Kryeministri Berisha: Shumë shpejt qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë në korridorin e shqiptarëve
Kryeministri Berisha inspektoi sot ecurinë e punimeve në tunelin Thirrë - Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit e kompanisë Bechtel dhe punonjësit e saj për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe për ritmet me të cilën po ecin punimet në këtë rrugë.
Kryeministri tha se do të jetë shumë e shpejtë dita kur të gjithë shqiptarët të kalojnë në këtë rrugë. “Këtë pranverë, do të themi të gjithë së bashku që korridori i shqiptarëve “u krye”, u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se tuneli Thirrë - Kalimash po kalon të kilometrin e tij të fundit.
Kryeministri Berisha ftoi gjithë shqiptarët të vizitojnë rrugën, duke nënvizuar se realizimi i saj është një përgjigje edhe për ata që nuk i kanë kursyer akuzat për këtë rrugë. “Më vjen ndërmend një dialog që kam pasur me një nga “armiqtë” e egër të rrugës, i cili në një moment nuk u përmbajt dhe lëshoi një seri kërcënimesh. Unë i thashë se rrugën do ta bëjmë dhe tashmë jam i bindur se përgjigjia ka qenë e merituar. Nuk mund t’i jap ndonjë emër më të bukur kësaj rruge sesa korridori i shqiptarëve”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë investimet në projektet e infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin. “Do të ndërtohet rruga e Arbrit, ne do ta bëjmë edhe atë, do t’i bëjmë të gjitha rrugët tona, sepse janë rrugë që shqiptarët i meritojnë”, vijoi Kryeministri.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Siç e shihni, nga Rrësheni deri këtu fluturova mbi trasenë e rrugës. Mund t’ju them se udhëtimi më emocional në jetën time dhe vizita më emocionale, ka qenë në Kosovë, kur unë kam vizituar për herë të parë këtë vend. Por udhëtimi i dytë më emocional ishte fluturimi mbi këtë rrugë, sepse ajo ka lëshuar shtat në të gjithë trajektoren e saj.
Më vijnë dy gjëra ndërmend: Së pari, do të jetë shumë e shpejtë dita kur të gjithë shqiptarët të thonë “u krye”, sepse na ka mbetur ky term në histori. Së dyti, më vjen ndërmend një dialog që kam pasur me një nga “armiqtë” e egër të rrugës, i cili në një moment nuk u përmbajt dhe lëshoi një seri kërcënimesh. Unë i thashë se rrugën do ta bëjmë, qoftë edhe me bizhutë e grave tona. Tashmë, duke ardhur në këtë rrugë, 1 herë dhe 1000 herë jam i bindur se përgjigjia ka qenë e merituar, se rruga duhej bërë dhe nuk mund t’i jap ndonjë emër më të bukur kësaj rruge sesa korridori i shqiptarëve
Të jem i sinqertë me ju, shikoja trasenë e kësaj rruge dhe mendja më shkonte te Rruga e Arbrit. Ne do ta bëjmë edhe atë, ne do t’i bëjmë rrugët tona sepse janë rrugë që shqiptarët i meritojnë.
Dua të falënderoj edhe njëherë dhe të përshëndes punonjësit, ndërtuesit e kësaj rruge, kompaninë e madhe Bechtel Enka, për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë. Tunelin nuk do të mundemi sot ta përshkruajmë të gjithin në këmbë,pasiështë shumëi gjatë dhe ai po kalon në kilometrin e tij të fundit. Ura tjetër ka përfunduar dhe ashtu siç ju e shihni,është disponibël. Këtë pranverë, do të themi të gjithë së bashku që Korridori i shqiptarëve “u krye”
I pyetur se cili ishte shkaku që po e vizitonte kaq shpesh këtë rrugë, apo ndoshta sepse ajo është më e përfolura, Kryeministri Berisha tha:
“Unë nuk prisja këtë pyetje, unë prisja pyetjen a do jem çdo javë në këtë rrugë. Mos u çudisni, sepse unë do të filloj të vij, sepse kjo rrugë e meriton ta vizitosh çdo javë. Ftoj qytetarët që tashmë të vijnë dhe ta vizitojnë këtë rrugë. Mandje, nëse ndonjëri prej jush mundet të bindë edhe Edi Ramën që të vijë dhe ta vizitojë, në të kundërt, do t’i çojmë foto të kësaj rruge që ta lëmë pa gjumë”
Bechtel Enka po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen –Kalimash, prej 61 km. Puna vazhdon në 29 urat e kësaj rruge. 19 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar dhe bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për urat e tjera. Këtë muaj ka përfunduar dhe ura më e lartë në segmentin e tretë, një urë prej 80 metra e lartë.
Në impiantet e prodhimit janë realizuar 526 trarë, 335 prej tyrë tashmë janë të instaluar. Deri tani janë kryer 92 për qind gërmime, pa përfshirë tunelin dhe mbushje 89 për qind.
Kompania Bechtel po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dy hyrjet veri – jug, paralelisht. Progresi total i gërmimeve në metër kub, i kombinuar në të dy galeritë e tunelit, është 92 për qind.
Aktualisht në këtë rrugë punojnë rreth 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh, po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme.
23/12/2008