E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nderon kujtimin e piktorit të madh shqiptar, me origjinë nga Ishmi Ibrahim Kodra

Gjatë vizitës që bëri në komunën e Ishmit, Kryeministri Berisha u ndal dhe vendosi një buqetë me lule, në vendin ku prehet piktori i madh shqiptar, me origjinë nga Ishmi Ibrahim Kodra.

Duke e vlerësuar piktorin, si një prej personaliteteve më të shquara të pikturë së shekullit të 20, kryeministri u shpreh se ky korife dëshmoi se shqiptarët janë një komb me potencial të madh krijues dhe se në këtë kontekst ka një premtim, për një të ardhme të shkëlqyer të arteve dhe të pikturës sonë.

Në mesazhin e tij kryeministri u shpreh”

“Ishmi i ka dhënë Shqipërisë dhe botës, kombit dhe Evropës, njërin prej personaliteteve më të shquara të pikturës së shek të 20, njërin nga kubistët më të mëdhenj, nga nxënësit më të shkëlqyer të Pikasos, i cili prehet sot, në këtë kodër në vendlindjen e tij.

Ibrahim Kodra u largua në vitet 30 nga Shqipëria, por gjithë jetën ruajti në zemër, në shpirt, frymëzimin që mori nga fëmijëria e tij, nga kjo zonë e mrekullueshme. U kthye në Shqipëri si nder i kombit dhe sot prehet duke lënë  një trashëgimi kulturore të madhe për shqiptarët, italianët dhe mbarë Evropën.

Ky korife, ky kolos i pikturës dëshmoi se shqiptari i lirë, me gjeninë  e tij krijuese mund të arrijë të gjitha nivelet, dëshmoi se shqiptarët janë një komb me potencial të madh krijues dhe në këtë kontekst ka një premtim për një të ardhme të shkëlqyer të arteve dhe të pikturës sonë.

Meqë jam këtu, nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për nderin e madh që i bëjnë kombit, korifenjtë e arteve pamore, por dhe për problemin që i krijojnë piktorët e dështuar. Këtu tek varri i Ibrahim Kodrës është vendi ku mund të lutem, zoti ti shpëtojë shqiptarët nga piktorët dështakë. Le të merren me gjëra të tjera, të merren dhe me bojra dhe të lyejnë pallate, por pikturën le tua lëne korifenjve.”

*  * *

Më pas, kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti Sokol Olldashi si dhe autoritete vendore të zonës vizitoi kalanë e vjetër të Ishmit.


19/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›