E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën “Drejt një qeverisje më të mirë në Shqipëri” organizuar nga Banka Botërore

Kryeministri Berisha përshëndeti sot paradite, punimet  e konferencës “Drejt një qeverisje më të mirë në Shqipëri”, të organizuar nën kujdesin  e Bankës Botërore.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha falënderoi BB për organizimin e kësaj konference e cila trajton  çështjen me themelore te çdo qeverisje që është performanca  e saj apo qeverisja e mirë.

Më pas, kryeministri Berisha bëri një paraqitje të arritjeve të qeverisë shqiptare në disa prej drejtimeve më themelore; si në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimin e shtetit ligjor, si kushtin e të gjitha kushteve për të garantuar liritë dhe të drejtat e individit; në angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, duke  e cilësuar këtë luftë përcaktuese në suksesin  etë gjithë reformave të tjera. Kryeministri foli ndër të tjera  edhe për  përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë në përsosjen dhe modernizimin e sistemit arsimor në Shqipëri; për shtrirjen e teknologjisë dixhitale në shumë procese jetike në vend, etj

Kryeministri Berisha ftoi që çdo zyrtar, duke nisur në radhë të parë nga vetja  e tij të bëjë gjitha përpjekjet maksimale për një qeverisje sa më të mirë, në dobi të qytetarëve, duke përmirësuar në vazhdimësi performancën e saj.

Së bashku me Kryeministrin, merrnin pjesë në këtë konferencë Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafaj, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë znj. Jane Armitage, drejtues të tjerë të BB, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare prezente në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, etj

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht BB, për organizimin e kësaj konference në çështjen me themelore te çdo qeverisje që është performanca  e saj apo qeverisja e mirë.

Për çdo zyrtar, çdo qeveritar, Presidenti i SHBA-ve Ronald Regan ka lënë një porosi, të cilën unë do ta quaja porosi e artë. Regan thotë: “Qeveria është problemi”. Asnjë qeveritari apo zyrtari që dëgjon këtë për herë të parë, kjo nuk i pëlqen, por ata të cilët duan të shohin me realizëm, ata të cilët duan të mbështeten në realizëm e kuptojnë shpejt se kjo është një nga të vërtetat më të mëdha, më të rëndësishme, të cilën ata duhet ta mbajnë gjithnjë , në çdo moment para sysh. Në këtë parim qëndron dhe motivimi dhe përkushtimi dhe vizioni i zyrtarit dhe qeveritarit për tu përpjekur me të gjitha mundësitë për një përsosje të vazhdueshme, për një zvogëlim të vazhdueshëm të qeverisë si problem, për të përmirësuar eficencën e saj.

Në qoftë se ju për një moment do të përfytyroni qeverisjen si një mekanizëm, unë ju garantoj ju se mekanizimi më i përshtatshëm i saj do të ishte një mekanizëm  labirintik, dhe i mundimshëm për qytetarët, ndaj dhe është në detyrën tonë që çdo ditë, çdo muaj, çdo vit të përpiqemi të përmirësojmë punën tonë, qeverisjen tonë. E tëra reduktohet në raport me atë që ne i ofrojmë qytetarit.

Qeveria gjatë këtyre viteve ka bërë përpjekje të mëdha, është përballur me sukses në zbatimin e ligjit, në zbatimin e shtetit ligjor si kusht i të gjitha kushteve për të garantuar liritë dhe të drejtat e individit, për të garantuar funksionimin e ekonomisë së tregut. Në këtë kontekst, lufta kundër krimit të organizuar përbën një ndër drejtimet më kryesore të qeverisë. Agjencitë e zbatimit të ligjit në këtë proces kanë dëshmuar  rritje të madhe të eficencës së tyre, kanë dëshmuar partneritet të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtare, kanë dëshmuar përgjegjësi të lartë në zbatimin e ligjit. Larg qenies të përsosura, por në një hark kohor të shkurtër, popullata e burgjeve të këtij vendi është dyfishuar. Të ndara në këtë indeks, jo se është një pasion i madh, aspak, të dyfishohet popullata  e burgjeve, por kjo është një dëshmi e pakundërshtueshme  e punës që bëjnë togat e zeza, të cilët megjithë kritikat jo të pabazuara, sërish në tërësi qëndrojnë në lartësinë  e ligjit, të punës që bëjnë organet dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit. Këtu do të ndalemi. Këto arrije dhe këto suksese kanë një kusht përcaktues, përsosjen dhe konsolidimin e mëtejshëm. Asgjë nuk mund të marrim si të dhënë e të qëndrueshme njëherë e përgjithmonë. I tillë nuk është asnjë proces. Qeveria është angazhuar në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Nuk ka armik më të egër për njeriun e lirë se sa korrupsioni. Korrupsioni është mathematriks i të gjitha fenomeneve negative në një shoqëri. Lufta kundër tij është përcaktuese në suksesin e të gjitha reformave të tjera. Asnjë reformë nuk mund të ketë sukses, pa një luftë eficente kundër korrupsionit. Në qoftë se ne vendosim në themel parimin se “nuk ka imun ndaj korrupsionit”, askush nuk është imun ndaj korrupsionit . Për definicion luftën kundër tij duhet ta fillojmë nga vetja jonë. Ne gene njeriu ka lakminë. Ai e ka të lindur atë, pavarësisht nga etnia, nga shkolla, nga rraca. Nuk e ndan asgjë Rrapush Xhaferrin me Madoffin apo Magrakin. E vetmja gjë është se ai ishte një sharlatan i pashkolluar, kurse ata deshendentë të elitës financiare më të shquar të botës. Barazia e tyre ishte në genet e babëzisë. Ndaj dhe çdo njeri që kërkon me përkushtim të luftojë korrupsionin do mun d të ketë sukses në se vendos që këtë luftë ta nisë nga vetja  e tij. Ta nisësh këtë luftë nga vetja do të thotë  të përcaktosh rregullat, procedurat më transparente, në mënyrë  që e gjithë veprimtaria të dalë në rreze të diellit, do të thotë që të kesh vullnet të pashtershëm për një luftë permanente kundër tij. Arritjet janë të pamohueshme.Në sajë të një vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe të reformës fiskale, ky vend është i vetmi në Evropë që ka dyfishuar të ardhurat nga taksat dhe tatimet nga viti 2004 krahasuar me vitin 2009. Kanë qenë 97 miliard lekë dhe janë bërë 188 miliard. Në sajë të këtij vullneti dhe vetëm të këtij vullneti ky vend vendosi i pari në botë, sistemin  100 për 100 te prokurimeve elektronike, në sajë dhe të ndihmës që na dha USAID, për të cilën unë jam shumë mirënjohës. Ju garantoj se 90 % e vendeve te Evropës mund ti vendosnin ato dhe mund ti kishin vendosur 10 vite para Shqipërisë, por siç do të thoshte në një takim, themeluesi i Transparence International, u mungon kjo dëshirë. “Kryetarit tim të bashkisë i mungon kjo dëshirë - do të thoshte ai- sepse do të përcaktojë në një mënyrë ose në një tjetër fatin e tenderave në qytetin tim”.

Shqipëria ka patur një panair të shëmtuar korrupsioni, në pranimet universitare. Sot, ka zero korrupsion në pranimet universitare. Shqipëria ka nivelet më të ulëta të korrupsionit në regjistrimin  e biznesit. Ka bërë një luftë eficente kundër korrupsionit në licencat dhe lejet, duke hequr dy të tretat e tyre. Ka mbetur një e treta  dhe është bashkuar në One Stop Shop në Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve, por këto rezultate, të cilat janë të rëndësishme, si dhe të tjera kërkojnë një thellim të mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit, kërkojnë një politikë penale më të ashpër. Task Forcat e krijuara kanë penalizuar çdo vit qindra zyrtarë të niveleve të ndryshëm, por ato do të faktojnë se në raport me këtë vepër penale, zyrtarët e të gjithë niveleve dhe qytetarët e të gjithë niveleve janë të barabartë para ligjit.  Duke mirëpritur përpjekjen e tyre, duke  e vlerësuar atë, unë mendoj se është në dorën e tyre që ti bëjnë një shërbim të madh vendit. Të garantojmë barazi të plotë para ligjit, të gjithë atyre që bëjnë një vepër të tillë. Në të gjithë reformat ka një qëllim, parandalimin  e korrupsionit dhe nuk ka mjet më eficent se sa reformat për ta luftuar atë. Problemet që lidhen me pronësinë janë një problem serioz, janë një problem, i cili duhet të marrë zgjidhje para së gjithash me regjistrin dixhital të tokës. Banka Botërore, Komisioni Evropian kanë angazhuar fonde dhe ndihmë në këtë drejtim. Qeveria ka krijuar një Task Force të kryesuar nga kryeministri, duke e konsideruar regjistrin e pronës, pas regjistrit të gjendjes civile, regjistrin më themelor të këtij shteti. Ky regjistër është kusht vendimtar për të zvogëluar rolin e faktorit pronë, si gjenerator aktesh korruptive ne administratë. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për transparencën e financave publike. Ka miratuar ligjin organik të buxhetit të shtetit, ka vendosur standarde të reja në punën e taksave dhe doganave. Sërish në këto sektorë, rregullat dhe transparenca duhet të thellohen. Lufta permanente ndaj korrupsionit është një kusht sin equanon.

Zonja dhe zotërinj,

Ekonomia shqiptare në këtë periudhë jo të favorshme ekonomike për Evropën dhe botën ka dëshmuar veten si një ekonomi tregu që i rezistoi më  mirë se të tjerat krizës. Dhimbja ime më e thellë është se modeli i saj është shkaku kryesor. Kjo është një ekonomi, e cila bazohet në një qeveri të vogël, në taksa të ulëta , në investime të mëdha në raport me vendin. Por, këtu janë një seri reformash të ndërmarra, të cilat kanë bërë të mundur performancën ekonomike të ekonomisë shqiptare, më mirë se ekonomitë  e tjera , në kushtet e një krize të thellë.

Janë masat që u morën për të zvogëluar barrën burokratike mbi biznesin, janë masat që u morën për të zvogëluar barrën fiskale mbi biznesin, janë masat që u morën për të krijuar një klimë më të përshtatshme, më miqësore për biznesin, ato që kanë bërë që ekonomia të ruajë rritje, që kursimet të kenë një rritje dyshifrore, që krediti të jetë dyshifror, ato që kanë bërë që Shqipëria vitin që kaloi të jenë i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja, ato që kanë bërë që një hark kohor 5 vjeçar të trefishohen eksportet brenda këtij viti që vjen, të trefishohen në 4 vite, nga 2006 në 2010 investimet direkte të huaja. Për herë të parë vitin  e kaluar Shqipëria mori 1,97 miliard dollarë investime. E vërteta është që kapacitetin e ka për të paktën 4 miliard dollarë investime të huaja direkte, por arritja është inkurajuese. Kërkohet që më tej të zhdërvjelltësohen të gjitha procedurat. Duhet që me shpejtësi të instalojmë portalin  e monitorimit, të gjithë burokracisë në raport me biznesin dhe puna për këtë ka nisur. Biznesi duhet të kontrollojë qeverinë në çdo qelizë për qëndrimin ndaj dokumentacionit.

Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të kapur moshën dixhitale. E nisëm me nivelet më të ulëta që mund të ekzistonin. 2006 shënonte një penetrim të internetit me 4.8 përqind në shoqërinë shqiptare, gjë e cila nuk i përgjigjej aspak urisë së shqiptareve për internet. Fakti që në një hark të shkurtër kohor kjo shifër është 50 %, fakti që Shqipëria ka nivelet më të larta të facebook-ut, na pëlqen apo nuk na pëlqen, pasi fëmijët harxhojnë shumë kohë, ai është rrjeti më social i komunikimit që ekziston mbi tokë,pra,  tregon  për një ecje të shpejtë drejt moshës dixhitale. Mosha dixhitale është mosha më e shpejtë, mosha më transparente. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar qeverisjen tonë, të shtrijmë procedurat dixhitale në çdo qelizë të veprimtarisë sonë. Rruga më  e sigurtë për të dalë në rrezet e diellit.

Qeveria ka bërë  një përpjekje të madhe për arsimin dhe do të thoja se në rrafshin sasior rezultatet janë të pamohueshme. Në një hark kohor të shkurtër, në këtë vend përqindja e nxënësve që mbarojnë klasën e 9 dhe vazhdojnë shkollën e mesme ka arritur në 90 % duke kapur një prej niveleve më të larta që ekziston sot. Po kështu përqindja e nxënësve që mbarojnë maturën dhe shkojnë në universitet ka arritur mbi 70 %. Interneti është shtrirë në çdo shkollë. Rrogat e mësuesve janë rritur nga 2006 deri më sot me 120 %. Por të gjitha këto, në tërësinë e tyre janë rezultate në fushën e sasisë. Jetike për zhvillimin për përmirësimin e qeverisjes është cilësia. Disa shenja, disa të dhëna paraprake janë inkurajuese. Në vlerësimin e fundit të Pisa, nxënësit shqiptarë dalin se qëndrojnë në çatinë  e botës për sa i përket leximit të librave jashtëshkollorë dhe kënaqësisë së këtij leximi, duke lënë mbrapa disa vende të zhvilluara në matematikë dhe në shkenca, por gara e cilësisë në arsim është një nga garat më të vështira, më jetike.

Ndaj dhe ne duhet të thellojmë më tej reformën, duhet të bëjmë gjithçka në drejtim të cilësisë së arsimit në të gjitha ciklet  e tij.

Unë rendita këtu disa arritje, do ta mbyll prapë me atë porosi të madhe që Ronald Regan ka lënë për të gjithë ata që duan të qeverisin me realizëm. Prapë mund  të them se qeveria është problem, ndaj dhe ju ftoj, me përkushtim të madh të punojmë për ta përsosur me tej atë.


13/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›