E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Westinghouse është teknologjia më e shkëlqyer e centraleve bërthamore në botë

- Kryeministri Berisha: Opozita është e lirë të mbledhë firmat për referendum në çështjen e energjisë bërthamore në vend.

Kryeministri Berisha u shpreh sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se në rast se Westinghouse gjen interes tregtar për të prodhuar në Shqipëri energji bërthamore me teknologjinë e saj, ajo është shumë e mirëpritur.

Westinghouse, theksoi Kryeministri, "është teknologjia më e shkëlqyer e centraleve bërthamore në botë dhe të kundërshtosh apriori këtë mënyrë tregon antiglobalizëm. Është për të ardhur keq që opozita shqiptare t’i lejojë vetes të identifikohet me variantin e sotëm të marksizëm – leninizmit që është absolutisht antiglobalizmi".

"Kjo qeveri nuk mund të marrë kurrë përsipër përgjegjësinë për të privuar Shqipërinë nga burimi më kryesor energjetik, ashtu siç është për Francën dhe për shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Është e vërtetë që janë disa vende të Bashkimin Evropian që nuk ndërtojnë dhe për këtë kanë vendosur me referendum. Por, t’i kundërvësh Çernobilin Westinghouse është njësoj si të të ketë mbetur ora, ose vazhdon të funksionosh me orën sovjetike", tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi se për këtë çështje nuk mund të operohet me buxhetin publik, pasi dihet nga të gjithë që këto janë investime që kërkojnë 3-4 miliardë dollarë dhe buxheti i vendit edhe për shumë vjet nuk do të jetë në gjendje të përqendrojë në një projekt të vetëm kaq shumë para. Por, tha ai, "ne do të krijojmë të gjithë kuadrin ligjor, me ndihmën e ekspertëve më të mirë të Agjencisë ndërkombëtare bërthamore në Vjenë, që është njësi e OKB-së, do të hartojmë ligjin nuklear, do të ratifikojmë të gjitha protokollet për garancitë për transportin dhe për të gjitha proceset që duhen".

Nga ana tjetër, Kryeministri u shpreh se opozita mund të mbledhë firmat dhe të shkojë në referendum për këtë çështje, nëse dëshiron. "Ne jemi promotorë të zhvillimit. Shqipëria është një vend demokratik, një vend i lirë, por ne nuk mund të imponohemi. Ndaj opozita mund të na tregojë nëse ka ndonjë burim tjetër konstant dhe më të pastër se ky burim për prodhimin e energjisë", theksoi Kryeministri. Projekte të tilla ka në Ballkan, në Slloveni, Kroaci, Rumani, Bullgari, nënvizoi ai

Gjithashtu, në mbledhjen e grupit parlamentar Kryeministri Berisha tha se ka zhvillime shumë të rëndësishme në fushën e investimeve. Janë gati për t’u miratuar në qeveri projekte të tjera të mëdha në hidrocentrale. Ka përfunduar tërësisht studimi i projekteve të disa hidrocentraleve të mesme dhe të mëdha. Po ashtu, janë një seri projektesh për fabrika çimentoje të cilat miratohen gjatë javës që vjen por edhe në muajt në vijim. Edhe në fushën e turizmit, Kryeministri tha se janë projekte të shumta në zbatim, ndërkohë që është duke u finalizuar edhe masterplani i bregut Jon. Kryeministri vlerësoi se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ripërcakton zonat ku ndërtohet dhe ku nuk mund të ndërtohet. Një koncept krejt i ri që ka sjellë ky masterplan është edhe përcaktimi i zonave turistike në mbrojtje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›