E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të bëjmë çdo përpjekje për të rritur standardin dhe cilësinë e arsimimit në universitetet tona

Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Elbasanit, në Ditën e Verës, Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën mbi zhvillimin dhe mbështetjen turizmit, të organizuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Gjatë bashkëbisedimit me pedagogë e studentë të këtij universiteti, Kryeministri  Berisha garantoi vazhdimin e mbështetjes së qeverisë për fuqizimin e sistemit arsimor në tërësi dhe atij universitar në veçanti, për të rritur cilësinë  e arsimimit dhe kapacitetet intelektuale të vendit.  

“Dua t’ju garantoj për mbështetjen e plotë të qeverisë për universitetin tuaj dhe për  të gjithë universitetet e vendit, me përparësi të padiskutueshme dhe besim shumë të madh në kapacitetet tuaja intelektuale dhe me besim shumë të madh në misionin tuaj”, u shpreh Kryeministri.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” do të hapë për herë të parë masterin turizmin dhe për çështjet europiane, në bashkëpunim me dy universitete italiane. Kryeministri e konsideroi këtë vendim të  përbashkët “një zhvillim shumë pozitiv”.

Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi iniciativën e shkëlqyer të Universitetit të Elbasanit për organizmin e kësaj konference mbi turizmin dhe zhvillimin e tij, duke u shprehur se kjo është “dëshmi e një përpjekjeje shumë serioze e këtij universiteti për t’u orjentuar dhe për t’u lidhur me një nga fushat më të rëndësishme dhe me potencialet më të mëdha të vendit, që është turizmi dhe zhvillimi i tij”.

Kryeministri theksoi se përpjekjet e qeverisë për zhvillimin e turizmit janë serioze. “Ne po bëjmë përpjekje të mëdha, sapo kemi përfunduar masterplanin e bregut jonian. Po ashtu, ekzistojnë masterplane edhe për bregun Adriatik, ekzistojnë projekte për t’i bërë këto zona turistike të arritshme për të gjitha qytetet e vendit”, tha ai.

Kryeministri theksoi se në këtë drejtim, qeveria po përqendrohet të ngrejë të gjithë infrastrukturën e zonave turistike të vendit, duke tërhequr vëmendjen se është shumë e rëndësishme që e gjithë infrastruktura të zhvillohet në harmoni të plotë me ruajtjen e mjedisit, në funksion të një turizmi të zhvilluar, të standardeve më të mira, më të përshtatshme. “Ne i japim përparësi shumë të madhe mjedisit dhe do të insistojmë me të gjithë forcën e ligjit që standardet mjedisore të respektohen nga të gjitha sipërmarrjet. Kjo gjë është plotësisht e mundshme”, vijoi Kryeministri.

Më tej, Kryeministri vuri në dukje hapat konkretë që ka ndërmarrë qeveria në forcimin e sistemit tonë arsimor, si rritja e ndjeshme e rrogave të mësuesve në dy vjet, si dhe vazhdimi i kësaj rritjeje deri në dyfishimin e tyre brenda mandatit 4 vjeçar, investimet në infrastrukturën shkollore, liberalizimi i universiteteve dhe ndryshimi cilësor i pranimit të studentëve të rinj, ngritja e fondit të ekselencës, dyfishimi i vlerës së orës suplementare të mësimit, hapja e 400 vendeve të reja të punës në universitete, etj.

“Qeveria ka shpallur përparësi të parë të saj arsimin dhe ne do t’i qëndrojmë plotësisht kësaj.  Kemi premtuar që në 4 vjet të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Për ata që njohin ekonominë kjo është nismë jashtëzakonisht e vështirë, por ne e kemi  ndërmarrë me ndërgjegje të plotë, sepse kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për vendin”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri u ndal në nevojën e kualifikimit të mësuesve, duke e konsideruar këtë një problem serioz për të cilin duhet të investohet.

Duke theksuar domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri, Kryeministri tha se “do të bëjmë çdo përpjekje që çdo fëmijë që mbaron klasën e 9-të dhe dëshiron të vazhdojë shkollën e mesme, të mos mbetet pa shkollë. Qeveria do të mundësojë ndërtimin e një rrjeti konviktesh, në mënyrë që gjithë nxënësit që vijnë nga fshati a kudo, të kenë mundësi të shkollohen”.

Kryeministri tha se qeveria realizoi premtimin për liberalizimin e vizave, duke bërë të mundur dyfishimin e numrit të studentëve, nga 51 mijë që ka qenë, në mbi 100 mijë.

Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria ka katërfishuar investimet për universitetet. “Rektori më informoi se në ndërtesat e reja këtu janë investuar mbi 1 miliardë lekë. Dua t’u informoj se ne kemi katërfishuar investimet për universitetet, pasi universitetet nga ana e tyre nuk kishin mundësi  të realizonin këto projekte. Shtimi i investimeve në universitete do të thotë cilësi”, vijoi Kryeministri.

Duke theksuar domosdoshmërinë e zhvillimit të konkurrencës, si faktor në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, Kryeministri bëri të ditur se “këtë vit do të fillojë klasifikimi i universiteteve. Kjo do të realizohet nga një kompani e huaj, e cila do vlerësojë universitetet publike dhe ato private”.

“Para 1 muaji, ne investuam 400 vende të reja për universitetet dhe mund të shtojmë edhe 1 mijë të tjerë, por me garancinë për cilësinë e atyre që do të rekrutohen në mësimdhënie dhe për mënyrën se si do të rekrutohen”, tha Kryeministri, ndërsa nënvizoi se qeveria  krijoi fondin e ekselencës dhe do ta dy- trefishojë atë më tej, për të gjithë ata që duan të shkojnë të gradohen në universitetet më të mira të perëndimit.

Kryeministri kërkoi angazhimin e gjithë stafeve universitare për të shndërruar universitetet në qendrat më serioze të edukimit të brezave dhe të kombit. “Është e domosdoshme të vendosen parime të ndershme në menaxhimin e universiteteteve”, u shpreh ai.

Duke i uruar për Ditën e Verës, Kryeministri i përgëzoi drejtuesit e këtij universiteti për arritjet e realizuara dhe shprehu besimin se Universiteti “Aleksandër Xhuvani” do të jetë një nga universitetet më të mira të Shqipërisë.             

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›