E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron për fitoren Presidentin e zgjedhur të SHBA-ve Barack Obama

Sot, bota është ndryshe, sepse ndryshe janë vendi lider i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky ndryshim vjen jo vetëm për ndryshimin e pushtetit. Qytetarët e Shteteve të Bashkuara, pas një fushate 21 mujore, votuan kandidatin që i dhuroi këtij vendi të madh fushatën më të bukur dhe më shpresë ndjellëse në tërë historinë e Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe bota me këtë votë shënojnë një triumf të madh. Kurrë në histori, ky vend dhe bota e lirë nuk ka qenë më e drejtë se sot. Kombi i lirisë zgjedh për president një personalitet që i përket pakicës me origjinë afroamerikane në këtë vend të madh, por që ka derdhur lumenj djerse për ndërtimin dhe lirinë e tij dhe të botës.

Presidenti i zgjedhur Barack Obama shënoi fitoren më të thellë në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe zgjedhja e tij e ka bërë këtë vend të madh më të bashkuar se kurrë. Zgjedhja e Presidentit Obama është realizimi dhe shndërrimi më madhor në realitet i ëndrrës amerikane. Kjo dëshmon se në këtë vend mundësia, shansi për t’u bërë president nuk përcaktohet nga prejardhja, raca, ngjyra dhe faktorë të tjerë, por përcaktohet nga parimet që mbron, mesazhet që jep, fuqinë, forcën për të pushtuar mendjen dhe zemrën e qytetarëve amerikanë, qofshin ato anglosaksonë me origjinë, afroamerikanë, hispanikë, aziatikë apo të çdo prejardhjeje.

Kjo është një ditë e madhe për Shtetet e Bashkuara dhe njerëzimin, sepse në 45 vjetorin e lëvizjes për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga Martin Luther King, i cili u martirizua për shkak të kësaj lëvizjeje, kombi i madh amerikan shndërron në realitet ëndrrën e kësaj lëvizjeje, shndërron në realitet gjithashtu, ëndrrën e Presidentit Kenedi, i cili pati deklaruar se nuk do të jetë e largët dita kur presidenti i Shteteve të Bashkuara do t’i përkasë  afroamerikanëve. Të dy këta burra të mëdhenj, ndoshta, paguan më shtrenjtë se kushdo tjetër vizionin, kurajën dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm, por votimi i djeshëm nga zgjedhësit amerikanë i të të gjitha racave, ngjyrave, moshave, gjinisë, gjendjes ekonomike dhe nivelit arsimor, në një unitet të paparë ndonjëherë, është nderimi më i madh që u bëhet atyre dhe idealeve më të larta njerëzore, është përgjigja më e merituar ndaj racizmit dhe diskriminimit racial, nga të cilat ka vuajtur kaq shumë njerëzimi.

Tre vjet më parë, kjo qeveri i ka shpallur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si përparësinë më madhore dhe në tre vjet ka realizuar marrëdhëniet më të shkëlqyera dhe më të forta në historinë e dy vendeve. Vizita e parë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, mikut të madh të kombit shqiptar, Presidentit George W. Bush, më 10 qershor 2007, ratifikimi me konsensus të plotë nga senati amerikan i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe firmosja më 24 tetor nga Presidenti George Bush përbëjnë arritjet më madhore në historinë e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve e vendeve tona mike.

Unë jam i bindur se tek Presidenti Obama, Zëvendëspresidenti Joe Biden dhe administrata e re shqiptarët do të kenë miqtë më të shquar dhe se bashkëpunimi i shkëlqyer miqësor midis dy vendeve do të njohë dimensione të reja edhe më të mëdha. Në emër të qeverisë, uroj Presidentin e zgjedhur Barack Obama për fitoren e tij të shkëlqyer, fitoren e tij historike në Shtetet e Bashkuara, me të cilën ai nderoi jo vetëm kombin e madh amerikan, por mbarë njerëzimin. I takonte vendit më të madh të lirisë të udhëheqë liritë dhe emancimin shoqëror të botës. Faktikisht, kjo është prova më e shkëlqyer e kësaj udhëheqjeje.


05/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›