Kryeministri Berisha: Vetëm një sistem që garanton kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve të vendit, konsolidon gjithnjë e më tej sistemin arsimor

- Këtë vit duhet të ndërmarrim të gjitha reformat dhe të gjitha vendimet në mënyrë që degët dhe fakultetet e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë.
- I garantojmë fermerët se do të bëjmë gjithçka për të rritur ndjeshëm mbështetjen e tyre, si dhe do të bëjmë gjithçka për të mbështetur fuqimisht industrinë e agropërpunimit.
- Brenda këtij viti dhe në fillim të vitit tjetër, Shqipëria nuk do të ketë tjetër, përveçse shërbim të përmbarimit gjyqësor, privat. Kjo do të garantojë shkallën më maksimale të zbatimit të vendimit të gjykatave, kushti më vendimtar për funksionimin e shtetit ligjor.
Në mbledhjen sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u fokusua tek arsimi, si një ndër përparësitë më madhore të qeverisë dhe tek mësuesi, i cili do të mbetet në epiqendër të përpjekjeve për një kualifikim dhe zhvillim të mëtejshëm profesional.
Duke theksuar se gara e dijes është gara kryesore në këtë vend, kryeministri Berisha vlerësoi si një arritje të madhe dyfishimin dhe mbidyfishimin e rrogave të arsimtarëve, brenda një harku kohor të shkurtër.
Kryeministri tha se politika e vendosjes së mësuesit në piedestalin që meriton, duke krijuar të gjitha kushtet dhe mundësitë që ai të përmbushë misionin e tij, u shoqërua edhe me ndryshime te thella dhe rrënjësore të sistemit arsimor. Tanimë – u shpreh kryeministri, - nuk ka më largime nga ky sistem, por është e kundërta. Ka kërkesa të shumta për punësim në këtë sistem të vajzave dhe djemve të arsimuar.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se vetëm një sistem që garanton kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve të vendit, konsolidon gjithnjë e më tej sistemin arsimor.
Kryeministri u shpreh se pas arritjeve të rëndësishme në fushën arsimore si shtrirja e internetit në çdo shkollë, e më pas në çdo klasë, ndërtimi dhe rindërtimi i rreth 60 % të shkollave ekzistuese të vendit, ndryshimet rrënjësore në pajisjen e bazës laboratorike, si dhe në kurrikul, etj, ministria e arsimit dhe qeveria do të gjejë të gjitha mënyrat për të përparësuar dhe për të vendosur në krye të përpjekjeve të saj cilësinë e degëve dhe fakulteteve të mësuesisë. “Këtë vit duhet të ndërmarrim të gjitha reformat, dhe të gjitha vendimet në mënyrë që degët dhe fakultetet e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë.
Lidhur me këtë, kryeministri u shpreh se: ”Është e domosdoshme të adaptojmë dhe të përshtatim kriteret, format më të suksesshme që ekzistojnë, të studiojmë praktikat më të mira evropiane në përgatitjen e mësuesve dhe të investojmë në zbatimin e tyre në Shqipëri.
* * *
Gjatë mbledhjes së sotme, kryeministri Berisha sqaroi se lidhur me vendimin për miratimin e grantit të qeverisë për financimin e projekteve të arrorëve dhe ullinjve, projektet fituese do të shpërblehen këtë vit.
Kryeministri bëri të ditur se kërkesat për aplikime nga fermerët kanë qenë shumë më të larta se parashikimi dhe garantoi se të gjithë ata, të cilët kanë mbjellë më përputhje me kriteret dhe kanë zbatuar projektet, do të marrin këtë vit shpërblimin e tyre.”Qeveria i përgëzon këta fermerë dhe i garanton se ndonëse ka qenë një kërkesë shumë e madhe për aplikime, ne i qëndrojmë premtimit tonë për të gjithë ata që kanë mbjellë në përputhje me kriteret dhe kanë zbatuar projektet, ata do të marrin këtë vit, pavarësisht se janë mbi planin, shpërblimin e tyre.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri Berisha garantoi fermerët se qeveria do të bëjë gjithçka për të rritur ndjeshëm mbështetjen ndaj tyre si dhe për të mbështetur fuqimisht industrinë e agro-përpunimit, e cila do të zgjidhë vështirësitë që krijohen mes tregut dhe prodhimit.
* * *
Kryeministri Berisha u ndal sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në projektligjin Për një ndryshim në ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor, privat” të ndryshuar. Kryeministri u shpreh se që nga 2008 kur u kalua ligji për krijimin e shërbimit përmbarimor, privat, ky shërbim rezulton efikas, i dobishëm dhe i suksesshëm në zbatimin e vendimit të gjykatave prandaj - theksoi kryeministri- brenda këtij viti dhe në fillim të viti tjetër, Shqipëria nuk do të ketë përveçse përmbarim privat.
Kryeministri theksoi se pikërisht kjo, do të garantojë shkallën më maksimale të zbatimit të vendimit të gjykatave, kushti më vendimtar për funksionimin e shtetit ligjor. Kryeministri bëri të ditur se: “Ndryshimi ligjor është që përmbaruesit e sistemit publik aktual do të marrin licencën e përmbaruesit privat, menjëherë sapo të shkëpusin marrëdhëniet me përmbarimin publik.”
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u shpreh:
Rendi i ditës ka një seri çështjes të rëndësishme, por unë sot dua të ndalem tek arsimi dhe konkretisht mësuesi. Në përpjekjen tonë të madhe, gjatë këtyre viteve, duke përcaktuar arsimin si një ndër, ose si përparësinë më madhore, duke përcaktuar garën e dijes, garë kryesore në këtë vend, ne me një vendosmëri, por jo pa vështirësi, ia dolëm që një hark kohor të shkurtër të dyfishojmë dhe mbidyfishojmë rrogat e arsimtarëve.
Ne deklaruam vite më parë se reformën në arsim do ta fillojmë me mësuesit dhe vendosjen e tij në piedestalin që meriton, krijimin e te gjitha kushteve dhe mundësive që ai të përmbushë misionin e tij, sepse mësuesi është misionar. Në këtë aspekt, situata ekonomike ishte mjerane. Nga arsimi largoheshin masivisht mësues të kualifikuar dhe sistemi po shkonte drejt një degradimi të vërtetë. Politika e vendosjes së mësuesit ne epiqendër dora-dorës me konsolidimin e saj u shoqërua edhe me ndryshime të thella dhe rrënjësore të sistemit arsimor. Tani, nuk ka më largime nga ky sistem, por është e kundërta. Ka kërkesa të shumta për punësim në këtë sistem të vajzave dhe djemve të arsimuar. Në fushën e arsimit, falë investimeve serioze në vitin 2009 përfundoi shtrirja e internetit në çdo shkollë. Dhe tani ne po ecim drejt internetit në çdo klasë nëpërmjet teknologjive të reja. Janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 60 % të shkollave ekzistuese të vendit, ndryshime rrënjësore janë bërë me pajise në bazën laboratorike, në kurrikul, por sërish në politikën tonë mësuesi dhe para së gjithash mësuesi do të mbetet ne epiqendër të përpjekjeve tona. Vetëm një sistem që garanton kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve të vendit, konsolidon gjithnjë e më tej sistemin arsimor.
Zoti ministër, sot në universitet tona janë mbi 520 programe të diversifikuara që të gjitha mbi bazën e nevojave dhe kërkesave të tregut. Sot është rritur me shumë e shumë here numri i studentëve në teknologjinë e informacionit, në shkencat teknike. Kërkesat për mësuesi në këtë degë janë të shumta, por ministria e arsimit dhe qeveria do të gjejë të gjitha mënyrat për të përparësuar, për të vendosur në krye të përpjekjeve të saj cilësinë e degëve dhe fakulteteve të mësuesisë. Prapë tek mësuesi do të kemi një platformë, në qoftë se tek e para e vështira ishte dyfishimi i rrogave, i pandodhur ndonjëherë në një hark të tillë kohor, në asnjë vend, dhe ne këtë e realizuam, ne këtë vit duhet të ndërmarrim të gjitha reformat, të gjitha vendimet në mënyrë që degët dhe fakultetet e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë.
Është e domosdoshme të adaptojmë dhe të përshtatim kriteret, format më të suksesshme që ekzistojnë, të studiojmë praktikat më të mira evropiane në përgatitjen e mësuesve dhe të investojmë në zbatimin e tyre në Shqipëri. Është e domosdoshme që rreth 40 mijë arsimtarë të vendit të kenë mundësinë për kualifikimin dhe rikualifikimin e tyre. Nuk ka gjë më serioze për një shoqëri sot, se sa arsimi, nuk ka profesion më serioz për ne, sesa mësuesi. Të gjitha agjencitë e ministrisë së arsimit që trajtojnë problemin e kurrikulës parauniversitare, të trajnimit dhe të formimit të mësueseve duhet ti nënshtrohen një procesi të thellë reformimi, në mënyrë që të qëndrojnë në lartësinë e kësaj detyre kryesore. Nuk do të mund të ndërmerrej kjo, pa masat që janë ndërmarrë deri më sot. Tani kjo është e mundshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për kualifikimin e trupës pedagogjike të vendit, parauniversitare,parashkollore dhe në tërësi.
Në këtë përpjekje të madhe duhet të bëjmë gjithçka që shkencat ekzakte, si dhe leximi të jenë përparësitë absolute. Leximi është një dhunti shumë e përhapur tek ne. Ne duhet të tregojmë kujdesin maksimal për gjuhën dhe leximin, por duhet të tregojmë një kujdes të jashtëzakonshëm për matematikën, ne duhet të bëjmë çdo gjë që të seleksionojmë dhe të mbështesim me bursa dhe me forma të tjera, më të mirët e matematikës, në të gjitha shkollat e vendit. Duhet të bëjmë çdo gjë që ata të marrin në dorë këtë doktrinë sa më shpejt në shkollat tona. Situata ekzistuese sigurisht që ka arritjet e veta, por ka edhe problemet e veta, por e vërteta është që matematika kërkon një përkujdesje të veçantë dhe unë e di që me këtë përkujdesje ministria ka filluar një vit më parë. Por një kuadër më i veçantë i mbështetjes se nxënësve, i nxitjes dhe inkurajimit të pasionit për këtë lëndë është shumë i domosdoshëm . Revolucionet e mëdha, industriale, post-industriale, teknologjike, post-teknologjike, në një formë apo në një tjetër kanë në bazë këtë doktrinë. Kështu që në garën e dijes ajo ka një rol kryesor.
Duhet të vendosim format më të përshtatshme të kualifikimit dhe te trajnimit të arsimtarëve, të azhornimit të tyre, të pasurimit të dijeve te tyre, ndaj dhe ministria e arsimit duhet të bëjë një plan veprimi për reformën në përgatitjen e mësuesve, në trajnimin e tyre, pra një reformë tërësore që tashmë të ketë qëllim kryesor rritjen e nivelit profesional, intelektual, të atyre që ne u besojmë fëmijët tanë, të atyre që pas prindërve, në një farë mënyre janë dhe njerëzit më të dashur, më të rëndësishëm, më të çmuar për fëmijët tanë.
* * *
Duhet të bëj një sqarim lidhur me një vendim, i cili ende nuk është zbardhur sepse duhet ta parashtroja edhe njëherë para jush. Ne mbledhjen e kaluar ne miratuam grantin e qeverisë për financimin e projekteve të arrorëve dhe ullinjve. Këtu do të shtohen të gjitha pemët frutore, vreshtat dhe agrumet. Qeveria do të vendosë që të gjithë ata që kanë fituar, sepse vitin e kaluar ka patur një numër shumë më të madh aplikimesh sesa ne kemi parashikuar se do të ketë, sidomos për arrorët, por projektet që kanë fituar do të shpërblehen këtë vit. Pra, qeveria i përgëzon këta fermerë dhe i garanton se ndonëse ka patur një kërkesë shumë të madhe, ne i qëndrojmë premtimit tonë për të gjithë ata që kanë mbjellë në përputhje me kriteret dhe kanë zbatuar projektet, ata do të marrin këtë vit, pavarësisht se janë mbi planin, shpërblimin e tyre. E vërteta është se pothuajse është dyfishi, por ne i qëndrojmë premtimit, sepse në fund të fundit, ata kanë zbatuar dhe ne i përgëzojmë për këtë, një direktivë të qeverisë së vendit, kështu që ka prej tyre, që jo rrallë më bëjnë dhe mesazhe dhe më rikujtojnë, me te drejtë, detyrimin që qeveria ka ndaj tyre dhe ne do i përgjigjemi pa asnjë mëdyshje.
Është biseduar edhe me ministrin e financave dhe të bujqësisë, është zgjeruar gama e përfshirjes dhe i garantoj fermerët se do të bëjmë gjithçka për të rritur ndjeshëm mbështetjen e tyre dhe do të bëjmë gjithçka për të mbështetur fuqimisht edhe agropërpunimin. Është shumë e domosdoshme që në Peshkopi të ketë një fabrikë për lëngjet e frutave. Është e domosdoshme që Korça e cila ka bërë një progres të madh në drejtim të kapaciteteve ftohëse, të ketë agropërpunim edhe për pataten, pasi fatmirësisht prodhimi është rritur në këtë rreth me shumë herë. Këto vështirësi që krijohen mes tregut dhe prodhimit i zgjidh në mënyrë të shkëlqyer industria e agropërpunimit, e cila ka kapacitet e veta për të trajtuar këto prodhime. Pra, për farat që mbillen në Stërblevë,Librazhd dhe në disa vende të tjera, ekzistojnë në bazë të interesit privat disa fabrika që bëjnë patatinat, por ne duhet të investojmë në Korçë e cila ka specifikat e veta. Ndaj është e domosdoshme që ne, duke ndërtuar infrastrukturën sipërfaqja e patates do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme në këtë vend, duke qenë se potenciali është shumë i madh në të gjithë zonën malore të vendit, por është patate e vonshme , kështu që ne duhet të përpiqemi aty ku ka prodhimin më të madh dhe që bie ndesh me vështirësitë e tregut, me fuqinë absorbuese, duhet të bëjmë gjithcka për përpunimin e prodhimeve të tyre. Kishim problem mollën, nuk e kemi më problem, janë me dhjetëra impiante ftohëse, ndërsa tani me pataten duhet të bëjmë gjithçka që vitin tjetër po të jetë e mundur të gjejmë kapacitet përpunuese me te mëdha sepse kjo do të jetë në rritje dhe është një gjë pozitive. Propaganda toksike e Blushit në Korçë nuk iu shërben fermerëve. Mendoni ju se çfarë është i aftë ky njeri të shpikë dhe të sajojë, më të paqenat, por pavarësisht nga kjo, ne këtyre duhet tu përgjigjemi me industri përpunuese, sepse siç thotë populli gojët e liga nuk mbyllen kurrë.
* * *
Në projektligjet e sotme kemi projektligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor, privat” të ndryshuar. Ne në 2008 kaluam ligjin për krijimin e shërbimit përmbarimor, privat, i cili rezulton efikas, rezulton i dobishëm në zbatimin e vendimit të gjykatave , rezulton i suksesshëm ndaj dhe brenda këtij viti dhe në fillim të viti tjetër, Shqipëria nuk do të ketë përveçse përmbarim privat.
Kjo do të garantojë shkallën më maksimale të zbatimit të vendimit të gjykatave, kushti më vendimtar për funksionimin e shtetit ligjor. Ndryshimi ligjor është ky, përmbaruesit e sistemi publik aktual do të marrin licencën e përmbaruesit privat , menjëherë sapo të shkëpusin marrëdhëniet me përmbarimin publik. Unë mendoj se ato e meritojnë plotësisht. Kanë bërë një punë shumë të madhe këto vite, kane vendosur standard të zbatimin e vendimit të gjykatave, të cilat në disa aspekte janë absolutisht ne mesataren e vendeve të BE, disa prej tyre. Natyrisht, ka vend për të përmirësuar sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për një shtet, për funksionimin e ligjit, për respektimin e të drejtave, sesa ekzekutimi i vendimeve të gjykatave. Nuk ka mënyrë më dekurajuese për gjyqtarin, për gjykatat se sa po të shohin që vendimet e tyre nuk zbatohen. Njeriu i ligjit dekurajohet, ndaj dhe ne, në mënyrë absolute qëndrojmë për zbatimin e tyre dhe i kërkojmë zotit ministër të drejtësisë, që kjo reformë të kompletohet dhe jam i sigurtë se qytetarët shqiptarë do të marrin një shërbim shumë më të mirë se sa nga sektori publik. Zoti Halimi, ky është një profesion i rregulluar dhe nuk mundet që në profesionet e rregulluara të mos ketë kontrolle tarifash. Çfarë është i rregulluar ai e ka të domosdoshëm kontrollin. Çfarë nuk është i rregulluar le të ecë sipas tregut, por ky është një profesion i rregulluar dhe eshtë shumë i rëndësishëm, është themelor për një shtet. Në Kushtetutën e Mbretërisë, Kryepërmbaruesi i shtetit ishte mbreti, por ka dhe kushtetuta të republikave parlamentare, në të cilat përmbarues i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është Kreu i Shtetit, dhe kjo, për ti dhënë të gjithë peshën dhe mbështetjen e merituar vendimit të gjykatave.
* * *
Do të veçoja sot vendimin, i cili ka të bëjë me shkollën 9 vjeçare Naim Frashëri në Korçë, për vendosjen e kuotës ushqimore në këtë shkollë, e cila ka në tërësi nxënës romë. Zoti ministër kjo është një eksperiencë shumë e domosdoshme, por ne do të identifikojmë edhe shkolla të tjera të këtyre komuniteteve në mënyrë që të ofrojmë këtë stimul për ti bërë shkollat më tërheqëse për fëmijët e këtij komuniteti, pra romë dhe egjiptianë. Pavarësisht nga problemet terminologjike që ekzistojnë në trajtimin e çeshtjes, ne si qeveri do të kemi një trajtim të barabartë dhe ky është një fillim shumë i mirë , i domosdoshëm. Këtë problem e kanë ngritur edhe sindikatat e arsimit dhe me të shumë të drejtë. Kësaj po i jepet përgjigje dhe ne do ta shohim këtë praktikë edhe ne shkolla të tjera , në mënyrë që ky kontingjent të ndjekë si të tjerët rrugën e shkollimit.
* * *
Ka një seri vendimesh për pronat që transferohen drejt qeverive vendore, siç është dhe përpjekja jonë.
Është një vendim tjetër për miratimin e Kuadrit makroekonomik fiskal për periudhën 2013-2015, për këto dy vite që janë përcaktuese për suksesin e mandatit të tretë. Natyrisht atë e përcaktojnë shqiptarët me votën e tyre, por po të kërkosh votën do të përgatitesh, do të përgatisësh ofertën tënde, projektin tënd dhe kjo me vepra konkrete dhe jo me fantazi bajate e boshe. Ky program parashikon rritje të mëtejshme ekonomike të Shqipërisë dhe këto dy vite janë vendimtare në mandatin që do të shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Parashikojmë rritjen e rrogave dhe te pensioneve, parashikojmë kompletimin përfundimtar të infrastrukturë së Shqipërisë me infrastrukturën më moderne, parashikon ndërtimin, përfundimin e dhjetëra e dhjetëra objekteve te mëdha të përpunimit të ujërave të zeza në të gjithë ultësirën bregdetare dhe me gjere, parashikon progres të madh në pyllëzimin me dru frutorë të vendit, parashikon garantimin e të gjithë parametrave makro-ekonomikë për të garantuar stabilitetin e ekonomisë shqiptare, pra është një program që bazohet në qindra e qindra shkolla të reja, qendra shëndetësore e spitale moderne, bazohet në finalizimin e një rrjeti rrugor për Shqipërinë, më moderni në rajon dhe më gjere, me një rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. E gjitha kjo duke mbajtur Shqipërinë, vendin e barrës fiskale më të ulët në Evropë. Shqiptarët kanë përfituar më shumë se kushdo tjetër nga modeli ekonomik i bazuar në taksa të ulëta.
Unë ju garantoj që zoti Rama këtë problemin e taksës progresive, nuk e ka për gjë tjetër veçse për atë grupin e biznesmenëve të tij, që tani nuk e sponsorizojnë më, që kur iku nga bashkia. Tani edhe drekat që shtron rroftë Gjushi se nuk i afrohen më as Fideli dhe as ata të tjerët, të cilët nuk japin më asnjë kacidhe, sepse nuk ka më leje duke bllokuar lejet e të tjerëve, por kjo nuk mund të na udhëheqë ne. Politika nuk bëhet me inate, as me kundërshtira. Se deri dje, sa ishte kryetar bashkie nuk e përmendi ndonjëherë taksen progresive. A pati ai ndonjëherë ndonjë program për bashkinë e Tiranës, a e dëgjuat ju ndonjëherë të thotë se do të rrisë taksat? Asnjëherë. Pra si përfundim politika e tij e taksave është furtunë në një gotë ujë, e cila më shumë kërkon të frikësojë një grup që s’mund ta kontrollojë më, sepse në fakt, ata e kanë kontrolluar gjithmonë atë, por përsëri ishte reciproke, ndërsa tani nuk kanë më ndonjë pasion për të.
18/01/2012