E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Çelja e tenderit ndërkombëtar për kartat e identitetit, hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për reformën në gjendjet civile

- Brenda muajit shkurt, 700 mijë qytetarë të rrethit të Tiranës në regjistrin elektronik

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh se është publikuar në gazetën ekonomike "Financial Times" dhe në media të tjera ndërkombëtare dhe të vendit dosja e plotë për çeljen e tenderit për kartat e identitetit.

Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një hap i dytë jashtëzakonisht i rëndësishëm në reformën e gjendjes civile dhe identitetit të qytetarëve shqiptarë, pas nisjes në datën 5 nëntor të procesit të regjistrit elektronik, sipas një projekti të hartuar në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të OSBE-së.

"Përgatitja e dokumentacionit për tenderin e kartave të identitetit nuk ka qenë një proces i thjeshtë, por ky proces i kërkoi qeverisë sonë të angazhojë një konsulencë të gjerë ndërkombëtare. Një ndihmë shumë të veçantë dha në këtë proces ish Sekretari për Çështjet e Sigurisë dhe Këshilltari i qeverisë shqiptare për këto aspekte, zoti Tom Ridge, me grupin e tij të punës", u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri siguroi se ky projekt është konsultuar në mënyrë të përsëritur edhe me ekspertë dhe agjenci të tjera dhe nga të gjitha vlerësimet, tenderi ndërkombëtar i shpallur tashmë bën të mundur që Shqipëria të ketë kartat më moderne të identitetit.

Kryeministri bëri të ditur se për këtë çështje, këto ditë, pranë grupit të punës që drejtohet nga zëvendëskryeministri, do të fillojë punën një nga ekspertët më të shkëlqyer në Europë që ka asistuar mbi 20 qeveri në dokumente të kësaj natyre. "Kjo përbën një garanci për suksesin e këtij procesi të shumëpritur prej 8 vitesh nga shqiptarët. Është shumë normale ta kërkosh nga qeveria në dy vitet e para të qeverisjes së saj, por është shumë e ndershme të shtrosh pyetjen pse 8 vite qeverisje nuk u bë as veprimi më i vogël në këtë drejtim", tha Kryeministri Berisha.

Ky është një proces i hapur, vijoi Kryeministri dhe, në çipin e kartës së identitetit do të sintetizohen një numër i madh të dhënash për qytetarët. "Në këtë çështje ka një mbarësi të madhe, sepse fillimi i punës për regjistrin elektronik në datën 5 nëntor bën të mundur që brenda muajit shkurt në Tiranë dhe në rrethinat e saj në këtë regjistër elektronik ku të jenë të vendosur 700 mijë qytetarë, çka i jep mundësi të plotë kompanisë fituese që të gjithë punën ta bazojë në regjistrin elektronik të gjendjes civile, si një nga kushtet më të rëndësishme për suksesin dhe saktësinë e këtij procesi", theksoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›