E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Steve Jobs, legjenda që do mbetet frymëzim i pashtershëm për energjitë krijuese të njeriut

Kryeministri Berisha shprehu sot, duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, keqardhjen për ndarjen nga jeta të Steve Jobs, bashkëthemeluesit të gjigandit Apple, duke e cilësuar atë “pararendës gjenial i të ardhmes”, i cili ndryshoi “më shumë se kushdo jetën e miliarda qytetarëve të planetit.” Më tej, Kryeministri u shpreh:

“Sot, kombi amerikan, njerëzimi dhe bota u zgjuan më të vegjël. Kjo, sepse Steve Jobs, njeriu që ndryshoi më shumë se kushdo tjetër kohën e tij, jetën tonë, jetën e miliarda qytetarëve të planetit, nuk është më.

Pararendës gjenial i të ardhmes, ai solli në duart tona, vizionin, ëndrrën e tij mahnitëse dhe i bëri të vërteta për ne të gjithë.

Steve Jobs, që nuk është më, por sot, ai duket si qiellor që na dhuroi ne, tokësorëve, universin e komunikimit, të trashëgimisë së madhe të muzikës, universin e internetit. Çdo njeri dhe njerëzimi në tërësi i detyrohen shumë e shumë atij.

Unë jam një ndër ata që e “takova” Steve Jobs në rininë time, natyrisht, jo vetë atë, por krijesën e tij të parë dhe për rastësi, unë jam një ndër ata që i detyrohem më shumë se të tjerët atij. Unë pata fatin të “takohem” me Mollën e Dytë [Apple 2], në vitet e errësirës më të madhe të vendit tim. Në laboratorin tim të Hemodinamikës, me ekipin që drejtoja, me ndihmën e “Mollës së tij të pare”, mundëm të realizojmë studime origjinale që u botuan në revistat e kardiologjisë më serioze në mbarë botën.

Ndjehem sot i lumtur që ndjenjat e mia për “Mollën” i ndaj me qindra dhe mijëra të rinj dhe të reja shqiptarë dhe që sot vendi im, Shqipëria, shndrit në hartën e perandorisë së Mollës që Steve Jobs ndërtoi dhe drejtoi. Vetëm pak muaj më pare, Molla e IPad në Tiranë u përzgjodh nga ai, si reklama javore e korporatës së tij gjigande.

Me këtë rast, dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, ekipit të korporatës së tij, kombit të madh amerikan dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Steve Jobs nuk jeton më, por legjenda e tij do të mbetet jo vetëm burim i madh drite për mendjen e njeriut, por frymëzim i pashtershëm për energjitë e tij krijuese.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Kjo deklaratë nuk ka të bëjë me çështjen kryesore të debatit sot, por Steve Jobs i përkiste çdo njeriu dhe mbarë njerëzimit, ndaj dhe unë nuk mund të lija pa shfrytëzuar rastin që nga kjo platformë të shprehja nderimin tim më të thellë.”


06/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›