Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Hungarisë në NATO, zotin Zoltan Martinus

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Hungarisë në NATO, zotin Zoltan Martinus.
Kryeministri Berisha, pasi i shprehu mirëseardhjen ambasadorit hungarez në NATO, e njohu atë me reformat e ndërmarra nga qeveria në shumë fusha, në funksion të zhvillimit të vendit dhe të integrimit euroatlantik të tij. Kryeministri theksoi se tashmë në vend ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi dhe po ecet përpara me reformën në fushën e drejtësisë, si dhe po punohet bashkërisht me opozitën për reformën elektorale, të cilat konsiderohen reforma shumë të rëndësishme për procesin e integrimit.
Kryeministri theksoi se dy projektet madhore të qeverisë dhe shtetit shqiptar janë integrimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Integrimi në NATO, tha Kryeministri, gëzon mbështetjen e 94 % të publikut shqiptar dhe të të gjitha forcave politike dhe qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të merituar ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit, bazuar tërësisht në kriterin e Aleancës për performancën individuale të vendeve aspiruese.
Më tej, Kryeministri e vuri theksin në reformat e rëndësishme që janë ndërmarrë në Forcat e Armatosura, me qëllim krijimin e një ushtrie të vogël, por tërësisht profesioniste në vitin 2010. Në këtë funksion, qeveria ka realizuar dhe rritjen e buxhetit për ushtrinë në 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2008.
Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje arritjet në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe reforma te tjera për sa i përket konsolidimit të shtetit ligjor.
Duke u ndalur në reformat në fushën ekonomike, Kryeministri theksoi se ekonomia shqiptare po rritet me ritme të shpejta, duke përmendur këtu një sërë reformash si, lehtësimin e klimës për biznesin, reformën fiskale, dixhitalizimin e procedurave të prokurimeve dhe taksave të regjistrimit, luftën kundër korrupsionit në administratë dhe nxjerrjen e saj jashtë konfliktit të interesit, uljen e kostos së prokurimeve, arritjen për dy vjet me radhë në muajin qershor të një buxheti suplementar, në sajë të luftës korrupsionit, kontrabandës dhe informalitetit, uljen e taksave, rritjen e të ardhurave, ecurinë e procesit të privatizimeve, etj. Duke u ndalur në klimën e investimeve në vend, Kryeministri tha se tashmë ka një rritje të dukshme të interesit të investitorëve ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të krijuar lehtësira të mëtejshme për ta.
Nga ana e tij, ambasadori Martinus e falënderoi Kryeministrit për pritjen dhe vlerësoi arritjet mbresëlënëse dhe performancën shumë të mirë të qeverisë shqiptare në realizimin e reformave integruese. Ai e siguroi Kryeministrin Berisha se Hungaria do të vazhdojë të përkrahë Shqipërinë në reformat e ndërmarra, si dhe në rrugën e saj për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Ambasadori Martinus u shpreh se perspektiva e Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në samitin e Bukureshtit është shumë e mirë. Kryeministri Berisha i mori ambasadorit hungarez garancinë e plotë se Hungaria do të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit në NATO. Zoti Zoltan Martinus theksoi gjithashtu se vendi i tij, është i gatshëm të ofrojë çdo ndihmë, për sa i përket shkëmbimit të eksperiencave në këtë fushë.
Ambasadori hungarez në NATO vlerësoi rolin konstruktiv dhe moderues të Shqipërisë në rajon, në funksion të forcimit të stabilitetit dhe sigurisë, si dhe shprehu mirënjohjen e NATO-s për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në misionet paqeruajtëse përkrah NATO- s, në Afganistan, Irak, Bosnje.
Në takim, të dy personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, veçanërisht zhvillimet në Kosovë. Kryeministri Berisha theksoi se pavarësia e Kosovës është kusht thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit.