Zhvillohet mbledhja e Komisionit Ndërministror për Integrimin

3/08/2007
U zhvillua sot me iniciativën e Ministrisë së Integrimit Mbledhja e Komisionit Ndërministror për Integrimin nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, mbledhje kjo që synon intensifikimin dhe bashkërendimin më të mirë të punës në kuadër të procesit të integrimit.
Lidhur me fazën aktuale të procesit, atë të përshpejtimit të ratifikimit të MSA nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ministrja e integrimit Majlinda Bregu tha se procesi i integrimit ka hyrë tashmë në një fazë ku na duhet të veprojmë me shpejtësi në fushat respektive sipas përcaktimeve të qarta.
Sipas znj. Bregu, nga performanca e qeverisë shqiptare, ministrive të linjës dhe nga shkalla e realizimit të reformave varet edhe suksesi në procesin e ratifikimit gjatë vjeshtës, ku pritet që parlamentet e vendeve si Franca, Italia apo Gjermania të votojnë pro ratifikimit të MSA-së mes BE-së dhe Shqipërisë. “Gjithashtu, përtej vendit tonë, nëse i referohemi klimës ndërkombëtare të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të themi se dhe ajo është tepër pozitive. Faktori ndërkombëtar është shprehur me nota të qarta se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është në interesin e të gjithëve dhe se pa perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky stabilitet nuk mund të arrihet kurrë”, theksoi ministrja e Integrimit.
Pas diskutimeve gjithëpërfshirëse ky takim konkludoi në vazhdimësinë e rritjes së kapacitetit të ministrive të linjës në raport me angazhimet në procesin e integrimit evropian, në përmiërësimin e mëtejshëm të cilësisë së raportimit të ministrive dhe insitucioneve qëndrore ndaj Ministrisë së Integrimit që ka rolin e ndërmjetësit mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë mbledhjes u vendos edhe për intensifikimin e mëtejshëm të diskutimeve në Komisionin Ndërministror për Integrimin dhe qeverinë shqiptare lidhur me përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit.
Komisioni Ndërministrot për Integrimin nuk është i vetmi organizëm që diskuton në nivelin më të lartë axhendën evropiane, por duke qenë më specific për nga natyra dhe përberja bën të mundur afrimin më efektiv të Ministrisë së Integrimit me qeverinë shqiptare për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian.