E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria renditet vendi i parë në botë pa armë kimike

Kryeministri falënderoi senatorët për kontributin e tyre dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shkatërrimin e armëve kimike, duke u shprehur se bashkëpunimi në këtë fushë tregon angazhimin e të dy vendeve për paqe e stabilitet. Kontributi juaj, tha Kryeministri Berisha, ishte i jashtëzakonshëm për shkatërrimin e armëve kimike, duke e renditur Shqipërinë vendin e parë në botë pa armë kimike. Por ky kontribut është akoma më i madh në një aspekt tjetër, në atë psikologjik. Me shkatërrimin e arsenaleve të vjetra të armëve kimike dhe arsenaleve të tjera të mbetura nga Lufta e ftohtë, Shqipëria shkëputet nga e kaluara e errët militarizuese e sistemit diktatorial komunist, vijoi Kryeministri.

Më tej, Kryeminnistri vuri në dukje se vizita e senatorëve vjen disa muaj pas vizitës historike të Presidentit amerikan Bush, që ishte një eveniment i shkëlqyer për popullin shqiptar. “Pata nderin t’ia shpreh Presidentit Bush mirënjohjen e popullit shqiptar, por gjithashtu jam krenar për pritjen që populli im i rezervoi atij, gjatë vizitës historike në Shqipëri”, tha Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen për popullin amerikan, për ndihmën e dhënë gjatë viteve, në mbajtjen dhe forcimin e vokacionit perëndimor të Shqipërisë. Shqiptarët, nënvizoi zoti Berisha, kanë një histori të larmishme por kanë qenë gjithmonë të drejtuar me sytë drejt perëndimit.

Kryeministri u shpreh se në këto 15 vitet e fundit shqiptarët kanë arritur suksese të mëdha në promovimin e lirisë dhe në ndryshimin e vendit dhe ndihma e SHBA-ve ka qenë themelore për të gjitha reformat e ndërmarra. Duke i informuar senatorët për nismat e qeverisë në rrugën e reformave, Kryeministri bëri të ditur se pas dy ditësh do të fillojë të funksionojë Qendra e Rregjistrimit të Biznesit (one stop shop). Kjo nismë, së bashku me bashku me realizimin e prokurimit elektronik, plotësimin elektronik të formularëve të tatimeve, si dhe krijimin e institucionit të ombudsman-it në këtë drejtim, janë disa nga projektet madhore që qeveria ka me USAID-in.

Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka dy projekte kombëtare madhore; integrimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, ndërsa nënvizoi se SHBA-të kanë qenë mbështetësit më të vendosur në këto përpjekje të Shqipërisë. Në këtë drejtim, Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare po punon me angazhim të plotë për plotësimin e standardeve të kërkuara, me synim marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit, si dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE.

Kryeministri u ndal edhe në dy proceset zgjedhore të zhvilluara në vend në dy vitet e fundit, duke theksuar se në këto zgjedhje, asnjë monitorues i huaj nuk ka pohuar se ka patur ndërhyrje të qeverisë. Shqiptarët do të vazhdojnë të kenë zgjedhje të lira dhe qeveria do t’ua mundësojë plotësisht këtë, tha Kryeministri.

Duke iu referuar procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Kryeministri Berisha tha se, megjithëse ishte një proces delikat, u arrit të zgjidhej si President i Republikës njeriu me mbështetjen më të gjerë, si nga politika ashtu edhe nga populli. Në përfundim të këtij proçesi, edhe opozita luajti një rol konstruktiv.

Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit edhe me reformat e e thella të ndërmarra në Forcat e Armatosura, duke nënvizuar se përmes kësaj reforme, ato janë çliruar nga mentaliteti i vjetër i bunkerit dhe tashmë po shndërrohen në një ushtri moderne që qëndron denjësisht përkrah forcave të NATO-s. Kryeministri tha se në vitin 2010 ushtria shqiptare do të jetë krejtësisht profesioniste dhe e vogël në numër, ndërkohë që në vitin 2008, 2 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, do të kalojë në buxhetin e Forcave të Armatosura. Trupat shqiptare po japin kontribut në Bosnje e Afganistan dhe Shqipëria është e vendosur të qëndrojë me forcat e saj ushtarake në këto vende, deri sa të jetë nevoja. Tashmë është shtuar një kompani e re në Irak, nën komanndën italiane, ndërkohë që Shqipëria ka qenë një aleat luajal i NATO-s gjatë këtyre viteve, duke i dhënë mundësi Aleancës të shfrytëzojë të gjithë infrastrukturën e vendit tonë. Po ashtu, Shqipëria ka qenë bashkëpunuese dhe kontribuuese edhe gjatë krizës së Kosovës.

Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare po bashkëpunon me vendet mike, Maqedoninë dhe Kroacinë, me të cilat ka marrëdhënie të shkëlqyera, duke kontribuar për paqen e stabilitetin në rajon.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu besimin se fryma e re që ka sjellë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të ndikojë në përshpejtimin e reformave në fushën e drejtësisë, si kusht themelor për përmirësimin e performancës së gjyqësorit në vend.

Kryeministri dhe senatoret folen dhe mbi çështjen e zgjidhjes së statusit Kosovës. Senatoret falënderuan ne menyre te veçante Kryeministrin për vullnetin pozitiv të qeverisë shqiptare për shkatërrimin e armëve kimike.

Në përfundim të takimit, senatorët i dhanë Kryeministrit një Medalje të posaçme, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin në kuadër të programit Nunn-Lugar. Kjo medalje ishte bërë me mbetje metali nga raketat bërthamore amerikane dhe ruse.

 


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›