E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria, një superfuqi e vogël energjitike në rajon!

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në seminarin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës  dhe IFC me temë “Përmirësimi  i kuadrit ligjor të energjive të rinovueshme në Shqipëri”

Duke përshëndetur organizatorët e këtij seminari duke dhënë një kontribut të madh në nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në këtë fushë, për një nga çështjet themelore të zhvillimit të Shqipërisë, siç është energjia e rinovueshme,  kryeministri Berisha u shpreh se fokusimi dhe përqendrimi tek energjia e rinovueshme, përputhet plotësisht dhe tërësisht me prioritetet më madhore të qeverisë shqiptare .  “Shqipëria është një vend me burime të mëdha të energjisë së rinovueshme. Ky vend derdh në det 6 herë më shumë ujëra se sa ka sipërfaqen e tij. Është vendi më malor në rajon, por i bekuar se malet e tij janë të pasura me ujë”, theksoi kryeministri Berisha.

Duke theksuar se Shqipëria është vendi ndoshta ndër të paktat në Europë, që mund të eci e sigurtë si një Green Albania pasi burimet e saj janë të panumërta,  kryeministri Berisha i drejtoi një apel të pranishmëve në këtë seminar, që të konsiderojnë në mënyrën më serioze financimin e projekteve në Shqipëri.  “Unë ftoj gjithashtu bankat e mëdha, të ndjekin shembullin e IFC, të konsiderojnë seriozisht financimin e këtyre projekteve në sektorin privat, çka përbën një kontribut të madh të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, por dhe në potencialin e madh eksportues të Shqipërisë.  Shqipëria ka të gjitha kushtet, për tu bërë, dhe Shqipëria do të behet, një superfuqi e vogël  energjetike në rajon”, theksoi ai.

Ai i garantoi investitorët  se çdo investim i tyre në këtë fushë, do të jetë një histori e vërtetë suksesi, jo vetëm për vendin, por para së gjithash për ata dhe financimin e tyre, dhe u shpreh se qeveria është e vendosur të adaptojë sistemin ligjor më të mirë, për blerjen e energjisë së rinovueshme si dhe ti japë garancitë më të mëdha të mundshme, biznesit dhe investimeve.

Në fjalën e mbajtur në këtë seminar, kryeministri më gjërësisht u shpreh:
 
Zoti  Zëvendës Drejtor i  Përgjithshëm  i  IFC  Lars Thunell,

Zoti Ambasador i Austrisë Florian Raunig,

Zoti Përfaqësues i Komisionit të Delegacionit Europian Francois Begot,

Zoti  Zëvendësministër,

Zonja dhe zotërinj,

Së pari dëshiroj t’ju përshëndes, t’i falënderoj përzemërsisht , organizatorët e këtij takimi, Korporatën Financiare  Ndërkombëtare, Qeverinë Austriake , USAID-in, KFW, donatorët  të cilët bënë të mundur këtë takim për një çështje themelore të zhvillimit të Shqipërisë, siç është energjia e rinovueshme.

Nuk është e rastit që këta aktorë të rëndësishëm morën përsipër organizimin e këtij workshop-i,  pasi këta sëbashku kanë dhënë një kontribut shumë të madh në zhvillimin e sektorit energjetik në Shqipëri. KFW me institucionet e tjera, është e para që ka ndërmarrë projekte rajonale energjetike, shumë të rëndësishme. 

Biznesi Austriak, ka aktualisht projektet më të mëdha më të rëndësishme në fushën e energjisë së rinovueshme, ndër të cilat dua të veçoj kaskadën e Devollit, të EVN  të Shtatkraft,  Verbundin hidrocentralin e Ashtës. 

IFC është një partner i shkëlqyer i qeverisë shqiptare ne shumë fusha, por në mënyrë të veçantë do të theksoja këtu suksesin e vërtete të këtij bashkëpunimi në fushën e energjisë.   Me ndihmën e çmuar të saj, në Shqipëri u realizua privatizimi i shpërndarjes së energjisë dhe një nga koncesionet më të mira të hidrocentralit të Ashtës dhe një seri mbështetjes të tjera të rëndësishme .

Fokusimi dhe përqendrimi tek energjia e rinovueshme, përputhet plotësisht dhe tërësisht me prioritetet më madhore të qeverisë shqiptare .  Shqipëria është një vend i vogël, por me burime të mëdha të energjisë së rinovueshme. Ky vend derdh në detrat e  Mesdheut, 6 herë më shumë ujëra sesa çka sipërfaqen e saj .

Natyrisht është vendi më malor në Europë, por i bekuar se malet e tij, janë male të pasura në ujëra më shumë se kudo tjetër. U theksua këtu nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm  i IFC ,se në Shqipëri  janë 2/3 e rezervave ujore, për tu shfrytëzuar.  E vërteta është se Shqipëria ka një potencial edhe më të madh , po të kemi parasysh teknologjinë dhe kapacitet e reja, po të kemi parasysh kapacitetet  prodhuese të rezervave ujore të pa shfrytëzuara, janë edhe shumë më të mëdha.

Shqipëria është vendi ndoshta ndër të paktat në Europë, që mund të ketë e sigurtë si një  Green  Albania.  Burimet e saj janë të panumërta.  Qeveria me një ligj të miratuar 3 vjet më parë ka firmosur kontrata për ndërtimin e rreth 220 hidrocentraleve. Hidrocentrale të mesme dhe të mëdha në Shqipëri  janë për tu ndërtuar rreth 450, të vogla mund të jenë më mijëra.

Ky  workshop i kushtohet kuadrit rregullator. Jep një kontribut të madh në nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në këtë fushë.  Dy vjet më parë në Kopenhagen unë mbylla fjalën time me një apel drejtuar të pranishmëve që të konsiderojnë në mënyrën më serioze financimin e projekteve në Shqipëri, pasi ky mund të jetë ndoshta vendi i parë në Europë, që të ecën tërësisht Green dhe më energji të rinovueshme.

Sot në ndërtim janë rreth 36 hidrocentrale, por janë shumë të tjerë që presin financime. Qeveria është e vendosur e gatshme  të vendosë kuadrin ligjor më stimulues, më inkurajues për ndërtimin e tyre.  Por unë ftoj gjithashtu bankat e mëdha, të ndjekin shembullin e IFC, të konsiderojnë seriozisht financimin e këtyre projekteve në sektorin privat, çka përbën një kontribut të madh të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, por dhe në potencialin e madh eksportues të Shqipërisë.  Shqipëria ka të gjitha kushtet, për tu bërë, dhe Shqipëria do të behet, një superfuqi e vogël energjetike në rajon.

Unë u ndala këtu tek energjia ujore, potenciali i Shqipërisë është shumë i madh në fushën e erës, ne kemi licensuar deri më tani 1700 mega  vat, natyrisht kuadri i përshtatshëm ligjor  është jetik për zhvillimin e këtij sektori.  Shqipëria  është një nga vendet më me diell në Rajon dhe në Europë.  Ka një potencial të madh energjie solare .  Ka një potencial real për bio-masën.

Qeveria mbetet e vendosur të bëjë gjithçka , të përparësojë  këtë sektor, ta shndërrojë këtë sektor dhe ta mbajë, pavarësish se nuk plotëson nevojat, sot mbi 98% e energjisë është ujore , ta mbajë këtë sektor si sektor me peshë kryesore . Natyrisht  qeveria konsideron dhe do të konsiderojë diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë pasi siç faktohet në mënyrë të përsëritur, natyra ka të papritura dhe surpriza të mëdha.  Ndaj të cilave çdo vend  duhet të jetë i përgatitur.

Ne jemi të vendosur të adaptojmë sistemin ligjor më të mirë, për blerjen e energjisë së rinovueshme. Të japim garancitë më të mëdha të mundshme, biznesit dhe investimeve, por sot që ne diskutojmë , në raport me sigurinë e investimeve të huaja, Shqipëria renditet në një nga 15 vendet e para . Sot për investimet dhe klimën e investimeve në tërësi,  Shqipëria renditet  5 deri ne 7 % më lart se mesatarja e  vendeve të OECD . Për regjistrimin e biznesit Shqipëria renditet  27 % më lart, se mesatarja e vendeve të OECD. 

Një nga sukseset e vërteta  dhe shumë e rëndësishme është Qendra Kombëtare e Liçensave dhe Lejeve, në të cilën u përfshi edhe sektori energjetik.   Një studim i bërë nga USAID  kohët e fundit, fakton se 96% e aplikuesve janë të lumtur ose shumë të lumtur me shërbimet që ofron kjo qendër.

Dua të garantoj investitorët  se çdo investim i tyre në këtë fushë, do të jetë një histori e vërtetë suksesi, jo vetëm për vendin tim, por para së gjithash për ata dhe financimin e tyre.

Faleminderit.


21/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›