Kryeministri Berisha: Viti 2009 duhet të shënojë bazat e programit kombëtar të ullirit
Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task Force-s për Programin Kombëtar të Ullirit. Kryeministri Berisha u shpreh gjatë mbledhjes se për realizimin me sukses të këtij projekti madhor janë angazhuar të gjitha institucionet e përfshira në këtë program, si ministria e Bujqësisë, drejtoritë rajonale të bujqësisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, fermerët dhe prodhuesit e fidanëve të ullirit, etj.
Kryeministri vuri në dukje se të gjitha palët e angazhuara duhet të përcaktojnë objektiva dhe detyra të qarta dhe konkrete, në mënyrë që të konsolidohen bazat e programit kombëtar të ullirit. Ndër detyrat më të rëndësishme për vitin 2009 Kryeministri përmendi;
- Ngritja e 2 impianteve të prodhimit të fidanëve të ullirit në QTTB Vlorë dhe në Bazën eksperimentale të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke përcaktuar paraprakisht termat e referencës që do t’i paraprijnë ndërtimit të tyre.
- Nxitja e sektorit privat në importimin e fidanëve të ullirit, nëpërmjet subvencionimit të fermerëve.
- Përcaktimi i ndarjes zonale të sipërfaqes së gatshme për mbjellje prej 2500 HA, duke zgjedhur varietetet e përshtatshme të ullirit sipas zonave.
- Përcaktimi i parcelave në të cilat do të nisë rikonstruksioni i ullishtave ekzistuese në disa zona, në bashkëpunim dhe me drejtoritë rajonale të bujqësisë së qarqeve.
- Mundësia e ngritjes së ullishteve intensive dhe superintensive në sipërfaqe të vogla.
- Nxitja e investitorëve të huaj për të investuar në ngritjen e impianteve të fidanëve të ullirit, krahas konsolidimit të praktikave të vendit, që ekzistojnë dhe që po ngrihen, për prodhimin e fidanëve të ullirit, pasi kanë një rëndësi të madhe të plotësimin e nevojave të vendit për fidanë ulliri.
Kryeministri Berisha i konsideroi këto detyra shumë të rëndësishme dhe imediate, pasi nuk duhet humbur asnjë minutë kohë. Viti 2009 duhet të shënojë bazat e programit kombëtar të ullirit, theksoi Kryeministri.
Gjithashtu, në mbledhjen e task Force-s për Programin Kombëtar të Ullirit u diskutua për ecurinë e studimit për këtë projekt, për të cilin janë përgatitur tashmë termat e referencës së studimit. Ministri Gjana raportoi se është vendosur një program pune me të gjitha drejtorite rajonale për të siguruar mbjelljet e pranverës dhe vjeshtës, në një sipërfaqe 2500 Ha, janë hartuar preventivët për mbjelljet dhe po studiohet ngritja e impjanteve për prodhimin e fidanëve të ullirit, si dhe janë caktuar zonat dhe sipërfaqet përkatëse të ullishteve ekzistuese, në të cilat do të fillojë rikonstruksioni i tyre.
25/02/2009