Kryeministri Berisha: Uniteti kombëtar për të vlerësuar sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet, në të gjitha trojet shqiptare, fryma e kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë
Kryeministri Berisha u shpreh sot, në Komitetin për 100 vjetorin e Pavarësisë, se fryma e kremtimeve për këtë shekull pavarësi do jetë uniteti kombëtar për të vlerësuar sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet, kudo, në të gjitha trojet shqiptare. Kryeministri theksoi se 100 vjetori duhet të shërbejë si një thirrje për një vështrim tërësor të sakrificës së shqiptarëve për liri e dinjitet, kudo ku ka ndodhur dhe kudo që ata janë.
“Është e domosdoshme - u shpreh Kryeministri - të rikonceptohet edhe një herë, në interesin më të mirë të unitetit kombëtar, sakrifica kombëtare, e cila ka qenë e jashtëzakonshme dhe nuk mund të pranojmë që të ndryhet në banesën e harresës apo të mbetet lokale.”
Kryeministri Berisha prezantoi disa nga aktivitet e pritshme në Kosovë e Shkup, në këtë kuadër. “Nuk duhet harruar se deri para vitit 1912, Shkupi ishte epiqendra e shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, se Kuvendi i Shkupit ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme, për t’u shkëputur nga autonomia dhe për të kaluar në tezën e pavarësisë,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa lajmëroi edhe vizitën e tij, të premten, në Kosovë, për kremtimin e vendosjes së shtatoreve të dy patriotëve të shquar atje, Ali Ibra dhe Isa Boletini.
Kryeministri Berisha mbështeti propozimin e anëtarëve të Komitetit për rikthimin e himnit kombëtar në formën e tij të plotë, duke i rikthyer strofën “e përzënë nga stihia ateiste”, në formën që e shkroi Asdreni. “Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, sepse Zoti dhe kombi janë një e të pandarë, në sensin që dashuria për kombin dhe vendin buron nga fryma e Zotit.”
Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu të vazhdojë evidentimi i ngjarjeve më të mëdha të këtij shekulli. Ai e konsideroi një boshllëk mungesën ende të një monumenti kushtuar dëshmorëve të kombit që ranë në luftën çlirimtare të Kosovë.
“Kjo luftë, - tha Kryeministri - ishte një luftë që bashkoi kombin, në traditën më të mirë të tij: e bashkoi në përpjekjen për çlirim, në përpjekjen për të përballuar spastrimin etnik dhe dëbimet masive të shqiptarëve nga Kosova dhe kjo duhet të bëhet element monumental, në nderimin e vet. Është shumë e rëndësishmeqë të rënët e kombit të nderohen kudo, pavarësisht se kanë rënë në territorin e Shqipërisë, të Kosovës apo trojeve të tjera shqiptare.”
Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e Komitetit për 100 vjetorin e pavarësisë.
“Po afrohet periudha e veprimtarive intensive, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë. Vendimi i djeshëm i Komisionit Europian, në këtë kuadër, merr një rëndësi edhe më të madhe. Ai është një sanksionim tjetër i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Vokacion, i cili qëndron në vete thelbin e identitetit të tij.
Në tërësi është bërë një punë serioze. Në këtë kuadër, nesër në Kosovë zhvillohen dy ngjarje shumë të rëndësishme: Në Gjakovë, vendoset shtatorja e Ali Ibrës dhe në Deçan, shtatorja e Isa Boletinit. Të dy udhëheqës të shquar. I pari i Lidhjes së Prizrenit dhe i dyti, i kryengritjeve të pavarësisë.
Veprimtari të rëndësishme janë parashikuar edhe në Shkup. Nuk duhet harruar se deri para vitit 1912, Shkupi ishte epiqendra e shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, se Kuvendi i Shkupit ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme, për t’u shkëputur nga autonomia dhe për të kaluar në tezën e pavarësisë.
Në tërësi është bërë përpjekje që të shënohen ngjarje të mëdha të këtij shekulli, por sërish ka boshllëqe. Ndaj duhet të vazhdojmë të mendojmë për çka është e domosdoshme që të nxirret më në pah. Ne kemi monumentin “Nënë Shqipëri” kushtuar dëshmorëve të kombit dhe kjo është shumë mirë, por nuk ka një monument kushtuar dëshmorëve të kombit që ranë në Kosovë, në luftën çlirimtare të Kosovës, pa të cilën, ne do ta festonim pavarësinë, si një trup gjysmë i paralizuar. Nuk ka një memorial kushtuar atyre. Kjo luftë ishte një luftë që bashkoi kombin, në traditën më të mirë të tij: e bashkoi në përpjekjen për çlirim, në përpjekjen për të përballuar spastrimin etnik dhe dëbimet masive të shqiptarëve nga Kosova dhe kjo duhet të bëhet element monumental, në nderimin e vet. Është shumë e rëndësishme që të rënët e kombit të nderohen kudo, pavarësisht se kanë rënë në territorin e Shqipërisë, të Kosovës apo trojeve të tjera shqiptare. Duhet të kemi një koncept të unitetit kombëtar dhe uniteti kombëtar është më i kristaltë se kudo tjetër, në sakrificën sublime të bijave e bijve të kombit. Ndaj ky 100 vjetor duhet të na shërbejë si një thirrje për një vështrim tërësor të të gjithë sakrificës së shqiptarëve për liri e dinjitet, kudo ku ka ndodhur dhe kudo që ata janë.
Mbeta jashtëzakonisht i impresionuar gjatë vizitës në një shkollë, kur një nxënëse e klasës së 8-të paraqiti në diapozitiv historinë e 100 vjetorit, një histori e shkruar në të gjitha trevat shqiptare. Ndaj është e domosdoshme që të rikonceptohet edhe një herë, në interesin më të mirë të unitetit kombëtar, sakrifica kombëtare, e cila ka qenë e jashtëzakonshme dhe nuk mund të pranojmë që të ndryhet në banesën e harresës apo të mbetet lokale. Liria kombëtar është një dhe e pandarë. Ajo nuk mund të ndahet. Ky duhet të jetë koncepti që do na udhëheqë në nderimin dhe në vlerësimin e sakrificës shqiptare për liri, në të gjitha trojet etnike shqiptare, në të cilat, fatmirësisht, shqiptarët aty ku janë, janë shumicë etnike, janë vazhdimësi gjeografike. E theksoj edhe një herë, shqiptarët nuk kanë asnjë varr në territore në huaja. Të huajt kanë me qindra e mijëra varre në territoret shqiptare, ndërsa shqiptarët nuk kanë në territore të tjera. Ndaj është shumë e domosdoshme që të bëhet një rivlerësim tërësor, unik i sakrificës kombëtare për liri e dinjitet. Kjo është thirrja e këtij 100 vjetori.
Sikundër jam dakord me një propozim që u bë këtu, që himni kombëtar të rikthehet në formën e tij të plotë. Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, sepse Zoti dhe kombi janë një e të pandarë, në sensin që dashuria për kombin dhe vendin buron nga fryma e Zotit. Ndaj unë jam që të shihen të gjitha modalitetet, si të kthehet kjo strofë e përzënë nga stihia ateiste dhe të bisedohet edhe me Akademinë, Institutin, kompozitorët. Mendoj se himni duhet të kthehet në variantin e tij të plotë, ashtu siç e shkroi rilindësi i madh Asdreni.”
11/10/2012