E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryerabinin e Izraelit, Jona Mecger

13 shtator 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite në Presidencë, Kryerabinin e Izraelit, Jona Mecger dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm Rabini Joel Kaplan që drejton sinagogën hebreje në Tiranë, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Pasi i uroi mirëseardhjen dhe pasi shprehu kënaqësinë e këtij takimi të veçantë, Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e këtyre takimeve, “pasi janë tregues të qartë jo vetëm të marrëdhënieve shumë të mira miqësore e tradicionale që ekzistojnë midis dy vendeve tona, por shërbejnë për forcimin tyre, si dhe për konsolidimin e dialogut konstruktiv mes popujve dhe qytetërimeve të ndryshme”.

Presidenti Topi vuri në dukje shembullin e rrallë të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare dhe etnike të popullit shqiptar duke u shprehur se “vlera të tilla, paqja e dialogu, janë shumë të rëndësishme për një komb, për zhvillimin e gjithanshëm të tij”, dhe në këtë kuadër siguroi se bashkësia hebreje, i njohur tashmë zyrtarisht si bashkësi fetare në Shqipëri, do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga shteti shqiptar dhe institucionet e tij në ushtrimin e hebraizmit në vend.

Kryerabini i Izraelit, Jona Mecger, nga ana e tij, pasi falenderoi Presidentin Topi për mikëpritjen e ngrohtë e miqësore dhe për mirëkuptimin e plotë, vlerësoi lart harmoninë dhe tolerancën që kanë karakterizuar në shekuj bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si dhe shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për gjestin fisnik e shumë njerëzor të popullit shqiptar, “të besës”, në mbrojtje dhe shpëtim të hebrenjve gjatë Holokaustit.

Gjithashtu, Kryerabini Mecger, duke bërë një prezantim të shkurtër të riteve fetare hebraike, por dhe të punës së sinagogës tashmë të çelur para pak muajsh në kryeqytetin shqiptar, shprehu dëshirën dhe besimin, se edhe komuniteti fetar hebraik, do të vijojë të ketë përkrahjen e mbështetjen e nevojshme nga populli e shteti shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›