Kryeministri Berisha pret Presidentin e Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen në vizitën e tij të parë zyrtare si President i Kosovës, në Shqipëri, vizita e parë zyrtare kjo jashtë Kosovës, Kryeministri Berisha i rishprehu atij urimet e tij më të përzemërta për detyrën e re dhe i rikonfirmoi edhe një herë bindjen e tij të thellë se me përkushtimin dhe eksperiencën e tij do të përmbushë me sukses këtë detyrë të lartë.
Presidenti Pacolli e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore. Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ndodhet sot në Tiranë dhe takohet me Kryeministrin Berisha, Presidenti Pacolli i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe e falënderoi me mirënjohjen më të thellë për përkushtimin, angazhimin, vizionin dhe energjitë e tij të pashtershme në mbështetje dhe ndihmë të Kosovës e çështjes kombëtare.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore, të gjithanshme, midis dy vendeve e popujve dhe angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar bashkëpunimin më të ngushtë e të shkëlqyer në të ardhmen, duke e shndërruar kështu faktorin shqiptar në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit e miqësisë në rajon, në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, si edhe paqes, stabilitetit e miqësisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, ecjes përpara me shpejtësi drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian dhe në komunitetin euroatlantik.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shprehën angazhimin e të dy vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, bazuar kjo në kuadrin më të mirë e lehtësues ligjor, në veçanti për sa i përket bashkëpunimit në fushën ekonomike, bujqësore, investimeve të gjithanshme, infrastrukturave të rëndësishme që do lidhin dy vendet dhe mbarë rajonin. Në këtë kontekst, ata rikonfirmuan vullnetin për ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore që do të lidhin dy vendet dhe do të forcojnë shkëmbimet midis qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, përfundimin e rrugës së kombit dhe asket e tjera rrugore që lidhin dy vendet, nevojën për lidhje hekurudhore, si dhe fillimin e punimeve brenda të këtij viti të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë - Prishtinë.
Presidenti Pacolli vlerësoi, gjithashtu, reformat e jashtëzakonshme dhe arritjet e mëdha të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, të cilat kanë transformuar vendin dhe kanë bërë të mundur ecjen e tij përpara në drejtim të integrimit euroatlantik, siç ishte integrimi në NATO dhe rruga drejt integrimit në Bashkimin Europian. “Heqja e vizave për qytetaret shqiptarë është një mrekulli e vërtetë për të cilën shqiptarët do t’ju jenë përherë mirënjohës ju, zoti Kryeministër, dhe reformave të qeveria tuaj”, u shpreh President Pacolli.
Në takim u diskutua situata politike në rajon dhe u konfirmua rëndësia për vazhdimin e dialogut për të gjitha çështjet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili do t’i shërbejë lehtësimit të jetës së përditshme të qytetarëve të të dy vendeve. Gjithashtu, në takim u vlerësua fakti që Republika e Kosovës është shndërruar tashmë në një faktor real stabiliteti, paqeje e miqësie në rajon.
21/03/2011