E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton Kuvendin Komunal të Gjakovës

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Kosovë, në kuadrin e kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, vizitoi Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku u prit nga kryetari i saj Pal Lekaj dhe anëtarët e tij. Në këtë vizitë, ishte e pranishme edhe Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.

Kryeministri Berisha i shprehu Kuvendit Komunal të Gjakovës falënderimin për ftesën për të marrë pjesë në nderimin e një prej figurave të shquara të kombit shqiptar, të periudhës së Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibër Nezaj, shtatorja e të cilit, vendoset sot, në qendër të Gjakovës.  

Kryeministri Berisha iu drejtua Kuvendit Komunal me një fjalë, në të cilën u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për ftesën që më bëtë për të nderuar sëbashku një nga komandantët legjendarë të kombit shqiptar, në përpjekjet e tij për liri e dinjitet, Ali Ibër Nezaj.

Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit ka mesazhin e përjetshëm të bashkimit të shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet. Ky mesazh ishte dhe është frymëzues për shqiptarët dhe është një detyrim madhor i çdo shqiptari që të punojë në frymën e këtij mesazhi të madh, sepse kjo është rruga e përjetësisë së kombit, kjo është rruga e zhvillimit të kombit.

Ne sot jemi të lirë dhe po në këtë frymëzim, ne ecim të bashkuar drejt një qëllimi të madh, integrimit tonë në Bashkimin Europian. Sikundër, siç është provuar në mënyrën më të përsëritur, në çdo rrethanë, ne jemi një dhe do të mbetemi një komb. Ne kemi pësuar gjatë historisë, padrejtësi ndër më të mëdhatë. Atëherë, kur ishim kombi më i madh i Ballkanit, u vërsulën mbi ne barbarisht, por, ne prapë sot jemi të lirë e të vendosur të qëndrojmë të lirë në trojet tona, të vendosur të punojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për bashkimin tonë, në të gjitha vlerat e mëdha të kombit e të Europës.”


12/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›