E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vlerëson dy kandidaturat për postin e Kryetarit të KQZ-së

Kryeministri Berisha, pak para se të niste procesi i votimit në Parlament për postin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vlerësoi dy kandidaturat e sjella për votim, znj. Lefteri Lleshi dhe znj. Marsida Xhaferllari, të përzgjedhura mes 18 aplikantëve që konkuruan për këtë post.

Kryeministri tha se këto dy zonja kanë marrë pjesë dhe në procese zgjedhore të tjera dhe kanë treguar integritet dhe profesionalizëm, duke i garantuar ato se kanë vlerësimin e palëkundur të qeverisë për punën e tyre të përgjegjshme.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin edhe për kontributin z. Arben Ristani, në krye të KQZ-së, duke theksuar se ai, me  me një vendosmëri, me civilitet e qytetari, përballoi vështirësi të jashtëzakonshme të krijuara nga tensione politike të pa merituara që u adresuan drejt tij.

Në komentin e tij për këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Këto dy zonja kanë marrë pjesë dhe në procese zgjedhore dhe kanë treguar integritet dhe profesionalizëm dhe i garantoj se kanë vlerësim të palëkundur nga qeveria për punën e tyre të përgjegjshme që kanë bërë.

Por, një vlerësim të veçantë unë dua të shpreh për zotin Arben Ristani, i cili, me një vendosmëri, me civilitet e qytetari, përballoi vështirësi të jashtëzakonshme të krijuara nga tensione politike të pa merituara që u adresuan drejt tij. Dua të garantoj zotin Ristani se për mua është kënaqësi e veçantë të vazhdoj bashkëpunimin me të dhe të theksoj se ka pasur mirëkuptimin tim të plotë kur vendosi të mos kandidojë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për faktin se ishte i pari  kryetar në historinë e këtij parlamenti që zgjidhej me konsensusin e të gjitha forcave politike. Për arsye të caktuara, PS ia hoqi konsensusin dhe zoti Ristani deklaroi para shumë javësh se ai nuk do të ishte më kandidat për në KQZ. E falënderoj përzemërsisht.

Por ju mos u bëni merak se në krah timin do ta keni në të gjitha betejat e ardhshme dhe në pozicione të rëndësishme. Por unë po i bëj këtë falënderim se ai po shkëputet nga një detyrë shtetërore, të cilën e kreu me dinjitetin më të madh dhe nga e cila po largohet për shkakun e vetëm sepse ju e prishët konsensusin për emërimin e tij.

Edhe njëherë le t’i falënderojmë të katër këta zotërinj që sot nuk i votojmë më në parlament”.


11/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›