Kryeministri Berisha: Vendet e BE, optimiste për zgjidhjen e krizës financiare ndërkombëtare

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e samitit të Partive Popullore Europiane, EPP, që u zhvillua në Bruksel. Punimet e samitit u përqëndruan kryesisht në çështjen e krizës financiare në tregjet ndërkombëtare.
Kryeministri Berisha theksoi, pas punimeve të samitit, se arritja më e rëndësishme e këtij takimi ishin tonet optimiste të shprehura nga pjesëmarrësit për përballimin dhe kapërcimin e krizës. Pas planit me 6 pika të miratuar në Paris, bisedimeve intensive që janë zhvilluar në Uashington, kriza duhet se është frenuar dhe se do të shkohet progresivisht drejt zgjidhjes së saj. Në samit u theksua se ky qëndrim dhe ky plan me 6 pika i Eurogrupit, duhet të shtrihet edhe jashtë zonës së euros. Gjithashtu, pjesëmarrësit në samit ndanë të njëjtin mendim se duhet të mbahen kontakte intensive me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të bërë të mundur qëndrime sa më të përafërta.
Kryeministri Berisha u shpreh se ajo që mbizotëroi në të gjitha diskutimet e personaliteteve të larta pjesëmarrëse në samit, si nga Kancelarja gjermane Merkel, Kryeministri francez, Françoise Fillon, Kryeministri italian Berluskoni, Shefi i Eurogrupit Jean Claude Juncker, ishte bindja optimiste e shprehur prej tyre për kapërcimin e komponentit financiar të krizës.
Në samit pati diskutime të rëndësishme edhe për situatën në Gjeorgji, për problemet në Ukrainë, për të cilat u dëgjuan mendimet e përfaqësuesve të lartë të këtyre vendeve, si dhe u shpreh mbështetja për përpjekjet e tyre europiane.
Kryemministri Berisha shfrytëzoi rastin në punimet e këtij samiti për të bashkëbiseduar me kryeministra të vendeve pjesëmarrëse dhe personalitete të tjera dhe për të kërkuar prej tyre shpejtimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga vendet e tyre. “Të gjithë kryeministrat dhe personalitetet e larta të shteteve që unë takova më premtuan, pa përjashtim, se do ta shpejtojnë këtë proces. Të gjitha këto vende kanë një qëndrim shumë dashamirës për ratifikimin e protokollit”, u shpreh Kryeministri.
Gjatë punimeve të samitit, Kryeministri Berisha pati bisedime edhe me Kryeministrin e Italisë Silvio Berluskoni, me të cilin u ra dakord që vizita e tij në Tiranë të shpejtohet. “Lidhur me rezultatet e ndeshjes mes ekipit të Tiranës dhe ekipit të Milanit dje në Tiranë, i thashë homologut italian se nuk kishte arsye përse ai të ndjente keqardhje për humbjen e skuadrës së tij, pasi dje ka qenë dita e parë e fushatës sime elektorale”, theksoi Kryeministri.
Në këtë samit morën pjesë personalitete të njohura të politikës europiane, kryetarë institucionesh të Bashkimit Europian, kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE-së. Pjesëmarrës në këtë samit ishin Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, Presidenti i Parlamentit Europian, Hans-Gert Poettering, Kryeministri i Francës, Françoise Fillon, Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, Kryeministri i Gjeorgjisë, Mikael Sakashvili, Kryeministrja e Gjeorgjisë, Julia Timoshenko, Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevksi, Presidenti i Rumanisë, Trajan Basescu, Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, Kryeministri i Hollandës Jan-Peter Balkenende, Presidenti i EPP-së, Ëilfried Martens, Sekretari i Përgjithshëm i EPP-së, Antonio Lopez-Isturiz, Kryeministri i Maltës, Laërence Gonzi dhe shumë personalitete të tjera.
15/10/2008