E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret deputetin e Bundestagut gjerman Roderich Kiesevetter

Kryeministri Berisha priti sot deputetin e Bundestagut gjerman Roderich Kiesevetter, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Republikës Federale Gjermane, znj Carola Müller-Holtkemper dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Z. Kiesevetter falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i uroi z Kiesevetter mirëseardhjen dhe falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë në gjithë këto vite në ndërtimin e sistemit demokratik dhe zhvillimin e vendit. Kryeministri e vuri theksin tek një seri projektesh të financuara nga qeveria gjermane e që u përuruan pak kohë më parë, projekte me rëndësi jo vetëm lokale, por edhe rajonale.

Deputeti i Bundestagut gjerman, Roderich Kiesevetter, theksoi se javët e ardhshme kanë një rëndësi themelore në tejkalimin e vonesave që ka shkaktuar bllokimi më se dy vjeçar i opozitës i ligjeve dhe vendimeve me rëndësi parësore për procesin e integrimit.

Kryeministri Berisha e njohu z. Kiesevetter me reformat e ndërmarra nga qeveria si dhe përpjekjet e saj për përmbushjen 12 prioriteteve të përcaktuara nga BE për marrjen e statusit “kandidat”. Kryeministri siguroi z. Kiesevetter për angazhimin e plotë politik dhe institucional të mazhorancës për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme legjislative që kërkojnë votim me 3/5, në konsensus të plotë me opozitën dhe të udhëhequr nga standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare. Kryeministri nënvizoi si të një rëndësie primare reformën zgjedhore, si dhe atë gjyqësore, miratimin e Avokatit të Popullit, etj. Ai çmoi se të gjithë objektivat mund të realizohen shpejt, nëse kthimi i opozitës në parlament bazohet realisht në vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për integrimin europian.

Kryeministri Berisha e quajti bllokimin e integrimit si një model të dështuar të z. Rama e të opozitës për të përmbushur objektivat politikë, me pasoja të rënda për vendin. Ai theksoi se zgjedhjet e 8 majit e konfirmuan plotësisht dështimin e këtij modeli. Vetëm bashkëpunimi me konsensus të mirëfilltë për interesat madhorë siguron avancimin e procesit të integrimit, u shpreh Kryeministri.

Z Kiesevetter vlerësoi angazhimin e Kryeministrit dhe mazhorancës së udhëhequr prej tij në përmbushjen e 12 prioriteteve. Ai mbështeti qëndrimin se politikat bllokuese të aplikuara nga opozita e nuk duhet të gjejnë mbështetje, dhe u shpreh se duhet bërë çmos nga të gjitha palët në kapërcimi e ngërçit në lidhje me ligjet dhe votimet me shumicë të cilësuar. 

Në përfundim Kryeministri falënderoi z. Kiesevetter për rolin e tij dhe atë të qeverisë dhe parlamentit gjerman në liberalizimin e vizave, duke theksuar se Shqipëria është shembull i suksesit të këtij procesi.


13/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›