E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vendosja e sigurimeve shoqërore për punëtorët në familje, respekton parimet njerëzore të një vendi të lirë

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se do të trajtohet çështja e vendosjes së sigurimeve shoqërore në një nivel të ulët të pranueshëm, për punëtorët në familje.

Kryeministri shprehu bindjen se ky hap do të gjejë mirëkuptim të gjerë nga e gjithë shoqëria, pasi i jep  mundësinë një kategorie të caktuar punëtorësh të investojnë për pensionin e tyre.

Duke e vlerësuar këtë masë, si një hap shumë të rëndësishëm njerëzor, Kryeministri u shpreh se në këtë mënyrë respektohen  disa parime njerëzore të domosdoshme për çdo vend të lirë.

“Një ndër çështjet e rëndësishme që do të trajtojmë sot, është vendosja e sigurimeve shoqërore në një nivel të ulet të pranueshëm, njëlloj me të punonjësve me kohë të pjesshme (part-time), për punëtorët në familje. Mendoj se kjo do të ketë një mirëkuptim të gjerë nga e gjithë shoqëria sepse është e domosdoshme që dhe këta burra apo gra, të rinj apo të reja të kenë shansin e investimit për pensionin e tyre. Sigurisht këtu do të vendosen ato nivele taksash që janë të parashikuara për punonjësit me kohë të pjesshme dhe nuk kalojnë mbi 10 mijë lekë në vit.

Ne këtë mënyrë bëhet  një hap shumë i rëndësishëm njerëzor, i cili nuk ka të bëjë aspak me arkën e publikut, por ka të bëjë me disa parime njerëzore të domosdoshme për çdo vend të lirë.”


05/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›