këtij viti ne do të përfundojmë tërësisht ndërtimin dhe asfaltimin e 70 për qind të rrugëve në këtë zonë, ndërsa brenda vitit 2009 nuk do të ketë asnjë rrugë të pa asfaltuar në gjithë fshatrat t e kësaj komune”, theksoi Kryeministri.

Duke iu referuar zërave mosbesues për efektet reale të buxhetit suplementar në shumë drejtime, Kryeministri u shpreh: “Dua t’ju them të gjithë atyre që shprehen kundër buxheteve tona, që të vijnë këtu dhe të pyesin këta banorë nëse duhet te shtrohen rrugët e tyre apo jo, nëse duhet të rriten pensionet e tyre apo jo, pasi të gjitha këto janë meritë e buxheteve suplementare të mirë ekonomizuara. Dua t’ju them edhe atyre që tregohen skeptik ndaj projektit tim për ndërtimin e rrugëve rurale - një projekt ky shumë ambicioz me 400 milionë dollarë si fillim - , që të vijnë këtu, të dalin nga kulla e fildishtë dhe të shëtisin në rrugët e asfaltuara në 2 vjet”.

“Ne do ta nxjerrim tërësisht Shqipërinë nga balta dhe çakulli”, tha Kryeministri.

Ai theksoi edhe njëherë se në komunën Xhafzotaj, gjatë këtyre 3 viteve janë ndërtuar dhe po përfundojnë së ndërtuari 21 km rrugë. Gjithsej në këtë zonë janë 28 kilometra rrugë, të cilat do të përfundojnë së asfaltuari brenda këtij mandati. “Komuna Xhafzotaj do të jetë nga komunat e para që del tërësisht nga balta dhe çakulli dhe do të ketë një infrastrukturë europiane dhe moderne. Tre vjet më parë në këtë komunë nuk ka patur asnjë metër katror të asfaltuar në rrugët rurale”, tha Kryeministri.

Kryeministri siguroi se për këtë zonë ka dhe një seri projektesh të tjera, krahas atyre që po ndërtohen aktualisht. “Sot ne do të inaugurojmë edhe fillimin e punimeve të shkollës 9 vjeçare Pjezë. Gjithashtu, po ndërtohet edhe ujësjellësi i Koxhasë, si dhe do ndërtohen kanalizimet në një seri fshatrash të tjerë”, nënvizoi Kryeministri.

“Investimi total në këtë komunë, në 3 vjet, është është 240 milionë lekë”, tha Kryeministri Berisha.

Në këtë zonë, janë të realizuara tashmë në infrastrukturë rrugore këto projekte:  Rruga e Koxhasë, me vlerë  43 milionë lekë, rruga Xhafzotaj, me vlerë 17 milionë lekë, rruga Sallmonaj, me vlerë 29 milionë lekë, rruga e fshatit Rreth, me vlerë 26 milionë.  

Investimi për ujësjellës kanalizime kap shifrën 22.4 milionë leke, ndërtimi i një ambulance të zonës dhe kopshtit  11.5 milionë lekë

Ndërsa investimi për ndërtimin e shkollës 9 vjecare Pjezë, bëhet nga buxheti i shtetit, me vlerë prej 33 milionë lekë.

Ndërkohë, janë planifikuar për investime në kanalizime, ujëra të bardha, ujësjellës dhe asfaltim rrugësh, edhe 68 milionë lekë, nga të cilat 46 milionë lekë janë investime të buxhetit të shtetit.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›