E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Pasqyrimi i të vërtetave historike, detyrë e studiuesve

Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë, në kryesinë e Kuvendit, ekspozitën me materiale dhe dokumente origjinale, të përzgjedhura nga fondi arkivor i parlamentit shqiptar në vitet 1922–1944. Kryeministri tha se me këtë vizitë nderon parlamentarët e parë të vendit, themelues të pavarësisë dhe pluralizmit në Shqipëri. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

“Jam këtu për të vizituar këtë ekspozitë, për të cilën dua të përgëzoj shumë përzemërsisht Kryetaren e Parlamentit dhe Drejtoreshën e Arkivit, që paraqitën para shqiptarëve dokumente që ju faktojnë atyre se kush ishin themeluesit e pluralizmit politik në Shqipëri dhe se Shqipëria, në çerekun e parë të shekullit të kaluar, themeloi pluralizmin politik, zgjedhjet dhe parlamentin, duke qenë absolutisht një ndër vendet e para jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, që vendosi në themelet e shtetit votën e qytetarëve, parlamentarizmin, pluralizmin dhe shtetin ligjor.

Kjo ekspozitë u dëshmon shqiptarëve se shtetin tyre e themeluan burra dhe gra të mençur, të shkolluar në shkollat më të mira të perëndimit, përfaqësues të shquar të vokacionit perëndimor të kombit. Kjo ekspozitë është frymëzim dhe krenari për të gjithë shqiptarët. Këta burra dhe gra, parlamentarë të parë të vendit, janë në tërësinë e tyre firmëtarë të aktit të pavarësisë së Shqipërisë. Pas pavarësimit të vendit, ata u bashkuan dhe me të tjerë për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, të ngjashme me Shqipërinë që ne duam dhe po ndërtojmë sot.

Unë do t’u bëja dhe një herë thirrje studiuesve dhe historianëve që t’u thonë shqiptarëve të vërtetën e tyre historike. Nuk ka asgjë më të papranueshme, sesa të falsifikosh aktin e pavarësisë kombëtare, të fshish me gomën e turpit emrat e atyre që firmosën pavarësinë, duke e bërë këtë vetëm për verbëri ideologjike, për të zëvendësuar baballarët e pavarësisë dhe të pluralizmit me komitë e kaçakë, të cilët nuk kanë asnjë vlerë, përkundrazi.

Historia duhet të rishkruhet dhe ftoj studiuesit të angazhohen në këtë aksion. Nuk mund të intimidohet askush nga deklaratat e atyre që para të vërtetave, para forcës, idhësisë apo jo të së vërtetës, preferojnë në nanurisen nga mashtrime dhe gënjeshtra. Nuk mund të ecet duke mbajtur të falsifikuar aktin e shpalljes së pavarësisë kombëtare. Nuk mund të ecet duke zëvendësuar Mithat Frashërin, këtë burrë të madh të kombit me komitë. Lufta Nacional Çlirimtare është një faqe e ndritur në historinë e kombit shqiptar dhe këtë nuk e komenton dhe e vë në diskutim askush. Por abuzimin monstruoz me këtë luftë dhe bunkerizimi më pas të historisë dhe e të vërtetave historike të kombit është jashtëzakonisht e rëndë dhe e papranueshme më tej.

Shqiptarët kanë shumë motive për të qenë krenarë me historinë e tyre. Natyrisht duhet ta shohin atë drejt në sy, me anët pozitive dhe jo pozitive të saj. Historia duhet të interpretohet në kontekstin e kohës së vet. Një nga kapitujt më të shkëlqyer moralë të historisë sonë është qëndrimi ynë ndaj holokaustit, ku kombi shqiptar nuk mori pjesë, por edhe qeveria e Tiranës gjithashtu nuk mori pjesë dhe kjo është e vërteta historike. Dua t’i rikujtoj shqiptarëve se qeveritarët të asaj periudhe, të cilët nuk pranuan të dorëzojnë tek pushtuesi asnjë hebre, organizuan mbrojtjen e tyre dhe u vlerësuan më pas nga e gjithë bota e qytetëruar dhe forcat demokratike. Ndërsa në Shqipëri këta morën damkën, bunkerizimin dhe mohimin total, pavarësisht kontributit të madh që ata kanë pasur më parë në historinë e vendit të tyre.

Kam ndjekur shqetësimet e atyre që nanuriten nga mashtrimi dhe gënjeshtra, të cilët para dritës së të vërtetës preferojnë më shumë të parën. Janë shqetësuar politikanë, duke dëshmuar një anë të errët të formimit të tyre. Historia dhe politika janë pazgjidhshmërisht të lidhura. Ato kanë gjithmonë një raport dhe ky është raporti ndaj të vërtetës dhe lirisë. Qeveria është tjetër. Ajo nuk ka ndërmend t’i diktojë apo t’i mohojë askujt të drejtën e shprehjes së mendimit, por qeveria nuk do të vazhdojë të pranojë me tej mashtrimin e nxënësve shqiptarë me tekste surrogato, me të cilat ata nuk mësojnë historinë e vërtetë të kombit të tyre. Nëse i referohemi këtyre teksteve, nga vitet 380 deri në vitin 1912, Shqipëria dhe shqiptarët, duke përjashtuar periudhën e Skënderbeut, kanë ekzistuar vetëm me Hasan Zyko Kamberin dhe Rrapo Hekalin. Por këto nuk janë të vërteta.
Shqiptarët, edhe në atë periudhë, kanë bashkëqeverisur me një nga perandoritë më të mëdha të kohë. Historia e njerëzimit është historia e perandorive. Nga perandoria shqiptarët kanë pasur role nga më të rëndësishmit. Por po t’u referohesh raporteve iliro-romake janë qesharake. Ne jemi krenar me origjinën tonë ilire, por natyrisht njerëzimi fitoi më shumë se nga kushdo tjetër nga perandoria romake, e cila krijoi Europën më të bashkuar se kurrë në historinë e saj, ligjet, zhvillimin, rrugët, qytetërimin, paqen e qëndrueshme. Ndaj dhe, duke qenë krenarë që jemi ilire në origjinë, nuk mund të mos vlerësojmë ato që përfituam nga ardhja e romakëve.

Gjatë jetës sime, unë jam përpjekur të lexoj historinë, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër. Nuk kam ndërmend të shkruaj histori, por ftoj historianët dhe studiuesit t’u thonë shqiptarëve të vërtetat për historinë e tyre”.

Në përgjigje të interesimit të medias në lidhje me fillimin nga funksionimi të Qendrës Albanologjike, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Qendra Albanologjike do të fillojë së shpejti. Ajo është një reformë historike për t’u shkëputur nga një doktrinë. Studiuesit kanë nisur të shkruajnë libra të shkëlqyer për historinë e vendit dhe unë ftoj Arkivin e Shtetit dhe i siguroj studiuesit se të gjitha arkivat e vendit do të jenë të hapura për ta, në mënyrë që të mund të paraqesin të vërtetat historike, ashtu siç kanë qenë. E theksoj sërish se fëmijët e shqiptarëve nuk mund të lexojnë aktin e pavarësisë dhe të shohin të fshirë e të maskuar emrin e Mithat Frashërit. Ky falsifikim nuk i bën nder askujt. Themeluesit e pavarësisë me aktin e tyre i përkasin përjetësisë kombëtare. Mund të kenë bërë gabime dhe të kenë marrë vendime jo të drejta, pasi askush nuk del jashtë teorisë së gabimit, por është e pafalshme dhe shumë e rëndë të fshish emrin, sepse kështu bën vetëm pseudohistori.

Ndaj edhe një herë unë dua të përulem me nderim të thellë para veprës së këtyre burrave, të cilët vunë në themelet e Shqipërisë ato parime që mbrojmë ne sot. Kongresi i Lushnjes ishte Kongresi i themelimit të pluralizmit, por nuk është përmendur dhe është fshehur vetëm e vetëm sepse Ahmet Zogu ka luajtur një rol kryesor e të rëndësishëm në këtë Kongres. Dhe, meqenëse Zogu ishte një armik e kundërshtar, duhej që edhe pluralizmin, në fakt i tillë ishte për komunizmin, duhej ta zvogëlonin në shkallën më ekstreme.

Këtu nuk kam ardhur për mësim historie, por për të nderuar vetë historinë e vendit tim, për të nderuar parlamentarët e parë të këtij vendi, të cilët janë themelues të pluralizmit dhe të pavarësisë së Shqipërisë.”


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›