Senati italian ratifikon në unanimitet Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Senati i Italisë ratifikoi sot pasdite në unanimitet protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Menjëherë pas ratifikimit të këtij protokolli nga Dhoma e Deputetëve, edhe anëtarët e Senatit italian dhanë njëherësh votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në letrën e saj drejtuar Kryetarit të Senatit Italian, Renato Schifani, Kryetarja e Kuvendit e falënderoi zotin Schifani për angazhimin e tij personal, duke bërë të mundur që procesi i ratifikimit të përmbyllej brenda kalendarit të ngjeshur të punimeve të këtij viti.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për senatorët italianë, për miqësinë dhe besimin e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO.
Për Kryetaren e Kuvendit fakti që Italia është në grupin e parë të vendeve që ratifikuan këtë protokoll është një tregues i përkrahjes së vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik.
Kjo votë unanime është shenjë e mbështetjes së plotë për Shqipërinë që ajo të rreshtohet si anëtare me të drejta të plota të NATO-s, krah vendeve të tjera të kësaj familjeje, me të cilët ndan të njejtat vlera të lirisë dhe demokracisë.