Fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën për Sigurinë dhe Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor
Është një nder për mua sot t`i adresohem këtij forumi. Dua t`ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe temën shumë të rëndësishme që trajtoni. Çështja e sigurisë është çështja e parë e çdo individi, kombi, rajoni e më gjerë. Në këtë kontekst do të thosha se duke patur parasysh situatën në të cilën ndodhemi asnjë rajon tjetër nuk ka bërë hapa më të fuqishme drejt sigurisë se sa Ballkani.
Ballkani, gadishulli që përjetoi konflikte të egra, drama të mëdha dhe spastrime, sot është një Ballkan tjetër. Shtetet e Gadishullit kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje serioze që konfliktualitetin ta zëvendësojnë me integrimin, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin. Shtetet e Ballkanit në tërësinë e tyre punojnë për dy projekte të përbashkëta, projektin e anëtarësimit të tyre në NATO dhe projektin e integrimit në BE. Ndonjëherë kur sheh konfliktet e mëdha që përjetoi ky rajon, të krijohet përshtypja se edhe mbi shkrumbin e tyre ato që ngadhënjyen ishin dëshirat dhe projektet integruese, të cilat u shndërruan në forca kryesore lëvizëse të këtyre kombeve dhe vendeve drejt një të ardhmeje më të sigurtë e më të begatë.
Sërish nuk mund të themi se Ballkani është rajoni i sigurisë së lartë. Sërish në Ballkani ka sfida reale sigurie. Mendoj se sot kusht kryesor për konsolidimin e sigurisë në këtë rajon është respektimi i kufijve aktualë ndërkombëtarë të tij. Këto kufij janë rezultat i marrëveshjeve në tërësi të imponuara. Por, Gadishulli në 150 vitet e fundit ka njohur vetëm marrëveshje të imponuara dhe ndonjë marrëveshje që nuk ka qenë e imponuar është shpërbërë më vonë. Garantimi i këtyre kufijve është interesi më i mirë i popujve të Ballkanit që i çon ata në mënyrë progresive drejt konsolidimit të sigurisë së tyre. Respektimi i lirive dhe të drejtave të minoriteteve përbën një nga kushtet më themelore të këtij Gadishullit për paqen dhe stabilitetin e tij. Shtetet e Ballkanit janë të gjitha të pasura me minoritete, në këtë kontekst konsolidimi i standardeve ndërkombëtare ndaj minoriteteve, garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre përbën një kusht themelor për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Do të theksoja se një rëndësi të veçantë në këtë kontekst ka Marrëveshja e Ohrit. Zbatimi i kësaj marrëveshje ka njohur progres të vërtetë. Kjo marrëveshje ka bërë që shqiptarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që nuk i kanë pasur më parë në Republikën e Maqedonisë. Jam i bindur se progresi i mëtejshëm do ta shndërrojë atë në një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për vendin mik, për stabilitetin për të cilin jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe të interesuar thellësisht në konsolidimin e tij.
Ballkani ecën drejt hapësirave të sigurisë duke i ofruar atij mundësitë e integrimin në NATO dhe BE. Puna e bërë gjatë këtyre viteve nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ka marrë një vlerësim pozitiv nga vendet anëtare të NATO-s dhe shpresat janë shumë të mëdha që në Samitin e Bukureshtit të marrim ftesën për anëtarësimin në NATO. Shpresat janë të mëdha se edhe problemi që ekziston për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë do të marrë një zgjidhje gjatë këtyre pak javëve që kanë mbetur. Integrimi i vendeve tona në NATO përbën realizimin e një ëndrre të vërtetë të kombeve tona, por përbën dhe të ardhmen më të sigurtë të këtyre vendeve që kanë vuajtur në të shkuarën e tyre, përbën një mundësinë më të madhe për të ndërtuar në liri dhe në paqe të ardhmen e tyre. Kjo është garancia më madhore për një të ardhme të sigurtë, përbën një siguri për NATO-n në krahun jugor dhe në tërësi duke sjellë në kombet e familjes së Atlantikut të Veriut vlera të qarta, shtesë.
Ballkani në 17 shkurt ka pësuar ndryshimin e tij të madh me Pavarësinë e Kosovës. Unë kam bindjen e thellë se Pavarësia e Kosovës do të jetë një kontribut i madh për paqen dhe stabilitetin e këtij Gadishulli. Së pari Pavarësia e Kosovës i jep fund një pushtimi 600-vjeçar të këtij vendi. I jep mundësi Kosovës së pavarur të kontribuojë si një shtet i barabartë me të tjerët për paqen dhe stabilitetin e rajonit, fuqizon proceset integruese rajonale, por i jep edhe një përgjigje përfundimtare fluiditetit të shqiptarëve në rajon. Ata që kanë paraparë se kjo pavarësi mund të kërcënojë ndonjë vend tjetër janë gabuar. E kundërta është e vërtetë. Kufijtë ndërkombëtarë në Kosovë dhe respektimi i tyre janë njëkohësisht garanci për kufijtë ndërkombëtarë të vendeve fqinje. Rëndom sërish shtrojmë pyetjen a ishte ky një hap drejt Shqipërisë së Madhe? Kjo pyetje shtrohet se në tërësi ata që shtrojnë këtë pyetje janë jashtë apo shumë dekada larg aktit të pavarësimit të tyre, e lexojnë atë në histori, në poema, në këngë, por nuk e kanë përjetuar në shpirt në mendjet dhe zemrat e tyre siç e kanë përjetuar shqiptarët. Pavarësia e Kosovës është për qytetarët e Kosovës projekti për të cilin ata luftuan, sakrifikuan dhe votuan, projekti që ata zgjodhën, projekti më serioz në tërë historinë e tyre. Pavarësia e Kosovës është për shqiptarët kudo që ndodhen projekti më i respektuar. Shumë më mirë mund të na kuptojnë kroatët, sllovenët dhe popujt baltikë që e kanë pavarësinë recente dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar nga këto vende të shtrojnë problemin se a përbën Kosova një prelud të Shqipërisë në kufijtë e saj.
Kosova është një vend i pavarur i hapur ndaj vendeve të tjera, dhe pavarësia e saj e ka bërë Ballkanin më të drejtë dhe më të lirë se kurrë në historinë e tij. Kam bindjen më të thellë se pavarësia e Kosovës do të ndihmojë Beogradin të shkëputet nga e shkuara e tij e hidhur, do të ndihmojë forcat pro-europiane, të cilat shpresoj dhe besoj se janë shumicë në Serbi siç provuan në zgjedhjen e Presidentit Tadiç . Nuk mund të besoj se do të krijohet një Bjellorusi në Ballkan. Kam bindjen se Serbia do të shkëputet gradualisht nga problemet e të shkuarës dhe do të përkushtohet në projektin europian të saj.
Dua të siguroj se Shqipëria pasi ka përshëndetur traktatin që udhëheqja politike e Kosovës paraqiti si grup negociator për bashkëpunimin, pajtimin dhe kooperimin me Serbinë, e mbështet atë plotësisht dhe është e vendosur të punojë për një bashkëpunim të gjithanshëm me këtë vend. Dua të theksoj se thuhet ndonjëherë se djalli fshihet në detaje, duhet të ketë një kujdes të veçantë për Mitrovicën, sepse Ballkani ka shumë Mitrovica, Nëse vendet e Ballkanit vendosin të krijojnë Mitrovica, nuk bëjnë gjë tjetër veçse punojnë kundër paqes dhe stabilitetit të tyre që është kaq jetik për zhvillimin e këtyre kombeve. Në tërësinë e saj Kosova në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar është e angazhuar për respektimin e lirive dhe të drejtave të serbëve si në Dragash ashtu dhe në Zuginpatog apo kudo që ndodhen ata. është fakt që ka më shumë shqiptarë në Serbinë e Jugut se në Mitrovicën e Veriut, por ka shumë shembuj të tjerë dhe unë kam besim se integriteti i kufijve të Kosovës do të garantohet si interesi më i mirë i Kosovës, por edhe i të gjitha vendeve të rajonit.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për t`u afruar me NATO-n dhe merituar ftesën për anëtarësim. Këto vite Shqipëria ka faktuar se është një demokraci që funksionin, natyrisht jo pa probleme , e vërteta ka faktuar se është një demokraci funksionuese dhe një shtet ligjor që predominon. Provat politike që kaloi vendi gjatë këtyre viteve janë dëshmia më e qartë e kësaj. Fryma politike që ekziston sot në vend është një arritje tjetër e madhe e cila garanton për promovimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të reformave. Lufta e Shqipërisë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, vendosja e para ligjit pothuajse e të gjitha grupeve; rreth 204 grupeve dhe organizatave kriminale, ndalimi dhe vendosja para drejtësisë e mbi 900 anëtarëve dhe drejtuesve të këtyre organizatave, shndërrimi i Shqipërisë në një vend të sigurtë për qytetarët e saj, janë ndër arritjet madhore në fushën e sigurisë.
Kontrolli i integruar i kufijve, zvogëlimi në shkallë të madhe i të gjitha llojeve të trafiqeve kanë bërë të mundur nënshkrimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave dhe hapjen e procesit për liberalizimin e plotë të tyre me Bashkimin Europian. Një punë e madhe është bërë në luftën kundër korrupsionit. Sot, qeveria shqiptare është jashtë konfliktit të interesit. Një seri procedurash janë dixhitalizuar; si prokurimet, taksat doganat dhe po vazhdohet me të tjerat.
Raporti i fundit i BE-së dëshmon se kjo qeveri nuk ndërhyn në sektorin privat, pra nuk ka më klientelë nuk ka më kapje. Shqipëria ka bërë një luftë të suksesshme kundër evazionit, kundër kontrabandës, informalitetit megjithatë uljen drastike të taksave të ardhurat buxhetore janë rritur nga 22-27 % apo edhe më shumë se 1 miliardë dollarë sikurse janë shkurtuar në mënyrë të ndjeshme për administratën.
Sërish ka korrupsion, por lufta kundër tij është dominuese. Janë dhjetëra e dhjetra zyrtarë të cilët përballen me ligjin për akte korruptive. Unë ju siguroj se ligji nuk do të kursejë asnjë nga zyrtarët që shkelin kontratën e tyre me qytetarët shqiptarë. Ne jemi të vendosur të shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja. Kemi vendosur barrën fiskale më të ulët në Europë.
Së shpejti do të ndërmarrim thjeshtimin e mëtejshëm të sistemit fiskal. Regjistrimi i biznesit bëhet me “one-stop-shop”. Do të punojmë në kuadrin e Programit të Millenium Challenge Account për “one-stop-shop” për liçensat dhe lejet. Ne nuk do të lëmë reforma pa ndërmarrë për të bërë Shqipërinë nja nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. Sot vendi është në një nga pozicionet më të mira për lirinë fiskale, por ne jemi ambiciozë për të bërë vendin për ta nxjerrë atë në një nga pozicionet më të mira për të gjitha liritë ekonomike.
Membership Action Plan është zbatuar me seriozitetin më të madh. Shqipëria ka vendosur një bashkëpunim luajal me NATO-n . Në 15 vite i ka ofruar Aleancës të gjitha lehtësitë që ajo mund të ofronte dhe që i nevojiteshin. Me politikën e saj gjatë këtyre 15 viteve Shqipëria ka qëndruar në anën e paqes dhe stabilitetit dhe ka dhënë kontributin e saj modest. Njësitë e saj janë të shpalosura në të gjitha zonat ku është e shpalosur NATO.
Ne në vitin 2010 do të kemi një ushtri profesioniste e cila do të mund të marrë edhe më gjerësisht pjesë në të gjitha veprimtaritë e paqeruajtëse të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria sot është një vend që eksporton paqe dhe stabilitet. Ndaj dhe kemi shumë shpresë se në Samitin e Bukureshtit do të marrim ftesën. Ky është interesi më i madh i Shqipërisë, interesi më i mirë i rajonit, por ky është edhe interes besoj unë edhe i Aleancës së Atlantikut të Veriut me zgjerimin në një rajon që nga një rajon konfliktesh është shndërruar në një rajon paqeje dhe stabiliteti.
Ju faleminderit !