Kryeministri Berisha: Viti i 2007, pozitiv për bilancin e tregtimit të produkteve bujqësore
- Këtë vit, eksporti i prodhimeve bujqësore është rritur me 15 për qind dhe importi ka rënë me 15 për qind
Kryeministri Berisha vizitoi në Fier fermën e pronarit Skënder Hebeja, një nga fermat e njohura të këtij rrethi me sipërfaqe 1. 6 hektarë, e mbjellë me pemë frutore. Kjo është një nga investimet që ka përfituar nga projekti i qeverisë 2KR, me vlerë rreth 10 mijë dollarë. Nga projekti i ndihmës së qeverisë kanë përfituar 1700 fermerë, me të cilën janë mbjellë 110 hektarë dru frutorë, vreshta dhe ullishte.
Kryeministri Berisha, duke falënderuar pronarin e fermës për punën e shkëlqyer dhe shërbimin ndaj këtij investimi, e siguroi atë dhe fermerët në të gjithë vendin për zgjerimin e mëtejshëm të kësaj ndihme.
Ne, - vijoi Kryeministri - e hoqëm subvencionin e akcizës për naftën, sepse ajo shpërdorej dhe jo se nuk e vlerësojmë se ajo ishte e nevojshme. Por ajo nuk arrinte në duart tuaja. Kryeministri theksoi se qeveria do të studiojë mundësinë e mbështetjes së fuqishme të përpunimit të agro-biznesit, si dhe do të studiojë mundësitë e larmishmërisë së kësaj mbështetje.
Në këtë kontekst, Kryeministri tha se do të shqyrtohet mundësia që një pjesë e këtij subvencioni të mund të përcaktohen si kredi të buta afatgjata, ndërsa pjesa tjetër të vazhdojë të jepet si grant si edhe deri më tani.
Kryeministri theksoi se qeveria synon të mbështesë fuqimisht fermerët shqiptarë dhe në këtë drejtim ajo ka mbështetur çmimet e referencave. "Ka një shitje shumë më të madhe të prodhimeve të vendit në treg se dy vjet më parë. Këtë vit eksporti i prodhimeve bujqësore është rritur me 15 për qind dhe importi ka rënë me 15 për qind", tha Kryeministri. Për këtë, ai theksoi se kjo është një politike dobiprurëse për rritjen e prodhimeve shqiptare, por se në tërësi kjo përbën vetëm një gamë të caktuar prodhimesh.
Më tej, ai përgëzoi fermerët e Myzeqesë, të cilët në tërësi e kanë punuar tokën, ndërsa theksoi se do të shqyrtohen të gjitha mënyrat që asnjë metër tokë të mos mbetet pa u punuar, për faktin se sipërfaqja e tokës së punueshme në Shqipëri është më e vogël, në krahasim me sipërfaqen e përgjithshme të vendit.
Duke u ndalur në ligjin për kooperativat, Kryeministri tha se ligji i ri nuk kthen kooperativat e dikurshme, por u jep mundësi sipërmarrësve të shfrytëzojnë sipërfaqe më të mëdha toke, të cilat japin mundësi më të mëdha.
Duke iu përgjigjur interesit të fermerëve për sistemin e vaditjes, Kryeministri i siguroi ata se do të vihet në funksion hidrovori, ndërsa nënvizoi se do të shihen mundësitë e çdo lehtësimi tjetër.
Në takimin me fermerët Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Jemin Gjana.