E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret shefin e Misionit të EULEX në Kosovë, zotin Xavier Bout de Marnhac

Kryeministri Berisha priti sot në një takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX, zotin Xavier Bout de Marnhac.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe misionin e rëndësishëm të EULEX-it në Kosovë, si dhe i shprehu zotit De Marnhac mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.

Nga ana e tij, zoti Xavier Bout de Marnhac e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për mbështetjen që Kryeministri dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë Misionit të EULEX-it edhe të gjitha zhvillimeve në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë, shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik e të gjithanshëm në Kosovë.

Më tej, zoti De Marnhac e njohu Kryeministrin Berisha me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veçanti me situatën e krijuar në veri të saj, si dhe përpjekjet për mirëfunksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve doganore në zonën veriore të Republikës së Kosovës.  

Kryeministri Berisha i rikonfirmoi shefit të EULEX-it mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për përpjekjen e vendosur të qeverisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it në konsolidimin e mëtejshëm të rendit kushtetues dhe shtetit ligjor në komunat në veri të Kosovës, si domosdoshmëri jashtëzakonisht e rëndësishme për konsolidimin e mëtejshëm të paqes, sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të rajonit.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha i ripohoi zotit De Marnhac se qeveria shqiptare, ashtu siç ka kërkuar gjithnjë, është plotësisht e vendosur për një hetim të plotë të të gjitha pretendimeve të pabaza të raportit të Dick Martit dhe mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht me EULEX-in për një hetim të plotë, në mënyrë që e vërteta të dalë plotësisht në dritën e diellit.


05/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›