E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të kryetarit të bashkisë së Sukthit, Yrjan Hasani

Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të kryetarit të bashkisë së Sukthit, Yrjan Hasani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 43 vjeçare.

Duke shprehur ngushëllime për familjarët, miqtë dhe të afërmit e të ndjerit Yrjan Hasani, Kryeministri Berisha u shpreh: “Erdha të shpreh nderimin tim më të thellë, dhimbjen, pikëllimin, për ndarjen shumë të parakohshme nga jeta të mikut, veprimtarit të shquar e të vendosur të Partisë Demokratike, qeveritarit vendor të talentuar, Qytetarit të Parë të Sukthit, kryetarit të bashkisë Yrjan Hasani, i cili punoi me aq përkushtim dhe dashuri për projektin e ndërtimit të kësaj bashkie, transformimit të saj dhe të shndërrimit në një vend më të mirë për të gjithë qytetarët.

Kjo është humbje e madhe, së pari për familjen, por është një humbje e madhe edhe për të gjithë komunitetin e bashkisë së Sukthit, Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.

Duke i shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, të afërmve, lutem së bashku me ta që shpirti i njeriut të tyre më të dashur e të mrekullueshëm, se Yrjani ishte një njeri i mrekullueshëm dhe e donin të gjithë, të gjejë paqen e merituar”.

Më pas, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias:

-       Pyetje: Zoti Berisha, në shembullin e zotit Hasani a keni ndonjë thirrje për t’i bërë klasës politike në këtë prag fushate?

Kryeministri Berisha: Mendoj se e tërë jeta e tij ishte një përkushtim ndaj këtyre qytetarëve, problemeve, halleve dhe derteve të tyre, projekteve të shumta për të ngritur këtu një infrastrukturë moderne të merituar. Jam i bindur se pasardhësi i tij do të vazhdojë me përkushtim të madh këtë rrugë.

Sikundër, ashtu siç kam deklaruar, e tërë kjo periudhë do të jetë për ne periudhë përkushtimi total ndaj problematikës së qytetarëve dhe të komuniteteve. Ne qëndrojmë dhe do qëndrojmë njëlloj si miku ynë, që u nda nga ne, me të gjithë forcën dhe potencialin për të përmbushur interesat më të mira të qytetarëve dhe komuniteteve ku ata jetojnë.


20/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›